Gjenerali i gjuhëve

redaktor

Vijon nga numri i kaluar

 

Për ta plotësuar këtë mendim të Konicës dua të shtoj se prof. Eqerem Çabej ka shkruar se: “Shkrimet shqipe para Gjon Buzukut kanë ekzistuar qoftë edhe në formë librash” Një mik i Çabejt, dijetari italo-arbëresh Nilo Borxhia i ka kumtuar Çabejt se ai kishte gjetur në 1943 në arkivat e Vatikanit një dëshmi të shkrimit shqip më të vjetër se Buzuku. Çabej shënon me pikëllim se për fat të keq vdekja e papritur e dijetarit bëri që ai të marrë në varr dhe të fshehtën e bujshme të këtij zbulimi të madh.

Hulumtimi i arkivave italiane, franceze, etj., sidomos i arkivave të Vatikanit janë atuja më e madhe për kërkuesit e apasionuar ndaj origjinës të shkrimit. Natyrisht e ardhmja do të na rezervojë të papritura shkencore që historinë kulturore të popullit tonë do ta pasurojnë me elementë fondamentalë, çka do të afirmojë akoma më shumë me dinjitet kulturën dhe qytetërimin shqiptar në botë.

 

GJENERAL NË FUSHËBETEJAT E GJUHËVE

Nuk duhet tronditur nga përcaktimi i mësipërm, i ngjashëm me një metaforë surrealiste.

Faik Konica është i pari dhe ndoshta deri tani i vetmi, që duhet ta përjetojë këtë metaforë diellandritëse, po jo thjesht si një honoris causa.

Më lejoni të shpjegohem, ndonëse mjaft shkurt, me një skicë modeste për të argumentuar këtë të vërtetë të pazakontë e të çuditëshme, madhështore e plotësisht të meritueshme për Konicën.

Së pari, nuk duhet harruar, se Konica është mbiquajtur si princ i gjuhës shqipe.

Që në 1902 Konica i shkruan Teodor Ipenit në mënyrë strategjike për gjuhën letrare shqipe; “ndërmarrja jonë tashmë ka një qëllim të kufizuar: të frymëzojë shumicën e shqiptarëve me dëshirën, që të anojnë nga unifikimi i gjuhës së tyre, duke i shkrirë në mënyrë racionale ndryshimet dialektore të Shqipërisë. Ne gjithashtu ja kemi arritur t’i japim gjuhës një shtrirje të gjërë dhe fjalorit një pasuri të madhe.”

Pra, Konica bën i pari përpjekjen teorike të gjuhës së njësuar që kemi sot dhe mbas 90 vjetësh teorizimet paradoksale për t’u kthyer në policentrizmin dialektor janë krejt të zhvleftësuara në kohë e në hapësirë, si një ftesë e mbrapshtë, jo për shekullin XXI, po për shekujt e Mesjetës. Konica është ideator e inxhinier i madh i gjuhës letrare.

Këtë gjuhë normative ai e kupton si gramatikë normative e në vetvete e quan me largpamësi e mençuri si një qëllim të kufizuar. Pse? Se gjuha taksative, domethënë e njësuar, është njëlloj kushtetute, por krijimtaria me anë të saj është e pafundme, parimisht e pakufizuar, pra gjuha si mundësi është jo më pak dhe gjithashtu jo gjithçka, se gjuha si realitet estetik e letrar. Teza e Humboldit se gjuha nuk është aq ergon se sa energjia në këtë rast ka kuptim të pakundërshtueshëm.

Pra gjuha si substancë e gjallë është universi i krijimit, ku krijuesi identifikohet plotësisht. Për Konicën, për dy dimensionet e përcaktuara nga Ferdinant de Sosyri, atë diakronik dhe sinkronik, ky i fundit ka rëndësi më parësore. Kjo do të thotë gjithashtu se formula dualiste e subjektit dhe objektit si formulë e mirëfilltë gjuhësore për Konicën nuk kufizohet vetëm, po ka prapavijë kuptimore me nëntekstet estetike e letrare.

Pra, gjuha për Konicën është gati gjithçka.

