Llaqi Janko, ish-Drejtori i Kooperativave Bujqësore të Republikës tregon kalvarin dhe jetën e burgut
Akuza: Llaqi Janko ka pohuar se nuk ka pse të bëjmë zbor, le të vijë Italia të na pushtojë, duke dëmtuar përgatitjen ushtarake!
I ndodhur përballë disa akuzave, në hetuesi, Llaqi Janko, përballet dhe me një akuzë të re nga ish-kolegu, atë të sabotimit të mbrojtjes së vendit. “Llaqi Janko ka pohuar se nuk ka pse të bëjmë zbor, le të
vijë Italia të na pushtojë, duke dëmtuar përgatitjen ushtarake!” -ka pohuar në ballafaqim bashkëfshatari Llukan Mone…
Zoti Janko! Çfarë pohuan ish-kolegët kundër jush në ballafaqimin e zhvilluar në hetuesi?
-Thashë më lart se në ballafaqim, për të vërtetuar akuzat kundër meje sollën kryetarin e kooperativës së Semanit, sekretarin e Partisë, e nja dy tre të tjerë… I vendosin ata përballë meje dhe u bëjnë pyetjen: “Çfarë keni për të thënë ju për Llaqin?” Ja çfarë thanë ata:
Petro(Kryetari i kooperativës): –Kur u bashkua kooperativa jonë, Llaqi dha urdhër të theren qetë e punës dhe më tha sepse tani s’është nevoja për to, pasi kemi traktorë.
Unë(Llaqi Janko): -Për sa i përket qeve të punës duhej të ishe ti këtu ku jam unë. Kur u bashkua kooperativa qetë e punës së Topojës ishin gati në të ngordhur. Ata s’përballonin asnjë punë. Therja e tyre u bë me raport të veterinerit dhe mishi u dorëzua në grumbullim. Një pendë qe e Semanit dhe transportonte me qerre 8-12 kv, kurse ata të Topojës nuk tërhiqnin dot as qerren. Kjo kishte qenë situata atëherë. Për numrin e qeve të punë kishte disa norma orientuese, në bazë të sipërfaqes së tokës. Ne e plotësonim këtë normë dhe përpiqeshim t’i ripërtërinim pendët e qeve që ata të mos i mbanim sa për të konsumuar. Pas kësaj Petro e mbylli gojën.
Todi(Sekretari i Partisë): –Llaqi s’ka pyetur për pushtetin. Fondin e ndihmës e ka ndarë si ka dashur.
Unë(Llaqi): -Këtë akuzë nuk e pranoj pa më sjellë dokumente se si është ndarë fondi i ndihmës. Të vijnë këtu të gjitha propozimet që ka bërë këshilli, duke filluar që nga ai i fshatit dhe pastaj të vihem unë para përgjegjësisë nëse nuk kam marrë parasysh ato propozime. Njerëzit janë gjallë. Megjithëse kanë kaluar 4 vjet është mundësia të verifikohen. Pa fakte nuk mund ta pranoj këtë akuzë. Todit i dogji miza në kësulë, sepse ishte ai, që kishte fituar për vete me veprime arbitrare. Mjafton që i kujtova se kishte ndërtuar tre herë shtëpinë nga këto dy herë në vend të gabuar dhe të tre herët kishte përfituar nga ato lehtësira që krijonte kooperativa në atë kohë. Si të thuash e mbylli edhe ai sqepin.
Lami(Punëtor): –Nuk kam asgjë për Llaqin. Duke e parë si është
katandisur, mendoj se çdo gjë që thuhet kundër tij, jemi ne fajtorë dhe jo ai. Në kohën që ka qenë kryetar në Seman e deri sa u transferua në Tiranë vetëm fjalë të mira thuheshin nga kooperativistët më të thjesht’. Me këtë pohim që bëri Lami sikur shtangu hetuesit, por ata ishin të vendosur.
