Kur Britania e Madhe kërcënon

redaktor

Janë krejtësisht unikë. Të papërsëritshëm. Mezi ia dolën të anëtarësoheshin në Komunitetin Evropian, për shkak të vetos franceze. Por, sapo hynë, nuk kaloi as një vit dhe donin sërish të dilnin. Kërcënuan me referendum. Laburistët e sapoardhur në pushtet ishin tërësisht të pakënaqur se, si konservatorët e Eduard Hith kishin negociuar termat e marrëveshjes me Komunitetin. Druheshin se, mos humbnin sovranitetin ekonomik dhe futeshin në një qerthull pasojash nga aderimi i vendit në tregun e përbashkët ekonomik. Situata ripërsëritet. Thjesht, aktorët kanë ndryshuar vendin. Tashmë janë konservatorët, që kërcënojnë me referendum, për dalje nga Unioni. Laburistët nuk duan. Lobojnë për qëndrimin. Si ripërsëritet historia britanike në marrëdhëniet e saj me Unionin dhe çfarë të përbashkëta kanë këto qëndrime ?

Ndonëse Unioni po përballet me një sërë krizash të njëpasnjëshme, kërcënimi britanik për negocim dhe rishikim të pozicionit të saj, ka një karakter stoik. Tashmë drejtuesi i qeverisë konservatore Kamerun, ka dorëzuar në Bruksel listën e reformave që Londra kërkon, ndryshe ai kërcënon me realizimin e një referendumi për të vendosur nëse Britania e Madhe do të qëndrojë, apo do të dalë nga Unioni. Komisioni Evropian, reagoi menjëherë duke i vlerësuar paraprakisht disa prej këtyre kërkesave të realizueshme, por disa të tjera i ka gjykuar si “qartësisht problematike”. Por, gjithsesi kreu i KE-së, Junker vetëm pak kohë më parë i ftuar në “Journée de l’Europe” do të konfirmonte se “Brexit” nuk do të ndodhë! Kancelaria gjermane Merkel është shprehur gjithashtu optimiste mbi gjetjen e gjuhës së përbashkët për të shkuar drejt arritjes së kompromisit me Britaninë. Procesi i konsultimeve mes vendeve anëtare në lidhje me reformat e kërkuara nga Londra ka filluar dhe pritet organizimi i dy Samiteve të krerëve të shteteve dhe të qeverive të Unionit, një në muajin dhjetor dhe një në muajin shkurt, që do të shprehen në lidhje me këtë çështje.

Por, çfarë pritet të ndodhë ?

Për të kuptuar se si do të formësohet më tej marrëdhënia e Britanisë së Madhe me Unionin Evropian, është i rëndësishëm vëzhgimi i historikut të marrëdhënieve të saj me Komunitetin, pasi ka një skemë klasike ripërsëritëse të së njëjtës formë: kërkesë për riekulibrim pozicioni ose kërcënim për braktisje të Unionit.

Kandidatura britanike ka pasur një përqasje nga më interesantet në historikun e integrimit evropian, për shkak të peshës së saj të rëndësishme sa diplomatike, por edhe ekonomike.

Do të ishte viti 1963, kur përpjekjet britanike për aderim në Komunitetin Ekonomik Evropian do të refuzoheshin për herë të parë nga Franca e De Golit. Refuzim, që mbarte si shkak hezitimin e përgjithshëm, që reflektonte Gjenerali se, mos Britania e Madhe shndërrohej në Kalin e Trojës të amerikanëve, në tregun e përbashkët evropian. Britania tenton sërish kandidaturën e saj, vetëm katër vite më vonë, më 1967 dhe sërish Gjenerali vendos veton. Arsyeja kësaj radhe bazohej tek fakti se Britania në sytë e Gjeneralit, vlerësohej se nuk ishte në lartësinë e duhur për të nisur negociatat e aderimit për shkak të dobësisë së saj ekonomike dhe brishtësisë monetare. Kundërshtimi u perifrazua si i përkohshëm dhe se pritej një rivlerësim përgjatë rimëkëmbjes së saj ekonomike.

Por, pozicionimi dy vite më vonë i presidentit francez Pompidu, pro kandidaturës britanike, i hap më në fund rrugën, aderimit të saj në Komunitet. Dhe vetëm një vit më vonë, në vitin 1970 fillojnë negociatat e zgjerimit. Parisi, që kishte ndryshuar tashmë qëndrim, duke dalë nga politika e bllokadës së zgjerimit, e shikonte kandidaturën britanike me një tjetër optikë politike. Optikë, që vlerësonte afrimin e Britanisë së Madhe me Komunitetin si një mjet ekuilibrimi të pushtetit në rritje të Gjermanisë si në fushën e politikës së jashtme, por edhe ndaj fuqizimit ekonomik të saj në ngritje. Por, edhe Gjermania nga ana tjetër, e shikonte zgjerimin drejt Britanisë si në terma të përfitimit ekonomik, por edhe si një kundërpeshë ndaj predominimit francez në Komunitet. Brenda një periudhe të shkurtër, dosjet përmbyllen dhe zyrtarisht Britania futet në Komunitetin Ekonomik Evropian, më 1 janar 1973.

Kërcënimet londineze

Nuk kalon as një vit, pasi ishin anëtarësuar zyrtarisht dhe më 1 prill 1974, shfaqet kërcënimi i parë për braktisje të Komunitetit. Laburistët e sapoardhur në pushtet, të pakënaqur me mënyrën se, si konservatorët kishin negociuar marrëveshjen me Komunitetin, kërkojnë rinegocim të kushteve të aderimit, përndryshe kërcënojnë me dalje nga Komuniteti nëpërmjet organizimit të një referendumi popullor. Londra kontestonte në atë kohë çështjen e kontributit të saj në buxhetin e komunitetit, duke mos pranuar të paguajë më shumë nga ç’merr mbrapsht nga mekanizmi i rishpërndarjes.

Krijimi i tensionit politik, çoi në angazhimin e Komunitetit për të gjetur një rrugëzgjidhje ndaj presionit britanik. Samiti i Parisit i zhvilluar në po atë vit (1974) refuzon kategorikisht rinegocimin e Aktit të aderimit, por krijon një mekanizëm korrigjimi në rast të një “situate ekonomike të papranueshme”. Parametrat e të cilit, u detajuan dhe përcaktuan më tej, nga Këshilli Evropian i Dublinit, vetëm një vit më vonë. Pa hyrë në terma teknikë të shpjegimit, mbi korrigjimet specifike, presioni i Londrës, funksionoi duke e bërë Komunitetin të ulej dhe të ofronte kompromise në disa fusha, duke përjashtuar disa të tjera. Ky rinegocim, ndonëse jo plotësisht në përputhje me kërkesat e Londrës, u përcoll në opinionin publik britanik, si një arritje mjaftueshëm e kënaqshme, duke bërë që klasa politike t’iu kërkonte britanikëve të votonin pro qëndrimit të Britanisë së Madhe në Komunitet. Referendumi i organizuar në vitin 1975, shënoi një pjesëmarrje relativisht të lartë të qytetarëve britanikë, të cilët votuan në një shumicë prej 67,2%, pro qëndrimit në Komunitetin Ekonomik Evropian.

Shantazhi funksionoi. Vendet anëtare, pranuan koncesionet në mënyrë që të shmangej, fitimi i JO-së në referendum.

Por, situata ripërsëritet sërish. Kërcënimet vazhdojnë. Vetëm katër vite më vonë, Britania e Thaçerit vendos sërish dosjen e kontributit financiar mbi tavolinën e Komunitetit, duke kërkuar mbrapsht paratë e britanikëve, me sloganin shumë të njohur “I want my Money back”. Kjo, pasi Britania kontribuonte në buxhetin evropian shumë më tepër nga ç’merrte mbrapsht nga mekanizmi i rishpërndarjes. Me një fushatë të fuqishme për kthimin e parave qytetarëve britanikë, Londra realizon objektivat e saj sërish. Arrin të ulë në tavolinën e negocimeve 9 vendet anëtare duke shkuar drejt logjikës së kompromisit. Në vitin 1984, Londra do të vlerësojë se kërkesat e saj janë të plotësuara mjaftueshëm.

Histori përsëritëse

Kërkesat e reja që Kamerun i ka parashtruar Unionit, nuk mund të mos shikohen në filtrin e së njëjtës skemë klasike politike, që Britania e Madhe ka përdorur në historikun e marrëdhënieve të saj me Unionin: kërkesë për rinegocim kushtesh, ose kërcënim për dalje nga Unioni.

Kjo skemë klasike, ka rezultuar e suksesshme jo vetëm për të ulur vendet anëtare në tavolinën e negocimeve, por edhe për të marrë koncesionet e kërkuara nga Londra. Por, a mund të konsiderohen këto lëvizje, si sukses i patjetërsueshëm i diplomacisë londineze ndaj Unionit ? Në fakt, skema klasike e filozofisë së negocimeve shtrihet në formatin, që njeh psikologjia sociale mes palëve, pra “Fitues-Fitues” ose asnjë Marrëveshje. Edhe lëvizjet e fundit të konservatorëve të Kamerun, shtrihen në këtë platformë me një presion të lartë kërkesash, argumente bindës për domosdoshmërinë e tyre, kërcënime dhe angazhime serioze (referendumi) të shoqëruara me prova konkrete të një presioni të qëndrueshëm, që e bën të pamundur lëshimin e terrenit ( caktimi i vitit për referendum). Nga ana tjetër, edhe pala tjetër në negocime (Unioni) ka nisur vëzhgimin gradual të terrenit të kërkesave, duke shpallur të papranueshme që në fillim disa prej tyre (vendosja e limitit që në fillim) dhe duke shkuar drejt logjikës së koncesioneve të ngadalta, në mënyrë që të shmanget një marrëveshje e parakohshme apo një marrëveshje jo aq mirë e menduar, deri sa të plotësohen kushtet drejt një Marrëveshje “Fitues-Fitues” mes palëve. Çdo angazhim, që shkon përtej limitit të njërës palë, është i destinuar të dështojë. Çka nënkupton se, logjika e marrëveshjes duhet të jetë kuptimplotë për të dyja palët.

Deri më tani, ka një klimë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi nga vendet anëtare dhe sidomos nga aksi Paris-Berlin, për të plotësuar disa prej kërkesave të Londrës, siç edhe dihet se kërkesa të tjera të ndjeshme për Unionin, janë absolutisht të panegociueshme. Nëse i referohemi historikut të marrëdhënies së veçantë të Britanisë së Madhe me Unionin, dhe presioneve të vazhdueshme të saj si përgjatë vitit 1974, por edhe gjatë viteve ’80, ajo çka pritet është plotësimi i pjesshëm i kërkesave britanike, përcjellja e tyre nga elita politike në vend si një sukses i mjaftueshëm dhe shkuarja drejt sugjerimit për të votuar pro në referendumin, që pritet të zhvillohet në vitin 2017. Ndonëse, kjo marrëveshje mund të perceptohet si një fitore e radhës e politikës britanike në Union, në thelb ajo nuk njeh humbës pasi të dy palët kanë përcaktuar kufijtë deri ku mund të preken dhe të mos preken pikat delikate mes tyre. Nga njëra anë, Britania e Madhe fiton një lloj ekuilibrimi të pozicionit të saj politik në Union, ndonëse jo të plotë, kënaq ambiciet e segmenteve të ndryshëm euroskeptikë brenda partisë konservatore, si edhe ekuilibron tendencat luhatëse eurodyshuese në opinion, por nga ana tjetër edhe Unioni del më i fortë nga kjo marrëveshje, pasi ka konsoliduar në një moment delikat krizash, një marrëdhënie të rëndësishme dhe krejtësisht të domosdoshme me një nga anëtarët më të veçantë të saj. /im.ta/

Shkrime të tjera:

Britania e Madhe drejt “divorcit” me Gjykatën e Strasburgut

 

 

Share This Article