Verilindorët shohin dritë me Klodian Duron, që gjen fitoren e parë duke mësuar më në fund skuadrën të marrë tre pikë edhe në transfertë, falë një autogoli që vendosi suksesin 0-1 në fushën e Flamurtarit. Kukësi ngjitet përkohësisht në vendin e katërt, ndërsa për vlonjatët nuk ka dritë në fund të tunelit. Hemorragjia vijon te Flamurtari me Nexhipin e Morinën që mungonin në formacion pas bojkotit të stërvitjes ditën e martë, ndërsa te Kukësi binte në sy mungesa e Rrahman Hallaçit që pas debatit publik me trajnerin nuk ishte përfshirë as në 18-she.
Më të qartë verilindorët në synimet e tyre me Flores që pati një mundësi të mirë para portës, por goditja me kokë shkoi jashtë duke shtyrë pritjen e Duros për golin e avantazhit. Me iniciativën në krahun e Kukësit ishte Kruz ai që tentoi nga e djathta në minutën e 27 duke gjetur replikën e Halilajt.
Ndeshja vijoi e luftuar dhe nuk munguan momentet e tensionit si në minutën e 29 që i kushtoi nga një karton të verdhë Telushit dhe Jefferson. Në minutën e 36 gol i anuluar për Kukësin, me të drejtë nga gjyqtari Sadiku me Malotën dukshëm në pozicion jashtë loje. Me Flamurtarin që pavarësisht shpirtit luftarak e kishte të pamundur të bënte ndonjë gjë të madhe përpara. Momenti i Kukësit erdhi në minutën e 42. Krosim i Mateus Limas dhe është Ivan Fustar që në përpjekjen e dëshpëruar çon topin drejt rrjetës së tij për autogolin që i jep avantazhin skuadrës së Duros që shkon në avantazh në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë Flamurtari vijoi të dhurojë grintë duke fituar pak më shumë terren, por pa ndonjë rrezik për portën e Halilajt. Shpresat e vlonjatëve për një rezultat pozitiv morën një tjetër goditje në minutën e 67 kur Gjinaj mori kartonin e dytë të verdhë duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë. Kukësi ishte shumë pranë dyfishimit në minutën e 70, por pa mundur të gjejë golin e sigurisë, duke u detyruar të vuajë deri në fund.
Në minutën e 87 ishte Entonio Pashaj që kishte avancuar deri në zonën e verilindorëve për të tentuar me kokë, ndërsa menjëherë më pas tentoi golin e ndjesës edhe Ivan Fustar, por Koci ishte gati për t’i thënë jo. Kishte vend edhe për kartonin e kuq të Jeferson në kohën shtesë dhe dyshimet për një penallti të pa akorduar për Limën në të 93’, por rezultati nuk ndryshoi me Kukësin që mori fitoren e parë sezonale jashtë shtëpisë në kampionat, e para absolute për Duron në kostumin e trajnerit, ndërsa Flamurtari me disfatën e 4 në 5 ndeshjet e fundit vazhdon pikiatën.