Llukani: -Mua më ka thënë se s’ka pse të bëjmë zbor, le të vijë Italia të na pushtojë. Sajesë më të madhe nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. Kush ishte ky Llukani. Ai kishte të bënte me mua. Gjatë kohës që kishte qenë në zbor, i lodhur së tepërmi, e hedh armën poshtë. Për këtë u diskutua në organizatën bazë dhe ajo e përjashtoi nga partia. Më vjen mua në shtëpi në Tiranë. Ma tregon ngjarjen dhe kërkon ta ndihmoj të takojë ndonjë në KQ të Partisë, që ta rikthenin përsëri në parti. Unë njihja Ibrahim Sinën, që ishte Kryetar i Komisionit të Revizionimit në parti, komision që kishte kompetenca ta rikthente një vendim të organeve më të ulëta, qoftë edhe për përjashtim nga partia. Ai e priti Llukanin dhe si vajti më tej verifikimi s’di gjë, por Llukani nuk u përjashtua nga partia. Tani ky vinte dhe thoshte një gjë të tillë absurde. Nuk ua pranova fare këtë akuzë. E kuptova se kishin fabrikuar një akuzë tjetër të re kundër meje…
Cila ishte kjo akuzë?
-Ajo e “Agjitacion dhe propagandës”. Ishte e modës atëherë, që një që e akuzonin për vjedhje, e përvetësim, për t’ia rënduar fajin dhe për ta quajtur hajdutin edhe të rrezikshëm nga ana politike, pra kundër partisë, hetuesit mediokër shtonin edhe akuza “për agjitacion e propagandë”, duke i detyruar që ta pranonin këtë edhe hajdutët ordinerë. Më sjellin nga burgu edhe Vangjel Stronin. Ai kishte qenë brigadier në kohën që isha unë kryetar. Si duket e kishin përpunuar dhe u thotë hetuesve se Llaqit shtëpinë ja kanë bërë me tullat e kooperativës dhe pa lekë. Për fat, unë isha i pari që bëra shtëpi me tulla në Seman. Por e kisha bërë në vitin 1965, kur nuk isha kryetar por kryeagronom. Jo vetëm kaq, por në atë kohë Semani nuk kishte ngritur ende kamina për prodhim tullash. Kjo u bë e mundur më vonë. Unë tullat i kisha blerë në fabrikën e tullave në Fier, në Metalli. Ishte edhe një rrethanë tjetër. Tullat e fabrikës ndryshonin si dimension nga ato që prodhonte kooperativa. E hodha poshtë dhe këtë akuzë…
Çfarë argumenti përdorët?
-“Shkoni i verifikoni”, -u thashë “–dhe po qe se unë gënjej të më dënoni për këtë gënjeshtër.” Vangjeli iku me bisht në shalë. E kishin katandisur keq të shkretin se ishte futur më përpara nga unë në burg.
Nuk më thanë gjë për verifikimin e tullave, por, vonë e kam marrë vesh se Laver Hasani me dy të tjerë, shkojnë në mesnatë dhe matin tullat e murit të shtëpisë sime nga jashtë. Ata s’ma zunë në gojë më këtë sa isha në qeli, por as më thanë se kisha të drejtë. Çdo gjë gatuhej nën rrogoz dhe pa asnjë transparencë. Pas këtyre “hetimeve” nuk më thirrën më. Në Seman hapën pesë pika dhe u bënin thirrje popullit të shpreheshin se çfarë akuze keni për Llaqin? Unë këto i mora vesh më vonë, sepse m’u pre çdo kontakt. Njerëzit e familjes, që më vinin, nuk lejoheshin të bënin nga këto biseda. Por nga ana tjetër, miq e dashamirës të mi, si për shembull, ata të fisit Pasku (Gogu), Llazi Prifti, Themi Profka, Pali Profka, etj, organizuan dërgimin e letrave në KQ të Partisë në favorin tim. Ata nuk shpëtuan pa u ndëshkuar. Më vonë mësova se Pali Profkën e thirrën në DPB dhe e keqtrajtuan, duke i dëmtuar edhe organet gjenitale. Mirëpo, siç do të tregoj më poshtë, këto letra, sikur binin në vesh të shurdhër. Asnjë përkrahje s’pata nga organet eprore të partisë e të qeverisë. Pas përfundimit të hetimeve, i vinte radha gjyqit… Por nuk po ndodhte, nisën peripeci të tjera…
Cilat ishin këto peripeci?
-Dita e gjyqit shtyhej nga koha në kohë, edhe pse për mua kishte mbaruar hetimi në qeli. Po formulohej akt akuza. Në një prej atyre ditëve më thërret hetuesi dhe sa hyj në zyrën e hetuesisë më thotë:” Hë qen, e kontrolluam dokumentacionin e kooperativës për një periudhë 10 vjeçare me ekspertë nga Tirana, fierakët nuk pranuan të bëjnë ekspertizë. Nuk gjetëm asnjë shkresë të lëshuar nga ty në kundërshtim me ligjin!” I thashë se unë këtë ua kam thënë që në fillim, por ju s’donit të më besonit, sepse e keni paracaktuar që unë të dal fajtor. Pas kësaj më dorëzojnë akt-akuzën që ta firmosja dhe më thanë se së shpejti do dalësh në gjyq. Kjo ishte aty nga fillimi i tetorit. Gjyqi ishte parashikuar për në nëntor. Unë vazhdoja të mos ushqehesha. Në dy-tre ditë haja nga pak ushqim dhe isha katandisur shumë keq nga ana shëndetësore. Arrita në 40 kg peshë. Një ditë më çojnë urgjent në spital, sepse më ra të fikët. Atëherë kisha edhe një mendim: Ta shkatërroja shëndetin dhe të mos dilja fare në gjyq.
Nga ana tjetër i kishin thënë babait që të më dërgonte një copë letër ku të shkruhej: “Mos ki merak, çdo gjë është mirë”. Kjo letër të vihej në llastikun e mbathjeve për të mos u diktuar nga rojet e burgut. Babai nuk e pranoi, por motra pa i thënë gjë atij, kishte futur atë copë letër siç i kishin thënë. Unë nuk takohesha fare me familjarët. Ata vinin, e linin pakon te porta e Degës dhe largoheshin. Kur marr pakon, gjej të shqyer vendin e llastikut të mbathjeve si dhe jakën e këmishës. Si duket kishin pasur dijeni që më parë. Kjo kishte qenë me qëllim, por unë nuk e kam kuptuar se çfarë synonin me këtë. Letrën nuk e mora. Ndërkohë, isha përkeqësuar ndjeshëm nga shëndeti…
Nga se vuanit në këtë kohë?
-Në atë kohë pata edhe një infeksion në llapën e veshit dhe shërimi i tij zgjati mjaft. Nga kjo plagë kishin rrjedhur në këmishë edhe ndonjë pikë gjaku. Kur morën ndërresat e palara ata të shtëpisë u bënë shumë merak, sepse e gjetën jakën e këmishës të shqyer e me disa pika gjaku, si dhe brezin e mbathjeve të grisur. Mirëpo nga ana fizike në hetuesi dhe gjatë gjithë kohës që kam qenë në burg nuk pata asnjë keqtrajtim, qoftë edhe më të vogël. Prisja ditën e gjyqit. Sa herë që vinte polici roje më thoshte se këtë javë do bëhet gjyqi. Në fakt me këtë pritje kaloi nëntori, dhjetori dhe gjysma e janarit, pra dy muaj e gjysmë. Nuk e kuptoja atëherë këtë vonesë, sepse akt-akuza ishte hartuar, na kishin bashkuar në një dosje të 4, që ishim arrestuar nga Semani, siç kam përmendur së bashku me shefin e llogarisë dhe dy magazinierë. Ky ishte një bashkim artificial. Unë nuk kisha pranuar asgjë nga ato që ngriheshin në akt-akuzë dhe u kisha thënë se këtë do deklaroj edhe në gjyq. Kjo i digjte pak sepse ata ishin mësuar që në gjyq gjërat t’i çonin si i thoshin “të kopsitura”, pra i akuzuari detyrohej ta pranonte në hetuesi dhe këtë bënte edhe para trupit gjykues e gjyqi, në mënyrë formale mbaronte për 2-3 orë, ose e shumta brenda ditës.
