Avokati i Popullit ka dorëzuar në Komisionin e Ligjeve Raportin vjetor për vitin 2012. Një prezantim përmbledhës i është bërë dhe shtatë raporteve të veçanta të përgatitura nga institucioni i Avokatit të Popullit gjatë vitit 2012, të cilat synojnë të sjellin në vëmendje të Kuvendit dhe Ekzekutivit probleme dhe tematika emergjente që janë gjykuar prej institucionit se kanë nevojë për t’u adresuar më mirë prej organeve shtetërore, nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor ose përmirësimit të punës së organeve përgjegjëse për trajtimin dhe zgjidhjen e tyre. Ndër të tjera në raport theksohet se gjatë vitit 2012, institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar raste të shkeljeve të së drejtës për barazi përpara ligjit dhe ndalimin e diskriminimit, shkelje të së drejtës për informim, shkelje të të drejtave të njeriut nga policia, mosrespektim të të drejtave të të burgosurve, zvarritje të procedurave gjyqësore e administrative, shkelje të së drejtës së pronës, të drejtave që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës, mosplotësim të nevojave të shtetasve për strehim, probleme me përfitimin nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe ndihmës ekonomike, probleme në ushtrimin e lirë dhe efektiv të së drejtës për arsimim dhe kujdes shëndetësor, etj.
Kundër diskriminimit
Avokati i Popullit, gjatë vitit 2012, ka shqyrtuar me vëmendje të veçantë ankesat e ardhura nga individë të komuniteteve vulnerabël, të cilët janë edhe më të rrezikuarit nga shfaqjet e fenomenit të diskriminimit. Ndonëse këta qytetarë ankohen për shkeljen e një të drejte të caktuar, në thelb rastet përkatëse mbartin elementë të diskriminimit dhe shkeljes së barazisë, të cilat kanë shërbyer si shkak në shkeljen e të drejtave të tjera.
Për këtë komunitet, Avokati i Popullit i është drejtuar edhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përfshirjen në kurrikula dhe programe mësimore të njohurive dhe informacioneve për komunitetin LGBT, me qëllim arsimimin në një mjedis të sigurt pa dhunë, përjashtime sociale apo trajtim çnjerëzor. Avokati i Popullit ka kërkuar trajnimin e stafit akademik për moslejimin e çdo forme diskriminimi duke siguruar mbrojtje dhe disiplinë në institucionet arsimore. Po kështu, në vijim të Rekomandimit 11 të Komisionit Europian, si dhe mbi bazën e propozimeve të ardhura nga komuniteti LGBT, Avokati i Popullit ndërmori një studim krahasues të legjislacionit penal në lidhje me mbrojtjen që i garantohet anëtarëve të këtij komuniteti.
E drejta për informim
E drejta për informim, mbetet një nga të drejtat themelore, ushtrimi efektiv i së cilës, shërben si indikator i suksesit të një qeverisjeje të mirë. Çështjet e shqyrtuara gjatë vitit 2012 nga institucionit i Avokatit të Popullit në lidhje me këtë të drejtë, kanë nxjerrë në pah se legjislacioni mbi të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare nga administrata publike qëndrore dhe vendore nuk zbatohet, duke shmangur kështu përgjegjësinë e saj për dhënien e dokumentacionit të kërkuar. Për më tepër ky legjislacion nuk njihet në mënyrë të plotë nga kjo e fundit, gjë që sjell vështirësi dhe pengesa në funksionimin normal dhe transparent të administratës publike, si dhe në marrëdhëniet e kësaj të fundit me publikun. Shpesh herë arsyet e mos realizimit të së drejtës për informim kanë të bëjnë me mangësi në kapacitetet infrastrukturore të institucioneve, me dobësi të kapaciteteve administrative shfaqur sidomos në komuna të vendit, dhe me tendenca autokratike të funksionarëve të administratës.
Pensionet e ish-ushtarakëve
Një tjetër problematikë e paraqitur në institucion, me një numër jo të vogël ankesash, ka qenë e lidhur me rillogaritjen e gabuar të pensioneve të ish-ushtarakëve. Është fakt se me vendime gjyqësore të formës së prerë, disa ish-ushtarakë kanë fituar të drejtën për të marrë pensionin suplementar. Këta ushtarakë kanë depozituar ankesa në institucionin e Avokatit të Popullit duke pretenduar se nga ana e sigurimeve shoqërore po bëhet rillogaritja e pensionit, me efekte negative në kundërshtim me kërkesat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë shkak Avokati i Popullit në Janar 2012 i rekomandoi Ministrit të Financave rregullimin ligjor me qëllim që neni 29, i ligjit të mësipërm të zbatohet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Rekomandimi i Avokatit të Popullit ende nuk ka marrë një përgjigje, e për rrjedhojë problemi mbetet ende pa një zgjidhje ligjore përfundimtare.
