Përfaqësuesit e të majtës në Këshillin Bashkiak të Tiranës denoncuan dje me fakte konkrete abuzimet që Bashkia e Tiranës po bën në kurriz të qytetarëve, duke favorizuar ndërtimet pa leje. Duke denoncuar një nga rastet konkrete të ndërtimeve pa leje që po bëhet në kryeqytet, përfaqësuesi i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, ngriti akuza të forta ndaj bashkisë për korrupsion me ndërtimet pa leje, betonizimi i të cilave po uzurpon Tiranën.
“Është zëri i qytetarëve, i cili flet sot sigurisht për një ndërtim pa leje në qendër të Tiranës. Ka filluar të japë leje ndërtimi edhe qeveria në ikje, kjo është një gjë krejtësisht e paligjshme dhe sigurisht e papranueshme për qytetarët. Kryetari i emëruar është fokusuar vetëm te ndërtimet, vetëm te korrupsioni me ndërtimet, te trafiku me klientët dhe natyrisht që ky objekt që ndodhet këtu na tregon se Tirana sot është nën pushtetin e korrupsionit të ndërtimeve ngado, pa leje, dhe që veprojnë edhe me bekimin apo vendimet e qeverisë.
Do të jetë qeveria e ardhshme që do të marrë vendimet e duhura për të stabilizuar dhe për të rregulluar këtë situatë kaotike në Tiranë, e cila është në dorë të klientëve dhe korrupsionit ngado”, ka akuzuar Dalipi.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i bashkisë së Tiranës. Nëpërmjet zëdhënëses Anila Bisha, bashkia ka sqaruar se nisja e punimeve në këtë objekt erdhi pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut. “Për zbatimin e lejes së ndërtimit të marrë në vitin 1998, lidhur me objektin së cilit i referohen këshilltarët e majtë, objekt i cili u pezullua nga ish-kryetari i Bashkisë për vite me radhë, ka një vendim të Gjykatës së Strasburgut që e cilëson të paligjshëm vendimin e z. Rama. Natyrisht, Bashkia e Tiranës dhe asnjë institucion tjetër, qoftë dhe Partia Socialiste, nuk mund të qëndrojë mbi ligjin”, ka deklaruar Bisha.
