A mund të ishin parandaluar sulmet terroriste në Paris, nëse do të ekzistonte një CIA evropiane ? Nëse të dhënat e grumbulluara dhe të analizuara do të ishin shpërndarë në kohë reale, a do të ishte bërë i mundur arrestimi i të dyshuarve, që i rrëshkitën tre herë kontrollit të forcave policore franceze? Këto pyetje të rishfaqura menjëherë pas ngjarjeve të fundit mbartin të njëjtin karakter, sa herë sulme terroriste ndodhin në territorin e vendeve anëtare të BE-së. Por, pse shfaqet i nevojshëm krijimi i një strukture të përbashkët inteligjence në nivel evropian dhe ku bazohet hezitimi apo rezistenca ndaj këtij projekti ?
Hetimi mbi atentatet terroriste të së premtes 13 nëntor në Paris, ekspozoi dështime serioze në bashkëpunimin mes shërbimeve sekrete.
Së fundmi, kryeministri i Belgjikës Charles Michel, i ka bërë thirrje Unionit, për krijimin e një strukture të përbashkët inteligjence në nivel evropian. Një strukturë e bazuar pak a shumë në modelin amerikan të CIA-s. Nën argumentimin se, “Nëse shërbimet e inteligjencës do të funksionin pa dështime në shkëmbimet e informacioneve, nuk do të kishte asnjë atentat në botë (…)”. Në fakt, problematika shtrihet në fushën e shkëmbimit të informacionit në nivel evropian, që aktualisht funksionon në një platformë bilaterale. Kryeministri belg kërkon ngritjen e kësaj strukture në mënyrë që të bëhet e mundur mbledhja e informacioneve mbi individët e dyshimtë në sferën radikale dhe në fushën e terrorizmit. Iniciativë e përmendur së fundmi edhe nga Komisioneri Evropian i ngarkuar për çështjet e brendshme Dimitris Avramopoulos, përgjatë mbledhjes së fundit të ministrave të punëve të brendshme dhe të drejtësisë së vendeve anëtare (JAI).
Por, ka një hezitim. Hezitim, që vjen si nga Parisi por edhe nga Berlini.
Ndonëse pranohet gjerësisht vështirësia që ekziston në shkëmbimet e informacioneve dhe mungesën e harmonizimit të tyre në nivel evropian, ka një rezistencë të fortë për të mos avancuar me projektin e krijimit të kësaj strukture. Berlini është shprehur qartë duke vlerësuar se nuk duhet harxhuar energjia mbi Agjencinë Evropiane të Inteligjencës, pasi nuk mund të imagjinohet dot lëshimi i kësaj kompetence kombëtare në një nivel evropian. Ministri i Brendshëm gjerman, De Maiziere, vlerëson se duhet më shumë të përqendrohemi tek përmirësimi i shkëmbimit të informacioneve, mbi institucionet ekzistuese. Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe Ministri i Brendshëm francez, Caseneuve, i cili vlerëson në të njëjtën linjë si homologu i tij gjerman se, duhet fillimisht të funksionojë mirë shkëmbimi i informacioneve.
Në fakt, përtej Parisit dhe Berlinit, edhe politika belge që vjen me iniciativën e fundit, nuk shfaqet e unifikuar ndaj këtij projekti. Ndonëse drejtuesi i njohur liberal i parlamentit evropian, Guy Verhofstadt, është avokat i kësaj ideje prej më se një dekade, zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Didier Reynders shfaq skepticizëm në lidhje me këtë ide. Por, edhe ish shefi i inteligjencës belge Alain Winants, vlerëson gjithashtu se kjo strukturë inteligjente nuk do të shërbejë për asgjë, pasi aktualisht ekzistojnë forume, ku shërbimet përkatëse shkëmbejnë informacionet. Dhe se konteksti i krizës së Sirisë si dhe terrorizmi i ka intensifikuar këto kontakte.
Ideja për krijimin e një Agjencie Evropiane të Shërbimeve Sekrete nuk vjen rishtazi. Çdo ngjarje me karakter terrorist, që ka ndodhur në hapësirën evropiane, ka ekspozuar këtë nevojë, në frymën e ndalimit apo parandalimit të akteve të mëtejshme terroriste. Edhe pas ngjarjeve të rënda terroriste të 11 marsit 2004 në Madrid, do të ishte sërish belgu liberal Guy Verhofstadt, që do të hidhte menjëherë idenë për domosdoshmërinë e një mekanizmi të përbashkët inteligjent, që do të përfshinte në një strukturë të vetme si informacionet e sigurisë, por edhe të policisë, duke përfshirë edhe Europol-in dhe me fokus përqendrimi mbi analizimin e kërcënimeve.
Po, ku qëndron realisht problemi, që i bën të hezitojnë apo i shfaq të frenuara vendet anëtare me peshën më të konsiderueshme në Union ?
Problematika duket se përfshin dy fusha të ndjeshme:
Së pari, kemi të bëjmë me mungesën e vullnetit për të lëshuar kompetenca tërësisht kombëtare, në një nivel evropian. Edhe pse kufijtë mes shteteve janë fshirë, në fushën e sigurisë, së policisë dhe të drejtësisë ka barriera të larta kombëtare, që nuk pranojnë në asnjë mënyrë të reduktohen, apo edhe të fshihen. Lufta ndaj terrorizmit, ka një karakter thellësisht kombëtar. Pavarësisht tentativave dhe iniciativave të vazhdueshme, në nivel evropian, ato ngelen formalisht në letër apo në një platformë bukurshkrimi teorik, duke mos gjetur kurrë zbatim në arenën praktike. Shembulli më i ndjeshëm është zyra evropiane e policisë me qendër në Hagë, Europol që ndonëse e imagjinuar që prej vitit 1991, nga kancelari gjerman Helmut Kohl për të shërbyer si një FBI amerikane, roli i këtij institucioni është reduktuar në veprime dhe operacione, që lidhen kryesisht me luftën ndaj drogës apo kontrabandës, por që nuk pati asnjëherë shansin të trajtojë dhe të menaxhojë informacione me karakter të “ndjeshëm” në fushën e terrorizmit, por vetëm informacione të një niveli të dytë apo të një niveli të përgjithshëm.
Së dyti, përveç mungesës së vullnetit ka dhe një mungesë të lartë besimi mes vendeve anëtare. Besim, që në optikën e ekspertëve, lidhet me karakterin e lartë të ndjeshmërisë, që ka një kategori e caktuar informacionesh në nivelin e sigurisë. Pra, shpërndarja e këtyre informacioneve të ndjeshme, nuk gjykohet aspak si një metodë efikase, pasi në rast se këto informacione “rrjedhin”, sado e vogël të jetë kjo rrjedhje, informacioni vlerësohet se “vdes”. Që ky informacion kaq delikat, të ruhet nga 28 shërbime të ndryshme dhe strukturat e tyre përkatëse, vlerësohet si i pamundur. Megastrukturat gjithmonë kanë rezultuar me inkuarijime të mëdha të rrjedhjes së informacioneve, pasi kontrolli bëhet i pamundur. Nga ana tjetër, jo të gjithë informacionet kanë të njëjtën cilësi dhe si rrjedhojë si manipulimet, apo edhe dezinformimet, nuk mund të përjashtohen.
Gjithsesi, ideja për krijimin e një strukture të përbashkët inteligjence në nivel evropian, ndonëse konsiderohet e vlefshme, ajo has në barriera, që lidhen edhe me vullnetin e BE-së, për të avancuar në terma të përgjithshëm në unifikimin, apo integrimin e mëtejshëm të thelluar të tij. Në kontekstin aktual, BE nuk ndodhet në një situatë ideale, për të mundësuar këtë lloj projektimi, pasi një valë krizash të njëpasnjëshme, kanë shfaqur jo vetëm “tërheqje” nga projekte të përbashkëta, por edhe mosbesim të lartë deri në dyshime ekstreme, ndaj shteteve të caktuara anëtare. BE, është karakterizuar historikisht nga një avancim me përqasje të ngadaltë dhe pavarësisht kontekstit të përkeqësuar të terrorizmit, krijimi i kësaj strukture duket ende i largët.
Por, edhe nëse një ditë avancimi në projektin evropian do të krijojë hapësirë edhe për një unifikim qëndrimi ndaj krijimit të kësaj strukture, ajo sigurisht që do të projektohet në logjikën e Evropës së dy “klasave”. Projektim, që imponon përfshirjen vetëm të një bërthame vendesh të sigurta dhe serioze, në kuadrin e bashkëpunimit profesional. Një platformë pak a shumë si ajo e modelit ekzistues G6 në fushën e sigurisë, mes Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Spanjës dhe Polonisë, e orientuar kryesisht në fushën e terrorizmit, krimit të organizuar dhe imigracionit të paligjshëm./im.ta/