Ish-të përndjekurit politikë
Viti 2012 ka qënë më dinamik në kuadër të kërkesave që ish të dënuarit politikë kanë parashtruar për zgjidhje për realizimin e të drejtave të tyre. Problematikat e parashtruara në këto ankesa, apo kërkesa, kanë të bëjnë me pretendimet për: mospërfitimin në mënyrë të padrejtë të dëmshpërblimit në kushtet e cilësuara nga Ligji Nr.9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar; mosgjetjen e eshtrave të të afërmve, ish të dënuar politikë, të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit; mospërfitimin e kësteve të dëmshpërblimit që përfitojnë si ish të dënuar politikë; caktimin jo korrekt të masës së dëmshpërblimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë; zvarritjen e procedurave për caktimin e masës së dëmshpërblimit; mosgjetjen e mundësive reale të futjes në përdorim të letrave me vlerë, të përfituara si ish i dënuar politik; mundësimin e marrjes së shumës totale të dëmshpërblimit në mënyrë të menjëhershme dhe jo sipas radhës së kësteve të përcaktuara; zvarritjen e procesit të dëmshpërblimit për grupimin e të internuarve, sipas parashikimeve të ligjit; e trajtimin me ndihmë sociale nga shteti për këtë kategori.
Sigurimet shoqërore
Gjatë vitit 2012, pranë institucionit të Avokatit të Popullit janë depozituar dhe konstatuar një sërë rastesh të shkeljes të së drejtave të qytetarëve, për përfitime të ndryshme nga skema e sigurimeve shoqërore. Një ndër problematikat e trajtuara nga institucioni ynë, ka qenë ajo e një numri ankesash të shtetasve, të cilëve u është ulur masa e pensioneve, apo të të tjerëve që nuk e kanë përfituar atë. Kështu, me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 “ Për sigurimin shoqëror suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, sipas pikës 2 të nenit 29 të këtij ligji është bërë rillogaritja e masës së pensioneve për këto kategori qytetarësh dhe kjo masë jo vetëm është ulur në mënyrë drastike, por këta persona janë shpallur edhe debitorë ndaj Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.
Problemi i pronave
Nisur nga një vlerësim objektiv i situatës faktike, Avokati i Popullit mendon se kthimi i pronës tek pronari i ligjshëm i saj dhe krijimi i të gjithë kushteve që ai të bëjë gëzimin e plotë të saj, ka qenë dhe mbetet një detyrim moral dhe ligjor i shoqërisë dhe shtetit shqiptar. Zgjidhja e ndërmarrë do të duhej të ishte më e plotë, duke konsideruar krijimin e kushteve për respektimin dhe mbrojtjen edhe të të drejtave të qytetarëve të tjerë, siç është e drejta e strehimit. Vendimarrje të tilla të rëndësishme, siç ishte Akti Normativ i Këshillit të Ministrave me nr. 3, datë 1.08.2012, “Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, duhet në çdo rast të paraprihen nga studime të thelluara dhe korrekte, që kanë në thelb të tyre shqetësimin e respektimit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të qytetarëve.
Për Integrimin Europian
Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se reformat, që ndërmerren nga institucionet e shtetit shqiptar, duhet të jenë të përqasura me standardet më të mira ndërkombëtare, duke garantuar në këtë mënyrë zbatimin e parimeve demokratike të shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut. Zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët nga institucionet qendrore, organet e qeverisjes vendore, si dhe respektimi i parimeve themelore të një shteti demokratik, ndikojnë drejpërdrejt në zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe përmbushjen e interesave të tyre. Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se si garanci për këtë shërben qeverisja e mirë, e drejtë, asnjëanëse dhe e orientuar drejt filozofisë së zbatimit të ligjit për të mundësuar mirë funksionimin e shoqërisë dhe përparimin e saj në rrugën e zhvillimit.

Vetem ne nje shtet demokratik qe nuk jetojme, nuk jane respektuar asnje liri apo e drejte e qytetareve, e medias, por eshte zbatuar vetem dhuna dhe presioni per te ruajtur autoritetin e nje familje pushtetaresh dhe per tu pasuruar ne kurriz te njerezve.
Po ktu asnje s mendon per njeri tjetrin.Dhe per mireqenien e perbashket ekonomike.