Në fakt, kush ishte shkaku real i shtyrjes së gjyqit?
-Më vonë mora vesh se shkak për vonesën ishte vendi ku do të bëhej gjyqi. Donin ta bënin në një ambient të gjerë, ku të merrnin pjesë sa më shumë njerëz, sigurisht me ftesa. Mirëpo po të zhvillohej në Fier, mund të vinin shumë njerëz nga Semani. Madje kishin të dhënë se nga Semani do të vinin edhe 1000-1500 veta. Një prani kaq e madhe në Fier do të bënte përshtypje jo të mirë. Ashtu e gjykonin ata këtë punë. Prandaj përfundimisht u vendos që gjyqi të bëhej në shtëpinë e kulturës në Seman, në sallën që merrte 400 veta, por me të ftuar nga i gjithë rrethi. Po kështu do të instaloheshin altoparlantë dhe çdo gjë do të dëgjohej edhe jashtë. Si duket donin ta bënin një gjyq model, ku unë të merrja jo vetëm një dënim me burg, por edhe një dënim moral, e gjykonin ata, të diskreditohesha në opinion.
Kur ju lajmëruan për datën e gjyqit?
-Erdhi 20 janari i vitit 1981. Pra kisha kaluar në qeli plotë 7 muaj, që nga 27 qershori 1980, që më arrestuan në Tiranë dhe më sollën po atë ditë në qelinë nr. 8, të degës së punëve të brendshme në Fier. Më prunë në qeli rroba të përshtatshme për të më nxjerrë në gjyq. Ishte rregull që të pandehurin, kur e nxirrnin në gjyq e vishnin me rroba të përshtatshme, që të dukej se në qeli nuk kishte pasur trajtim të keq. Unë siç thashë, isha katandisur kockë e lëkurë. Kjo për vet faktin se refuzoja ushqimin. Jo se kisha shpallur grevë urie, por nuk e konsumoja atë dhe zakonisht e hanin bashkë vuajtësit në qeli. Kështu që pjatat ktheheshin të konsumuara dhe ata nuk e dinin nëse kisha ngrënë unë apo jo. Ashtu kisha vendosur. Të vetësakrifikohesha, por pa bërë asnjë ankesë te rojet apo drejtuesit e burgut. Për mua ankesa ishte bërë një herë e mirë gjatë gjithë kohës që hetohesha dhe para hetuesve e prokurorisë, duke mos pranuar asnjë nga akuzat që më ngrinin… “Vishu”, -më thanë, “-se nesër do dalësh para gjyqit në Seman.” Në atë çast mora vesh se gjyqi do bëhej në Seman. U gdhi 21 janari. U vesha dhe së bashku me tre të tjerët, do niseshim për në Seman. Mua më hipën në gazin e Degës, ndërsa tre të tjerët në një makinë tjetër. Të gjithë ishim të lidhur, por dua të kujtoj këtu me një lloj zinxhiri që hallkat i kishte të mëdha, si ata zinxhirë që varen në dyert e portave. Kjo më bëri shumë përshtypje se zinxhiri dukej ashiqare që nga larg dhe ishte shumë i rëndë. Në atë gjendje që isha unë ku do shkoja edhe sikur fare pa zinxhirë të më linin! Megjithatë mania për të treguar forcën, demek që ne të hedhim prangat dhe të çojmë të të gjykojmë para popullit, ishte motiv për këtë paraqitje.
Si u ndjetë kur shkuat në fshatin e lindjes me pranga në duar?
-Udhëtojmë drejt Semanit. Para shtëpisë së kulturës ishin grumbulluar shumë njerëz. Unë kisha kohë që s’kisha takuar asnjë njeri, veç atyre që më sillnin për ballafaqim. Deri atëherë asnjë pjesëtar të familjes nuk kisha takuar. Ata sa vinin te porta dhe kaq, pa më parë, pa më takuar. Na zbresin nga makina dhe, të shoqëruar nga policë, na futën në sallë. Po kështu salla ishte mbushur plot, por jo kush donte, por kush kishte ftesë. Ftesat ishin bërë nga i gjithë rrethi.(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e Llaqi Jankos, ish-titullar i Kooperativave Bujqësore të Shqipërisë: Cilat ishin akuzat e prokurorisë kundër meje si ‘Armik i popullit’ dhe kundërshtimi i provave nga ana ime.
-Dënimi i Jankos me 15 vjet heqje lirie dhe si i mohuan të drejtën ligjore për rekurs të vendimit të shkallës së parë të gjykimit.
-Jeta e re në qeli me statusin e të dënuarit për Llaqi Jankon dhe tre bashkëpunëtorët e tij të dënuar për të njëjtat akuza.

Respekte “DITA”,dhe sidomos A.THANOS!
Kisha nje kerkese.Ja jepni dhe shokut Arben Duka kto artikujt ti lexoje.
Jo,po dhe i vjen ndonje frymezim i ri ,per kohen e *armiqeve te popullit*.
Te na ndricoje me poezine e Fanarrrrrrrrrrrit verbues!
O Kujtimo…!
Mos e harro, deri ne fund te intervistes duhet te nxirni me se s’ben qe
kryetari i kooperatives e hengri pse i beri pritje shume te mire Ismail Kadarese, kur ai shkoi atje me makinen e sekretarit te pare, edhe pse dihej qe ishte armiku i Partise,
por duke qene i mbrojtur nga shoku Enver Hoxha…!
Beji ndonje pyetje Llaqit e ai te thote fjalet e shkruara tek “Pesha e Kryqit”!
Aman te keqen!
Mire ata te Nobelit dhe Kokalari i Gjirokastres, por edhe ju te Libofshes e kini zili?!
Dënimi i Llaqi Jankut ishte krejtësisht i pa argumentuar . Ai ishte specjalist i shkëlqyer . shkëlqeu më shumë si kryetar dhe e çuan drejtor qendror . Vetëm ai shtet mund të marri përsipër një veprim kaq arrogant . Dënon një njeri që sakrifikon , për popullin , për të cilin ai lloj shteti kishte përgjegjësinë ta ushqente . Nuk mund të ishe i sigurtë vetëm me punë , Duhej të të kishin në sy të mirë sekretari i pare , por dhe kjo nuk mjaftonte , duhet të të kishte në sy të mirë edhe kryetari i degës , me rrjetin e spiuunve , që monitoronin sejcilin Specjalist , Kryetar dhe Drejtor . Si Llaqi janë dënuar Sabri Cevani dhe Tajar Bonjaku . Njerëz punëtor dhe të shquar si kuadro , u degdisën nëpër burgje . Të shumtë janë specjalistët dhe kuadrot e bujqësisë , që u dënuan pa shkak , por rrasti i Llaqi Jankos , është pa preçedent . Në kohën kur ai pritej të shpallej hero , burgoset . Pas kuadrove , që janë pushkatuar , rrasti i LLaqit është më i rëndi . Llaqin e kam njohur shumë pak , përpara dhe më shumë e kam njohur pas burgut . Punën e tij e njifja dhe rrastin e burgut e dëgjova dhe e kam përjetuar me shumë dhimbje . Sejcili specjalist bujqësije ishte i rrezikuar , por mjer ai të cilit i ndothte .Llaqi e përballoi me dinjitet katastrofën , që ja imponuan , duke mbetur një shëmbull frymëzimi për brezat . Propozoj të dekorohet me urdhrin më të lartë të qëndresës, që nuk e di si mund të klasifikohet . I. Foto
Llaqin nuk e njoh fare, pot mendoj se te gjith ato deshmitare dhe hetuesa sot do jen me PD si te persekutuar nga Llaqi.
