Më 9-10 maj testimi i radhës për licencimin e farmacistëve të rinj

anazapta

Në maj nis sezoni i ri i provimeve të shtetit për mijëra studentë e kandidatë që janë diplomuar në specialitete të ndryshme mjekësore, mësuesi apo dhe degë të tjera që klasifikohen si profesione të rregulluara. Datat e planifikuara për provimin e shtetit për degën farmaci janë 9 -10 maj 2013.  Megjithatë, para dhënies së këtij provimi studentët e farmacisë duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të praktikës profesionale nëpërmjet një testimi me gojë që bëhet pranë Urdhrit të Farmacistëve.

Në këto kushte, para mbërritjes në provimin e shtetit, studentët duhet të kalojnë testin paraprak që zhvillohet me gojë në datat 9, 10 dhe 11 prill. Në testimin me gojë që do të kryhet në datat e përcaktuara, kandidati duhet të ketë me vete listën e dokumenteve të kërkuara, pasi në rastet kur kalon me sukses Vlerësimin e Aftësisë së Praktikës Profesionale, regjistrohet direkt për provimin e shtetit.

Të interesuarit për të hyrë në këtë testim duhet t’i drejtohen këtij urdhri për të marrë edhe listën e pyetjeve të zbardhura, si dhe ushtrimeve që duhet të përvetësojnë për të kaluar me sukses këtë provë. Në të kundërt këta kandidatë do të duhet të presin muaj të tërë deri në sezonin e ri të provimeve të shtetit. Pa marrë provimin e shtetit, këta kandidatë nuk kanë të drejtë që të ushtrojnë profesionin në të cilin janë diplomuar për shkak se nuk mund të pajisen me licencën profesionale.

Burimet zyrtare të Urdhërit të Farmacistëve deklaruan dje se dosja e dokumenteve që kërkohen për t’u regjistruar në provimet e shtetit duhet të ketë në përmbajtje të saj:

Formularin e aplikimit që plotësohet gjatë ditës së regjistrimit,

fotokopjen e letërnjoftimit,

fotokopjen e noterizuar të diplomës së studimeve universitare,

listës së notave,

si dhe suplementit të diplomës të lëshuar nga Institucioni i Arsimit të Lartë.

Kërkohet dëshmia e pjesëmarrjes në praktikën profesionale, e lëshuar nga Urdhri Profesional,

dëshmia e kursit të Ndihmës së Shpejtë,

raporti Mjeko-Ligjor,

dëshmi Penaliteti,

vërtetim  nga Prokuroria që nuk është në ndjekje penale,

si dhe fatura e pagesës për provimin e shtetit në llogari të MASH,

si dhe 2 fotografi të formatit të pasaportës.

Sipas ekspertëve të urdhrit, numri i kandidatëve që do të hyjnë në këtë testim gjatë sezonit të majit do të jetë shumë i lartë, pasi krahas të sapodiplomuarve janë me qindra kandidatë të tjerë që kanë rezultuar mbetës në fazat e mëparshme.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *