Ministria e Financave ka mbështetur dhe ka bashkëpunuar në të gjitha fazat nismën për krijimin e Portalit të të Dhënave Financiare të Bashkive të Shqipërisë.
Nga një bashkëpunim i ngushtë mes Ministrisë së Financave, Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Institutit për Zhvillimin e Habitatit Co-Plan dhe mbështetjes nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur për Shqipërinë, është bërë i mundur krijimi dhe prezantimi i këtij portali.
Në këtë prezantim të zhvilluar në një nga mjediset e Hotel Tirana International, Co-Plan ka shpjeguar se kjo platformë online për financat vendore është një platformë informacioni për performancën fiskale dhe financiare të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri.
Platforma mundëson, jo vetëm ndarjen e të dhënave financiare dhe fiskale të njësive të qeverisjes vendore për vitet 2008-2014, por edhe analiza krahasimore të tyre, duke ofruar në këtë mënyrë një instrument të fuqishëm për monitorimin e këtyre njësive, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e vendimmarrjes së informuar.
Në këtë prezantim, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave, znj. Gelardina Prodani tha, mes të tjerash se “Viti 2016 shënon një moment historik të decentralizimit dhe të autonomisë së pushtetit vendor, në zbatim të reformës administrativo–territoriale. Objektivat kryesore të kësaj reforme lidhen me fuqizimin e qeverisjes vendore dhe të procesit të decentralizimit, rritjen e efikasitetit të vetë qeverisjes vendore, rritjen e autonomisë financiare dhe funksionale”.
Duke folur për buxhetin e vitit 2016, znj. Prodani tha se ky buxhet garanton një ndarje më të drejtë dhe transparente të financave për njësitë e qeverisjes vendore dhe siguron kalimin efektiv dhe eficient të kompetencave dhe përgjegjësive të reja për funksionet të cilat u transferohen bashkive, duke forcuar rolin e bashkive në zhvillimin e qëndrueshëm vendor.
“Në buxhetin e vitit 2016, është hartuar një formule e re e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar. Formula dhe skema e re e financimit synon rritjen e parashikueshmërisë së fondeve nga njësitë e qeverisjes vendore, objektivitetin dhe rritjen e transparencës në ndarjen e fondeve për pushtetit vendor”, tha znj. Prodani
Duke folur për portalin e financave vendore, Sekretare e Përgjithshme e MF nënizoi se “portali i prezantuar mundëson në radhë të parë një mënyrë sistematike të grupimit dhe analizimit të të dhënave historike të financave vendore, e cila do të shërbejë edhe si një ‘benchmark’ për të parë dhe vlerësuar impaktin e reformës administrative territoriale në mirëqeverisjen vendore dhe përmirësimin e situatës financiare”.
Në takim u nënvizua se portali u krijon akses të gjithë përdoruesve, të çfarëdolloj grupi apo interesi, në bazën e të dhënave financiare të njësive vendore duke u mbështetur në parimin se “Qeverisja e Hapur” është “Qeverisje e Përgjegjshme” dhe së treti, nëpërmjet raporteve krahasimore çdo përdorues ka mundësinë të shikojë, vlerësojë, komentojë ecurinë e njësive vendore nga pikëpamja e grumbullimit të të ardhurave, përdorimit të fondeve publike, performancës në vite.
Ministria e Financave garanton se nëpërmjet këtij portali (http://www.financatvendore.al/), informacioni përkatës bëhet jo vetëm publik, por edhe i asimilueshëm prej një masë të gjerë përdoruesish, duke shmangur në këtë mënyrë keqinterpretimet e shifrave apo fakteve.
Investimi që Ministria e Financave po ndërmerr në drejtim të rritjes së transparencës me publikun dhe komunikimin me qytetarin për çdo lekë të mbledhur dhe të shpenzuar, është pjesë e strategjisë për menaxhimin e financave publike dhe rritjes se transparencës së këtyre treguesve, duke garantuar gjenerimin periodik të informacionit. /Dita/