Llaqi edhe pse u dënua nga sistemi komunist , u dënua për shperdorime vjedhje dhe sabotim që i di i gjithe Semani dhe ministria e bujqesise. Akuza për politikë nuk kishte aspak ne procesin kunder tij!
O popull majmun qe ka zakon, sa te degjoje nje perralle e beson menjehere!!! Asnjehere nje i akuzuar qofte dhe i pafajshem ne nje proces nuk eshte i besueshem pasi eshte subjektiv ne mendimin e tij se flet per interesat dhe fatin e tij personal. Sidomos kur eshte shqiptar, qe ne kulturen shqiptare mohimi i te vertetes dhe mashtrimi eshte genetike!!! Keshtu I majmuner mesoni njehere ligjin me elementar te botes, qe e verteta eshte jashte personit kushdo qofte ai dhe jo brenda atij, se jane mbushur gazetat e sotme me perralla personale kur te gjithe na dalin sot si viktima te nderuara sic del Zani Caushi qe e mban veten hero i vlores dhe viktime e Sali Berishes! Por me shume se mendja injorante e ketij populli mjeran, mjerim prodhojne gazetat shqiptare, qe ne vend qe te hapin dosjet dhe ti ballafaqojne pseudoviktimat me faktet e mbledhura ne ate kohe bejne nje interviste mjerane per te treguar se sistemi dikur ka denuar te pafajshem. Cdo sistem ka te denuar te pafajshem, por nuk mund te hudhet vrere mbi tere sistemin! Por koha e mesjetes se sali Berishes ka bere qe ky popull majmun ti japesh vetem banane dhe eshte i lumtur!!!
Absolutisht e vertete! Në kohën e Romës së lashte , perandoria i jepte popullit nje copë bukë dhe e argetonte atë me shfaqjet e gladiatorëve për të larguar vemendjen e tyre nga protestat antiperandorake. Kjo u quajt “Panem et circenes” Bukë dhe cirk ! Sa e krahasueshme është kjo me ditet e sotme që ky popull është i lumtur kur Sali Shpellari i jep bananen si majmunëve!
E verteta,sa pseudonim te madh qe keni zgjedhur.
Saliu eshte thjesht nje derivant i asaj qe i edukuan.Eshte nxenes i dalluar i shkolles enver.Bananen po e hani se keni lindur majmune,skllever keni qene dhe ashtu do vdisni.
Nuk ngrihemi ne proteste sepse Ijsi eshte enverist,une jam kulak,ti je hibrid,do pak imerin por nuk ke kuraje ta pranosh,ai tjetri eshte LGBT,pra as ata nuk i duam,tjetri eshte disident,tetraplegjik,administrate.Zt Llaqi eshte viktime e sistemit qe i sherbeu,por i pelqen te hiqet si i persekutuar politik.Shoqja Naunka qe ky permend,shkruan ende anonime.Eshte me klasen Dritan Prifti.Pra kur te kemi hapur kufijte mendor,kur te dalim na bunkeri,kur shoku ARBEN DUKA mos te ngreri me himne mbi kriminelet e presidiumit te kuvendit te lavireve…ndoshta,ndoshta do fillojne revoltat.Ndryshimi fillon nga vetja,derisa te vije ky ndryshim te na rroje Saliu,kemi ate qe meritojme.Tani klasa ime eshte ne krah te Neronit,sepse ju me ngjallni krupen pra tu rroj imeri dhe bunkeri.Te fala partis dhe nexhmis.
Bravo Veronika je shumë e squt