Irani është një nga shtetet më të fuqishme në rajonin bri shteteve arabe. Ai është tejet i pasur me naftë, por sanksionet ndërkombëtare ia kanë ndalur hovin e zhvillimit.
Gjithsesi, Irani vazhdon të ketë influencë tek shtetet shiite. Duke nisur nga viti i ardhshëm, këtij shteti do t’i hiqen sanksionet ndërkombëtare çka do t’i lejojë atij të nisë eksportin e naftës.
Tashmë, Irani ka nisur punën për të thithur investitorë të rinj, duke paraqitur edhe modelin e ri të kontratave, të cilat nxisin kompanitë ndërkombëtare që të investojnë në këtë vend.
Këto kontrata janë shpallur mbrëmë në një konferencë në Teheran, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të kompanive më të njohura të energjisë në botë.
Megjithatë, në këtë takim nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e kompanive të Shteteve të Bashkuara. Sipas kontratave të reja, investitorët e jashtëm do të kenë pjesëmarrje më të mëdha në profitet afatgjata. /Dita/
