Altin Goci ishte këngëtari i parë që pa Flori Mumajesin të gjakosur në shkallët e Pallatit të Kongreseve. Në një prononcim për “Panorama Online” ai tregon detajet e kësaj ngjarje të shëmtuar. ‘’Ngjarja ka ndodhur teksa Aurela Gaçe ishte ngjitur në skenë dhe po këndonte këngën fituese. Ne, ndryshe nga herët e tjera që ku këndon fituesi të gjithë këngëtarët dalin në skenë, na i ishte thënë që kjo gjë nuk do ndodhte këtë herë. Ndërkohë që Aurela po këndonte unë po largohesha nga Pallati i Kongreseve dhe po dilja nga dera nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kur unë dal te dera gjej Florin të mbuluar në gjak dhe Stine që po largohej. Pra ngjarja ka ndodhur maksimumi 30 sekonda para se unë të dilja,’’ tregon ai, ndërsa shton se është tmerruar kur ka parë kolegun e tij në atë gjendje.
Flori ishte i tëri i gjakosur. ‘’Unë u llahtarisa nga ajo skenë që pashë. Lajmërova menjëherë ‘security’, kur ata erdhën, u mblodhen edhe kengetarët e tjerë. Pashë që Flori ishte i vetëdijshëm, nuk i kishte humbur ndjenjat dhe menjëherë është dërguar në spital. Ajo zonë aty është në errësirë të plotë. Nëse aty do të kishte ndriçim dhe security kjo ngjarje mbase nuk kishte për të ndodhur,’’ tha më tej Goci. Lidhur me shkakun e ngjarjes këngëtari thotë se nuk e di pse Stine dhe Flori janë konfkliktuar kaq keq mes njëri-tjetrit. Por ndonëse jo e konfirmuar zyrtarisht në media u përfol se shkak ishte numri i vogël i pikëve që Flori i ka dhënë Stines. Megjithatë mund të ketë edhe diçka më shumë se kaq….