Gjuha është fushëbeteja specifike e vetëdijes. Betejat, që fitohen këtu janë më shumë se Austerlici, kurse disfatat janë më shumë se Vaterloja.

Ndoshta për një trill apo kapriçio historike Konica arrin në rrafshin e gjuhës shqipe, ndërmjet gjuhëve të tjera të mëdha të kontinentit, ose të botës.

Gjuhët e shumta si koncept babilonik janë megjithatë një tërësi planetare, pra, edhe njerëzore. Këtu Konica gjen dhe identifikon edhe gjuhën amëtare.

Vetminë e saj ai e quan konvencionale dhe asnjëherë absolute dhe robinsoide.

 

Duke qenë një nga poliglotët më të mëdhenj të Evropës në kohën e vet, Konica sidomos në gjuhën frënge gjen atdheun e tij të dytë mendor dhe jo rrallë të parin. Ai bën kështu një ekzil gjuhësor, ku jo vetëm mbijetoi dhe shkëlqeu si pakkush, por nga ky pozicion gjeti mundësitë për të realizuar projektin e tij madhështor të kultivimit cilësor të shqipes.

Në 1903 në revistën “L’Europeen” bëhet një nga polemikat më të mëdha dhe të pabesueshme të shekullit XX.

Me këtë rast Konica merr pjesë në dialogun e shumëfishtë të dijetarëve e specialistëve më të mëdhenj të gjuhësisë europiane. Shkas për këtë gjë bëhet një artikull i Gijom Apolinerit, idetë e të cilit Konica i mbron dhe bile i shtjellon. Frut i polemikës qe një broshurë prej 165 faqesh e quajtur “Ese mbi gjuhët artificiale e natyrore”, të botuara, me pseudonimin evokues e kuptimplotë Pirro Bardhyli. Këtë libër Apolineri e vlerëson shumë lart e me nderim të madh. Libri në fjalë sot ka rënë në dorë të konicologut shqiptar nga Shkupi, mikut tim prof. Luan Starova, i cili e ka përkthyer. Le të më lejohet të citoj diçka nga idetë e këtij libri krejt origjinal, nga më të shkëlqyerit e Konicës, duke e falënderuar prof. Starovën.

Debati u zhvillua për futjen e gjermanizmave në gjuhën frënge e më pas u kalua në argumentimet në rrafshin e mangësisë të një gjuhe artificiale dhe të vetme për tërë popujt e kombet.

Konica huazimet frënge në gjermanishten, ose gjermanet në frëngjishten kur janë në kuptimin e funksionit natyror e llogjik nuk i konsideron se duhen shmangur detyrimisht në emër të “nacionalizmit gjuhësor”, ose purizmit grotesk. Po a do të arrihet që procesi i pandërprerë i huazimeve të ndërsjellta të çojë në një unifikim të gramatikave, drejt një gjuhe të vetme? Nëse kjo s’do të arrihet në vijë evolucioni ahere a është e domosdoshme të krijohet gjuha artificiale, gjuha blu me rastin më të spikatur tek esperantoja?

Nuk duhet harruar se ky është një problem jashtëzakonisht i madh dhe aktual edhe për sot, projekti i esperantos në Europën e Bashkuar merret parasysh, me një seriozitet, që nuk duhet mohuar aspak: Në këtë hulli Konica përkrah idenë e gjuhëtarit të madh Antuan Meje (Meilet).

Mendimi i parapëlqyer, se makinat do ta zgjidhnin lehtë problemin e babilonizimit shihet me skepticizëm nga Konica.

Ja çfarë i shkruan Konica Apolinerit: “Esperantoja është një trillim bizar dhe më habit paraqitja e disa personaliteteve nga rradhët e intelektualëve më të lartë, që hypin në këtë gale prej kartoni.

Ideja, që të gjithë kombet të nxiten të flasin në një gjuhë të vetme është njësoj si të tubosh kuaj, gomarë, qe dhe dele dhe me fuqinë e shkopit t’i detyrosh të gjithë së bashku të turfullojnë, të pëllasin ose të blegërojnë pa marrë parasysh llojin e tyre. I vetmi dallim midis tyre është se apostujt e esperantos në vend të goditjeve me shkop përdorin fuqinë e bindjes. Po gabimi është po ai: gjuhët konsiderohen si krijime artificiale, njësoj si dhe rroba – të zgjedhura sipas dëshirës dhe shijes e mandej të hedhura”.

Konica shpall pa lëkundje përparësinë e gjuhëve natyrore, ato kanë “protoplazmë gjuhësore”, që kundrejt idiomave artificiale nuk mund të jenë kurrë ekuivalente.

A mund të ketë ekuivalencë ne esperanto për lokucionet popullore, për gjuhën e tipit argo e stilizimet e tjera?

Nëse disa përkthyes në esperanto do të realizonin ekuivalencën e një teksti të Remy de Germonit, shkrimtar i madh frëng, i çmuar shumë prej Konicës, veç e veç e të krahasoheshin përkthimet, patjetër që nuk do të qenë as identike dhe mjaft larg origjinalit.

Pra, gjuha artificiale e shkatërron pasurinë e gjuhës natyrore. Kështu arsyeton Konica me pathos. Ai shënon: “Mjafton t’i hidhet një sy një libri në gjuhën esperanto dhe apriori të shihet se çdo të ndodhë me të, nëse është përpiluar prej “ripërkthimeve” për të cilat u bë fjalë. Shprehja e këtillë sugjestive, një kalim i tillë do të bënte, që të parakuptohej mendimi, do të eskivoet, ose do të mbarojë në një mendim të paqëlluar… Ne kërkonim përkthim na jepet kryesisht një interpretim, që për testin është ajo, që do të ishte imazheneria e Epinjollit për artin pikturik të mjeshtërve të mëdhenj, ose ajo, që është një organo dore për një orkestër klasike. Ose dhe diçka: për cilin ju lutem simfoninë pastorale të Bethovenit të luajtur prej një orkestre e pastaj ndërmjet një organoje dore: dallimet në timbër; në koloritin e gjysmënuancat, në intensitetin e ekspresivitetin – të gjitha do të jenë një vrasje e tradhëti!”

Kurse në sferën e gjuhëve të mëdha natyrore si frëngjishtja, ose anglishtja Konica do të bëhet pa dyshim një stilist i shquar.

Maksima e Dekartit “Cogito ergo sum” për Konicën është “Scribo ergo sum”.

Po për Konicën në krye të revistës së tij monumentale “Albania” kryesore qenë fjalët lapidare “SALUS ALBANIE IN LITERULIS NOSTRIS” dmth “SHPËTIMI I SHQIPËRISË ËSHTË NË SHKRONJAT TONA”.

Pra, gjuha shqipe është fushëbeteja më e madhe dhe më e përjetëshme e këtij gjenerali, strateg e njëkohësisht ushtar i thjeshtë.

Konica në shqipen kërkonte sipas konceptit të grekërve të vjetër një “kalli kraci” dmth “bukuri sunduese”. Metafora e filologut Hildebrand se “Çdo fjalë e gjuhës është një fyshek i zbrazët në të cilin çdo folës (ose shkrues) fut barutin e kujtimeve a të ndjenjave të veta, apo më mirë barutin e gjithë jetës së vet”, është për Konicën gati një simbol i aktit, që çdo fjalë bëhet universi i një jete individuale, ose kombëtare.

Shqipëria gjuhësore e dorëshkrimeve të Konicës është e jashtëzakonshme, e ndryshme nga Shqipëria e realiteteve politike, sociale, ndonëse edhe të lidhura si përmbajtje shpesh herë.

Konica shkruan në mënyrë konceptuale, në formë lakonike, sintezë, përzgjedhëse, të kultivuar e domosdo eliptike.

SHQIPËRIA e dorëshkrimeve të Konicës nuk do të vdesë kurrë, po përherë duhet rizbuluar.

Në kulturën gjuhësore polivalente të Konicës ka ndikim një personalitet shumë i spikatur i kohës shkrimtari dhe eseisti francez Remi de Gurmon. Dy veprat e tij “Estetika e gjuhës frënge” dhe “Kultura i ideve” e paraqesin Gurmonin si “papën e simbolizmit”, ose si një Sent Bëv i ri, vazhdues i Montenjit, mandej si një paralajmëruese të surealizmit.

