Të gjithë mbetëm pa Jorgo Bulon!

redaktor

1.

Qytetarët e Përmetit ishin të fundit që e panë, dëgjuan dhe shijuan urtësinë dhe oratorinë e tij. Pasditen e 25 nëntorit, kreu udhëtimin e fundit, mbajti fjalën e fundit dhe përmbushi misionin e fundit. Të tria këto, udhëtimi, fjala dhe misioni ishin për Dritëro Agollin. Por në fakt, më shumë ishin për qytetarët e kulturuar të Përmetit. Nëse dikush do të kishte guxuar ta pyeste ndonjëherë cila do të ishte dëshira e tij e fundit, në stacionin e fundit të jetës, nuk do të çuditej nëse do të merrte një përgjigje që ose lidhej me Naimin, ose do të ishte në stilin naimian. Dhe kështu ndodhi. I shqiptoi fjalët e fundit 39 kilometra larg Frashërit, vendit ku Naimi para 169 vjetësh, kishte shqiptuar fjalët e para. Përmetarët dhe frashërllinjtë e pritën të fundit, por e përcollën të parët për në rrugëtimin e fundit. Ata nuk e fshehën dhimbjen. Mbetën pa Jorgo Bulon!

2.

Nuk i ishte numëruar asnjëherë studentët për të cilët kishte ligjëruar. Por ata janë ndoshta disa mijëra, ndoshta edhe më shumë. Nuk mburrej asnjëherë që ish studentët i shfaqeshin kudo, edhe aty ku nuk e priste. Dy dekadat e fundit gjeografia e tyre u zgjerua shumë, madje pushtoi të pesë kontinentet. Të gjithë nuk ngopeshin duke e takuar: dikush përzemërsisht në skrivaninë e tij në Akademi; dikush i shkonte për vizitë në shtëpinë gjithnjë plot ngrohtësi; dikush duke e sjellë në bisedë me respekt dhe nostalgji; dikush me një e-mail të përmallshëm; Të gjithë nga dita e djeshme kanë mbetur pa Jorgo Bulon!

Shkencëtarët, shkrimtarët, poetët, historianët e letërsisë, ata që profesori i quante sinqerisht kolegë, por që në fakt janë udhëhequr dhe inspiruar prej tij në karrierën dhe pasionin e tyre për historinë dhe krijimtarinë letrare, nuk do ta gjejnë më në zyrën e katit të dytë të Akademisë, atë, profesorin e përhershëm. Disave do t’u pakësohet entuziazmi, të tjerëve do t’u mbeten faqe krijimtarie të pashkruara, disa të tjerë do të mbledhin forcat dhe mendjen për të shkruar. Por pa frymëzimin me të cilin e kishin nisur procesin letrar dhe krijues. Kur plaga që hapi do të fillojë të ftohet, edhe dhimbja do të shtohet. Dhe kur dhimbja apo rrethana të tjera do tua bëjnë vazhdimin e punës të pamundur, nuk do të munden më të telefonojnë në numrin 0682055337 për të marrë këshillat e tij. Atëherë do ta ndjejnë deri në palcë se çdo të thotë të mbetesh pa Jorgo Bulon!

4.

Ndër të parat telefonata të Myzafer Korkutit mëngjesin e djeshëm, ishin ato drejt Kosovës. Rexhep Qoses dhe akademikëve kosovarë, por edhe Myzaferit dhe akademikëve të këtushëm, nga mëngjesi i djeshëm u mungon ura që lidhte të dy akademitë, kolegu që bashkonte dy komunitetet e shkencëtarëve, jo vetëm albanologët, por të gjithë. Madje dy botët shqiptare. Kur nuk e gjeje në studjon e tij, mendimi i parë që të vinte ndërmend ishte: “Me siguri, do jetë nisur për në Prishtinë”. Por nga dje, Jorgua nuk do të mundet të shkojë më në Prishtinë. Akademikët, krijuesit dhe shkencëtarët nga Kosova nuk do ta shohin më, as atje dhe as këtu, në Tiranë. Dhe kur kjo mungesë të fillojë të përsëritet, të gjithë do ta kuptojmë se sa të humbur jemi ngaqë humbën Jorgo Bulon!

5.

Familja, natyrisht është më e humbura. Pjesa më e dhimbsur për të, Anila, por sidomos dobësia e tij më e madhe, mbesa, Antea, u ndodhën ato çaste të rënda në distancën më të largët të mundshme, në Kanada. Por edhe Kristina, zonja e vërtetë që i qëndroi në krah gjithë jetën e gjallë, në momentet e fundit nuk mundi ta bënte këtë. Profesori vendosi të ikte si akademik në krye të detyrës dhe në përmbushje të misionit: pasi kreu ligjërimin e fundit në Përmet.

6.

Ne të gjithë mbetëm pa Jorgo Bulon. Por shumica e shqiptarëve, në fakt, nuk e kanë humbur Jorgo Bulon. Këta janë lexuesit e tij. Dhe këta janë shumica. Ata, po. Nuk do të mbeten kurrë pa Jorgo Bulon!

Share This Article
3 Comments
  • Na iku Jorgo Bulo, shkencetari dhe Njeriu i Mire. Lamtumire, Profesor!
    Faleminderit Barjaba per radhet aq te ndjera ne kujtim te Profesorit!

  • Iku Jorgoja I arte ,por ketu dote mbetet shpirti I tij njerezor,si ai asnje tjeter.
    Lamtumire miku I pazvendesueshem i shume njerezve,qe me te drejte te cilsonin me fjalet e Eseninit, shelgu i arte Jorgo Bulo.
    Do na mungosh shume.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *