UJQËRIA E TË PANDËSHKUARVE

anazapta

Asnjëherë në Shqipëri nuk ka patur një klasë politike kaq egërsisht të pangopur, jo vetëm me pushtetin, por më shumë me grabitjen e pasurisë së shtetit. Pushteti ka qenë e mbetet porta drejt pasurimit, dhe kur ua kanë mbyllur këtë portë, ata kanë shpërthyer gjithçka kanë mundur për të bërë rikthimin e pushtetit.

Në 25 vite qeverisje, vetëm muajt e parë të pas marsit të vitit 1992, mund të quhen të shpresës dhe të besimit. Është e pabesueshme e si aq shpejt, rrokopujshëm shpejt, në disa muaj, që nga marsi e deri në korrik 1992, besimi mund të davaritej, shpresa të merrte ububushëm tatëpjetën dhe pushteti vendor, në të shumtën e rretheve, të kalonte edhe një herë nga e majta, që edhe vetë nuk e besonte se mund të ndodhte kështu.

Shumëkujt, edhe sot e kësaj dite mund t’u sillen në memorie ditët e para të pluralizmit politik; premtimet që bëheshin ishin mrekullisht ëndërrndjellëse; vargani i njerëzve pas tyre ishte në euforinë e një shprese; askush nuk ishte në gjendje të mbante në mend fjalët që shin thënë, një herë për çekun e bardhë, herën tjetër për anijet që prisnin të sillnin ndihmat, askush nuk e kuptonte se çfarë ideje kishte në mendje presidenti i porsazgjedhur kur lëshonte parullën, “ne qeverisim, bota na ndihmon”, teoria famëkeqe e shkatërrimit, e njohur si “Teoria zero”, të dukej sikur gjithçka deri asaj dite, që nga brezaret e deri tek këngët e romanet ishte bërë keq e duhej shembur; dhe kjo klasë politike, të dukej aq idealiste, sa të vinte keq që nuk i kishe njohur më parë.

Nepotizmi, jeta e kamur e byroistëve, mënjanimi fillimisht nga sulmet e zonjës Hoxha, pastaj kalimi tek kafetë e saj, pa vënë në mengene zezimin politik, pastaj befas pulat e Haxhi Lleshit e portokallet e Rita Markos, lidhjet e krushqive dhe mishi që ishte shpenzuar, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe i parlamentit, mbajtur nga një deputet, Genc Ruli, që vetë ai kishte lidhje familjare me byroistët, të gjitha veç e veç e së bashku, krijonin idenë se tash e pas, si askund tjetër, ne do të kishim klasën politike më idealiste e më vizionare, por edhe më të ndershme në të gjithë rruzullin, dhe, si askund, duhej të bëheshim merak se mos ndonjë shtet tjetër na i mirrte për të vënë në të mirë punët e tyre.

Mjerisht, ajo që ishte thënë për byroistët kishte qenë vogëlsi e pallogaritshme për ata që po vinin, herë përmes pardesyve të bardha e herë përmes krismave. Një klasë politike, thellësisht e uritur dhe skajmërisht e paskrupullt, po vinte bujshëm, për të bërë gjëmën.

Në 25 vite pluralizëm, shqupasit kanë qeverisur 13 vite; është një pushtet, si të thuash, i ndarë më dysh. Katër vitet e para qeverisen përmes besimit se këta ishin ndryshe, vitin e pestë përmes armës dhe forcës, pastaj 8 vite të tjera nga ndarja e së majtës në dy skalione, ku asnjëra prej tyre nuk ishte aq idealiste sa të qëndronte larg pushtetit.

Por 13 vitet qeverisje të pushtetit të Sali Berishës dhe grupit skifter pranë tij e së bashku me të, duke krijuar një oborr presidencial fillimisht e kryeministror më pas, për të shkuar tek oligarkia familjare, kanë qenë ndoshta më grabitqaret në të gjithë historinë tonë politike e të kombit; aq sa edhe kur socialistët rierdhën në pushtet në vitin 1997 e deshën t’u ngjajnë, dukeshin si lojëra fëmijërore përballë asaj që kishte ndodhur e që do të ndodhte në tetë vitet e ardhshme.

E gjithë pasuria e shtetit u vendos në ankand jashtëzakonisht shpejt. Ndihmat që vinin nga perëndimi grabiteshin sapo arrin në oborret e degëve të PD-së apo në qendrat e tyre dhe kjo ishte më e pallogaritshmja. Shkatërrimi ishte bërë epidemi politike, dhe, nëse për pak vite u zhdukën plantacionet që nga veriu i Shqipërisë e deri në Jug, duhej të ishim të lumtur që nuk e kishin fuqinë të merrnin gjithë tokën në krahë dhe ta shisnin ku mund të shitej.

