Fitorja ndaj Flamurtarit ka përmirësuar humorin tek Vllaznia, që më në fund fillon të shohë dritë në tunelin ku është futur. Tifozët gjatë takimit kanë shijuar në maksimum këtë 3 pikësh, duke ia adresuar suksesin zgjidhjes financiare dhe marrjes së dy pagave nga futbollistët. Me humorin tipik shkodran është Armir Grima që analizon çelësin e suksesit ndaj vlonjatëve: “Çelësi i suksesit është dhënia e pagave”, ka thënë tekniku imkuqebluve pas suksesit me Flamurtarin.
Megjithatë sfida me Laçin është në prag dhe buzëqeshja ngrin në fytyrën e Grimës kur i kujton që në transfertën ndaj kurbinasve do të mungojnë për arsye skualifikimi mbrojtësi Stefan Cicmil dhe mesfushori Florind Bardulla. Edhe në këtë moment nuk mungojnë notat e humorit, ku Grima thekson: “Jemi bërë si në lojën ngriva-shkriva. Do të kemi mungesa të rëndësishme në Laç, por do të përpiqemi të bëjmë maksimumin me futbollistët në dispozicion”.
Pavarësisht ndryshimit të humorit kuqeblutë nuk e gjejnë në formën më të mirë Laçin, që vjen i uritur pas humbjes në Ballsh me Bylisin dhe kritikave nga ana e trajnerit Armando Cungu për lojën e zhvilluar. Megjithatë vështirë që për momentin humorin t’ia heqin shkodranëve, pavarësisht situatave që kalojnë.