Apolineri në kujtimet për Konicën botuar në “Mercur de Francë” shkruan se i dërgoi një fotografi të Gurmonit Konicës, i cili e mbante me nderim në kabinetin e punës.

Konica, i cili në rininë e vet ka atributet jakobine, të ngjashme me aventurën rinore të Artur Rembosë, kalon në iluminizmin gjuhësor dhe ndërmjet penës skalpon kohën e vet për më tepër me këtë skalp bën një enciklopedi.

Fishta e quajti Konicën “Arbitër elegantiarum” dhe kjo është më shumë se sa spaletat e gjeneralit, madje, më shumë se sa kurora e një princi. Shenjat e vërteta heraldike të Konicës janë shkronjat me të cilat siç thotë vetë donte të bënte “Alfabetin e Shpresës”.

Ringjallja e Konicës, këtij Lazari të letrave shqipe, është një shenjë mesianike për kombin shqiptar, i cili në mbijetesën e tij e ka të domosdoshme tërë pavdekësinë e emrit të shkrimtarit dhe eseistit të shkëlqyer, sub eternitae.

 

SABATO, KONICA DHE ÇËSHTJA EKZISTENCIALE E MBIJETESËS DHE VETËVRASJES

Në kryeveprën e tij “Abadoni: ëngjëlli i errësirës” shkrimtari argjentinas, Ernesto Sabato, në formë sentenciale, tepër të përkorë dhe të papritur rrëfehet për origjinën shqiptare nga ana e gjyshit dhe italiane nga ana e gjyshes. Sabato flet për heroin Skënderbe të shqiptarëve, jep konsiderata filologjike për gjuhën shqipe, etj. etj.

Për të formuluar diçka më tipike dhe lapidar, Sabato shkruan edhe këtë pasazh: “Shiko çfarë thotë Apolineri për Kanurin, mikun e tij shqiptar: një vitalitet mbinjerëzor për të mbijetuar dhe një prirje vetëvrasëse. Duket e pakrahasueshme, apo jo? Dhe për mendimin tim ky është një tipar karakteristik i racës”.

Natyrisht që emri Kanuri është një lapsus. Duhet të jetë patjetër emri i njohur i Konicës. Pse i ka shpëtuar ky lapsus? Sabato ka lexuar kujtimet e Apolinerit për Konicën botuar në “Mërcure de France” në 1912. Askush deri më sot nuk ka zbuluar se nën emrin e shtrembëruar Kanuri Sabato kishte parasysh vetë Faik Konicën. Duke marrë guximin për ta vënë në dukje këtë gjë unë nuk kam zbuluar, por vetëm saktësuar. Tek Konica si një homo albanicus, si një shqiptaroid, si modul psiqik dhe etnik, Sabato heton dy dimensione të kundërta, madje antagoniste. Kështu çështja ekzistenciale paraqitet si një kundërthënie e tmerrshme dhe sipas nocionit heraklitian të luftës së përjetshme. Ky tipar i racës shpjegon enigmën shqiptare për të kaluarën, të sotmen dhe besoj (a kam të drejtë vallë të besoj?!) dhe të ardhmen. Sagat e mëdha kontinentale të ilirëve, si ndër europianët e parë (zanafillorë, parakë, madje edhe sipas metaforës homerike “proselinoi” domethënë të lindur përpara Hënës” etj. etj.) nuk u shkruan kurrë, mbetën anonime në terr dhe vetëm arkeologët me aventurat e tyre kanë tentuar të njohin disa thërrime të ndritëshme. Shqiptarët e Mesjetës kanë një syll solomonik të padyshimtë: Skënderbeun. Shqiptarët modernë kanë mbijetuar, duke u vetëvrarë pafundësisht. Tipar i racës? Kjo tingëllon si një stilemë anakronike. Shekulli i XX, dija pozitiviste, skeptike, goditën për vdekje dhe mitin e racës, ose edhe të racave. Gjenetika niset më shumë nga arketipi universal antropologjik, duke mos i kultizuar më veçansitë. Për racën shqiptare ka dy lagje teorish, absolutisht përjashtuese dhe asgjësuese për premisat kontestuese. Virhofi (Wirchov) i ka quajtur shqiptarët “racë superiore”. Akoma më entuziast dhe apologjistik H.H.Breillsford i cilëson shqiptarët si “mbinjerëzit e Niçes”.

Teoria e kundërt është shqiptarofobe, e kobshme, getoiste, një farë genocidi i letrarizuar me metafora apokaliptike, sipas të cilave shqiptarët janë racë inferiore, njerëz me atavizma fiziologjike, me bisht, të prapambetur, tibetianët e Europës, etj.

Shqiptarët janë një komb si gjithë të tjerët. Është e vërtetë që kanë mbijetuar dhe mbijetojnë, siç është e vërtetë se për fatalizmin e tyre kanë patur si një ritual një lloj harikiri kolektiv dhe individual. Si mund të shpjegohet? Vetëm me historinë e tyre të fqinjëve dhe të vetë Europës. Nuk duhet të shpikim, shpjegime sa të karakterit instiktiv, frojdian, aq dhe emocional dhe irracional.

Kundërshtitë e mëdha në monadën shqiptare, në tipin, në arkeotipin dhe në futurotipin kanë karakter të kuptueshëm historik.

Ernesto Sabato ilustron në figurën e Konicës kombin shqiptar me ndihmën e një thënie të poetit të madh francez Gijom Apolinerit.

Karakteri relativ është sa i pranueshëm, aq shpreh dhe një intimitet rrënqethës dhe lirik, në të vërtetë të prekshme, që ne shqiptarët e përjetojmë në mënyra të shumëfishta dhe më tepër shqetësim aktual.

Aktualiteti politik është gjithashtu një kryevepër kundërthëniesh të mëdha.

Aktualiteti shpirtëror është një satanizim përçarjesh, krejt të pafalëshme për fundin e mijëvjeçarit të dytë.

Le të shpresojmë (patjetër të shpresojmë!) se formula e Apolinerit për mbijetesën dhe prirjen vetvrasëse të mos ketë një vlerë përfundimtare si një epitaf, por të quhet thjesht një paradoks i kapërcyeshëm, ose një histori paradoksale, që është megjithatë, një parathënie e një historie normale, njerëzore, të ardhme.

 

Fund

Share This Article
2 Comments
  • Shkrimet e Moikom Zeqos ,
    nuk jane shkrime shkrime te nivelitte nji arti publicistike te thjeshte ,
    per te mbushur faqet e nji gazete ,apo reviste apo si nji kurjozitet i lexusit ,
    por studime te mirefillta shkencore .
    Cfar dua te them me kte paranteze ,
    dua te them se studime te Tilla qe kann Vleren e Historise se Figurave te Kombit Shqiptare ,e Figurave te Veteta ,duan hapsira me serioze ,duke i dhene edhe rendesine e duhur ,
    jo si eshte zakon ktu , mbahen dy tre dite te publikuara, ose nganjiher si i do qejfi moderatorit ose adm. i cili s’ka as pergjegjsite e duhura e as forminin te kuptoj rendesine e ktyre temave per Shqiptaret ,dhe mundet ti fshije llto tema ,menjiher pas disa oresh ,si edhe shpesh her ndodh ktu.
    Pra ,si edhe shpesh her personalisht kam propozuar , kto studimee tema ,kann te nevojeshme hapjen e nji web–i PORTALI -te vecante qe merret me kto tema te rendesishme – sepse eshte jo vetem qesharake te vihen e trajtohen ne nivelin e nji lajmi te zakonshem politike , por edhe nji mosrrespektim i kultures dhe Figurave e Kultures Shqiptare sidhe i dijetareve te vertete te letrave si eshte edhe vet Moikom Zeqo, i cili meriton me shume vemendje e rrespekte ne studimet e tija.

    • pra mos te largohen menjiher , por ti jepet nji rendesi me e madhe nga lexusi
      ,sepse kto kane me shume vlere per ate shoqeri , se sa lajmet mbi politiken ordinere ne ate vend .
      Kto formojn dhe ndryshojn personalitetin e cdo shqiptari ,e jo lajmet boshe te politikave absurde

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *