A ka ardhur koha të shtrenjtojmë biletën e hyrjes në Teatër?

redaktor

Edhe teatërbërësit e jetojnë çdo ditë epokën e konsumit duke qenë dëshmitar fjalëpak të saj. Ajo që sociologët quajnë “Shoqëria e konsumit” është mjaft sfiduese. Shpesh kritikohet për egoizmin dhe pasivitetin që përhap në shoqëri. Ajo blen shtrenjt mallra me lustra që shkëlqejnë dhe do të paguaj pak kur “konsumon “ art dhe teatër. Ajo vret orë të tëra nëpër kafene të mërzitshme e klabe shurdhuese dhe hera-herës s’ka durim të shohë një shfaqje në teatër 2 orë e 15 minuta. Ajo konsumon në mënyrë kompulsive yndyrna e sheqerna të dëmshëm për shëndetin ndërsa jo rrallë e sheh lehtësisht të zëvendësueshme kënaqësinë që merr nga një shfaqje në teatër. Sfiduese apo jo?

Kur Jerzy Grotowski tha se “ kemi arritur në përfundimin që duhet të shtrenjtojmë biletën e hyrjes në Teatër” arsyeja ishte e fuqishme dhe shumë domethënëse.

“ Ata që do të vinë në teatër duhet të jenë të ndërgjegjshëm se po pushojnë në një vend special, ku është e mundur të lënë pas krahëve jetën e përditshme dhe ku mund të jenë plotësisht vetvetja” ( “Towards a Poor Theatre”,J.Grotowski 1965)

Kohë pas kohe ne ngremë të njëjtat pyetje. Edhe sot e ndjejmë këtë nevojë. A ka ardhur koha të shtrenjtojmë edhe ne biletën e hyrjes në teatër?

Ndodhemi në një kohë që arti dhe teatri mbijetojnë më shumë nga pasioni dhe dashuria e pakushtëzuar e njerëzve që dinë ta bëjnë atë më mirë se sa nga pagesat dhe fondet minimale. Drejtues institucionesh kulturore që përballen me sfida financiare duke sakrifikuar pashmangshmërisht dhe nivelet artistike të produksioneve teatrore. Sfidë e rëndësishme është që teatri në Shqipëri duhet të gjeneroj ide dhe mekanizma të mirëstudiuara për të nxjerrë të ardhura të reja si “fonde ekstra” për t’i përdoruar më pas me transparencë dhe mjeshtëri në funksion të nivelit artistik dhe estetik të produksioneve të tij.

Teatri duhet të thithë sa më shumë publik. Të shndërrohet në një alternativë të parë për publikun. Duhet të provokojë, të tërheqë vëmendje, të bëhet kryefjalë, të diskutohet për të, të flitet për problemet e tij për shfaqjet, për artistët dhe për rëndësinë e madhe që teatri ka për shoqërinë në çdo kohë. Teatërbërësit s’duhet të harrojnë që skenat, sallat, vendet ku bëhet teatër janë të shenjta sepse teatri është mision.

Francezi i madh, fituesi i çmimit Nobel, filozofi dhe autori Albert Kamy edhe pse në karrierën e tij punoi vetëm disa vite në Teatër ,teatri la shenjë të çmueshme tek ai. Në esenë e tij të famshme dhe të vetmen për teatrin “ Why I work in Theatre?” “ Pse unë punoj në teatër?” ai shprehet :

“ Për mua teatri është vendi i të vërtetës. Të them të drejtën njerëzit zakonisht e quajnë“ vendin e iluzionit”. Mos i besoni kësaj! Është shoqëria mbi të gjitha ajo që jeton mes iluzioneve. Me siguri që ju do të gjeni më shumë “aktorë të këqinj” në qytet se sa në skenat e teatrit.” ( A.Kamy ,1960)

Në një vend të shenjtë, pa ikona, në qetësi, çdo mbrëmje aktorë, regjisorë, skenografë, kostumografë,muzikantë,punëtorë skene derdhin mjeshtërinë e tyre për të krijuar artin e gjallë të teatrit. Arti i tyre është magjik dhe i brishtë si shpirti njerëzor dhe ju si publik jeni dëshmitarë të vetëm të tij.

Padyshim që është e pamundur të paguajmë çmimin që meriton vlera e vërtetë e një shfaqje teatri, por si publik ne mund dhe duhet të bëjmë më të mirën tonë. Të ndërgjegjësohemi që nuk është më e udhës ta paguajmë sa një paketë cigaresh biletën për të hyrë në teatër..Ta ndjejmë nevojë të brendshme se teatri i bën mirë shpirtit dhe shëndetit tonë emocional. Teatri ofron mundësi sepse emancipon, prandaj publiku s’duhet t’i ndahet për asnjë arsye teatrit dhe të mësojë ta vlerësojë më shumë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *