Nuk reformohet Drejtësia pa i bërë Gjyqin

redaktor

Letër e nënshkruar,

Skënder S.KAPITI

 

Përderisa politika në Shqipëri ka bërë korrupsionin dhe manipulimin me të; manipulimin me demokracinë, liritë e të drejtat qytetare; me patriotizmin; përderisa ka bërë vjedhjen dhe trafikimin e votës, pra krimin elektoral; ka përzgjedhur kandidatë me rekorde kriminale; vetëm këto do të ishin të mjaftueshme për cilësorin kriminal të politikës. Ndërsa, me tradhti politike kuptohet politika që gënjen e mashtron sa për të marrë pushtet; tradhti e politikës është vjedhja dhe abuzimi me pushtetin. Tradhtia politike ka si bashkëudhëtarë të pandarë krimin dhe korrupsionin. Ky trekëndësh e ka prishur drejtësinë, shoqërinë dhe Shtetin. Prandaj institucionet ndërkombëtare këmbëngulin për dekriminalizimin e politikës dhe për reformimin e drejtësisë, sepse është drejtësia e korruptuar prej korrupsionit të së cilës vjen dhe kriminalizimi i politikës së pandëshkuar nga ligji dhe drejtësia. Mund të bëhet ligji, po është drejtësia ajo që kontrollon dhe ndëshkon moszbatimin e ligjeve, dhe prandaj më e rëndësishme është Reforma në Drejtësi si kryereforma. Sepse korrupsioni në Drejtësi përbën kërcënimin më të madh dhe për sovranitetin kombëtar, dhe politika që është vetë në krye të korrupsionit, nuk mund të përjashtojë veten as nga krimi dhe as nga tradhtia. Që nuk dekriminalizohet politika dhe sidomos që nuk mund të luftohet korrupsioni nga kjo drejtësi dhe me këta gjyqtarë e prokurorë e tha deklarata tronditëse e kreut të misionit EURALIUS i cili kërkoi shkarkimin në bllok të 400 gjyqtarëve dhe të 400 prokurorëve.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *