Presidenti i Republikës, Bujar Nishani bashkë me bashkëshorten kanë zhvilluar mbrëmë homazhe në Bulevardin “Volter” për nder të viktimave të sulmeve terroriste të 13 nëntorit në sallën e koncerteve të Teatrit Bataclan.
Nishani po merr pjesë në Takimin e Udhëheqësve Botërorë për Ndryshimet Klimatike. Të shoqëruar edhe nga delegacioni zyrtar, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Zonja e Parë pasi u pritën nga autoritet vendore të Bashkisë 11 të Parisit, vendosën një buqetë me lule dhe mbajtën një minutë heshtje në kujtim të viktimave të pafajshme, duke u solidarizuar me mbarë qytetarët e Francës.
Nishani ka dënuar ashpërsisht aktet barbare terroriste që morën jetët e 130 njerëzve dhe plagosën edhe disa qindra të tjerë në kryeqytetin francez.
“Shfrytëzuam rastin për të qenë të pranishëm këtu ku akti barbar tregoi se jo vetëm Parisi, jo vetëm Franca, por mbarë bota është solidare me këtë vend të gatshëm për të reaguar në mënyrë të përbashkët ndaj këtyre krimeve makabre dhe për të treguar se liria është mbi gjithçka dhe bota e qytetëruar nuk do të mundet dhe nuk do të dorëzohet përpara asnjë akti, asnjë grupi dhe asnjë veprimi që synon të thyejë civilizimin, të ndryshojë mënyrën e jetesës sonë e cila funksionon mbi bazën e lirisë”, tha Nishani. /Dita/
