Kur debati kuvendor për buxhetin e vitit 2016 ishte pjesë e fundjavës që lamë pas dhe që u votua me 84 vota, qeveria ka parashikuar po kështu dhe buxhetin afatmesëm 2016-2018.
Zërat e këtij buxheti janë kryesisht në idenë e konsolidimit fiskal, pra që do të ruhen të njëjtat politika fiskale dhe investime “me dorë të shtrënguar” sipas sektorëve prioritarë. Sipas projektit politika fiskale për periudhën afatmesme 2016 – 2018 do të jetë e orientuar drejt konsolidimit fiskal ndërkohë që siguron një nivel optimal investimesh mbi 5 për qind të PBB (përfshirë këtu edhe Fondin e Zhvillimit Rajonal si dhe investimet në sektorin e energjisë të financuara nga buxheti i shtetit).
“Konsolidimi fiskal dhe reduktimi i borxhit publik është thelbësor për uljen e risqeve të ardhura nga borxhi, të cilat pengojnë rritjen ekonomike dhe shkaktojnë paqëndrueshmëri makroekonomike”, thuhet në projekt. Ky kuadër fiskal synon një deficit fiskal prej 2.8 për qind të PBB-së për 2016, nga 4 për qind i programuar për vitin 2015, një nivel prej 2 për qind të PBB në 2017 dhe 1.2 për qind e PBB në vitin 2018.
Kjo ulje e deficitit do të bëjë të mundur që niveli i borxhit publik ndaj PBB-së të fillojë të ulet në vitin 2016, për herë të parë që nga viti 2010, duke vijuar uljen graduale edhe në vitet në vijim. Borxhi publik pritet që të bjerë në nivelin e 71.3 për qind e PBB-së për 2016, 69.2 për qind në 2017 dhe në tej në 65.8 për qind në vitin 2018.
Në të njëjtën kohë, ky kuadër fiskal përfshin një sërë politikash buxhetore për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të kompensuar efektet shtrënguese të konsolidimit fiskal. Investimet publike në periudhën afatshkurtër dhe afatmesëm parashikohen të mbahen në të paktën 5 për qind të PBB-së, e cila është e rëndësishme për të ushqyer kërkesën agregate në afat të shkurtër dhe për ta zhvendosur rritjen ekonomike në një nivel të më të lartë në afat të mesëm dhe të gjatë.
Si parashikohet rritja ekonomike në këto dy vite?
Rritja reale ekonomike parashikohet që të përshpejtohet gradualisht nga 2.1 për qind që ishte në vitin 2014 në rreth 4.3 për qind në vitin 2018. Rritja ekonomike pritet të mbështetet nga një nivel më i lartë i kërkesës së brendshme, ndërkohë që kërkesa e jashtme neto pritet të ketë një efekt ngadalësues duke faktorizuar edhe efektin e pritshëm të rritjes së importeve si rrjedhojë e projekteve të mëdha energjetike që priten të realizohen gjatë viteve në vijim.
Niveli i inflacionit që parashikohet për këtë periudhë është 2.5 për qind për 2016, 2.9 për qind për vitin 2017 dhe 3 për qind vitin 2018. “Bazuar mbi parashikimet e treguesve kryesorë makroekonomik, masave fiskale të ndërmarra, efekteve të pritshme të përmirësimit administrativ, si dhe të faktorëve të tjerë përcaktues në ecurinë e zërave të ndryshëm të të ardhurave të buxhetit të shtetit, të ardhurat totale të buxhetit për tre vitet në vijim (2016 -2018) parashikohet të rriten mesatarisht me rreth 6.7 për qind në çdo vit”, thuhet në projekt.
Burimet totale të qeverisë për t’u shpenzuar gjatë viteve 2016 – 2018 pritet të jenë mesatarisht në rreth 484 miliard lekë në çdo vit ose mesatarisht rreth 29.7 për qind e PBB. Investimet publike janë parashikuar të mbahen në një nivel mesatarisht prej rreth 5 për qind të PBB në çdo vit. Këto konsiderohen nivele optimale për mbështetjen e një rritje ekonomike të lartë e të qëndrueshme.