Për ta bërë gjithçka më të organizuar krijuan një gjetje jo të panjohur, krijimin e firmës me emër të madh, “Shqiponja”, e cila mori përsipër të zotëronte gjithë pasurinë e vendit, shpërndarjen e saj dhe krijimin e bosëve të parë financiarë pranë Partisë Demokratike. Askush që nuk ishte i besuar politikisht nuk mund të mbijetonte normalisht; gjithësecili që tentoi, qoftë edhe një herë të dilte nga vatha që ishte ngritur, goditej e shumë shpejt falimentonte.

Përmes “Shqiponjës” u bë i gjithë kontrabandimi i naftës shqiptare drejt Serbisë dhe Malit të Zi. Ushtarakët e lidhur me PD-në, sidomos në veriun e vendit, u bënë përçuesit e lidhjeve të reja mafioze e jo vetëm mafioze me ushtarakët serbë, dhe jo pak prej tyre u bënë e vazhdojnë të jenë pjesë e fuqishme e lobit serb në Shqipëri. Në vitin 1998, maj, njëri nga këto kontrabandistë, nga Tropoja, do të vriste në rrugëtim shefin e logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilir Konushevci, Mërgimi, dhe këtë nuk do e bënte për përfitime materiale, por sipas urdhërit të ardhur jashtë Shqipërisë.

Së bashku me naftën, filloi kontrabanda e armëve, jo vetëm për serbët e Bosnjës, por edhe në vende të tjera ku kishte ende embargo, si kishte për naftën, dhe vite më pas, kur petët e politikës po i hiqeshin lakrorit të së jashtëligjshmes, ish presidenti, Berisha në këtë rast, do të pohonte se ai e kishte dhënë urdhrin për të thyer embargon. Do të jetë i njëjti që do të deklarojë se “Lazarati ishte politika ime”, si një dëshmi e tregtisë së narkotikëve përmes sistemit qeveritar.

Megjithëse të dhëmb, por ne kishim klasën politike ndër më të korruptuarat në Europë. Të gjithë ata që ishin në pushtet nuk kishin asnjë të drejtë, sipas ligjeve në fuqi që vetë i kishin miratuar, që të merrnin pjesë në tenderat e shtetit, të përfitonin zyrtarisht nga konçensionet, të ishin pjesë e përfitimeve që vinin nga të ardhurat e vendit – dhe të gjithë e kanë bërë. Përmes njerëzve të tyre merrnin tenderat më të fuqishëm, dhe kur nuk merrnin pjesë, merrnin 10 deri në 15 përqind të secilit tender; merrnin pjesën e tyre nga konçensionet, u bënë proverbialë se sa lehtë mund të shiteshin, dhe se si, nëse nuk i blije, nuk mund të kaloje. Që nga proçesi Arsidi e deri tek konçensionet e minierave të bakrit e kromit është një paradë e grabitjes së pasurisë; që nga vilat e para e deri tek vilat madhështore berishiane, janë resurse të tëra të këtyre njerëzve që, me pagat e zakonshme të ministrit apo të deputetit, duhej të kishin maksimumi një banesë të zakonshme në lagjet e zakonshme të Tiranës.

Por ata kanë gjithçka që njeriu mund të ëndërrojë. Nëse më parë kishim disa bij e bija byroistësh që shkonin me studime jashtë shtetit, edhe kjo e dënueshme, sepse nuk kishin asnjë meritë as ata e baballarët e tyre; tani kjo është jetë e zakonshme e politikës, e drejtësisë, e strukturave të policisë, sidomos të asaj që njihet me emrin “Çiftelia”, por edhe e shumë të tjerave rreth e rrotull saj.

Vilat që kanë rrethuar kryeqytetin dhe në rrethe, të njerëzve të politikës, janë ndër ato që asnjë burrë shteti nuk mund t’i bëjë me pagën e tij. Dhe nuk ka se si bëjë. Dhe askush, jo vetëm që nuk skuqet, por edhe “të skuq”, nëse merr guximin dhe i kërkon gjënë më normale në botë: Të ardhurat dhe justifikimin e tyre.

Klasa e vjetër politike, ndër të cilat figurat më eminente të botës financiare, krahas Rulit e Pashkos, do të ishin edhe shumë të tjerë, ku përshquhet Ridvan Bode, dy herë ministër i katastrofave, do të pasohen tepër shpejt nga një klasë e re politike, të cilët erdhën për të ngritur nivelin e përvetësimit në një stad të ri, megjithëse u thirrën si shpresë për rinovim. Basha, më i spikaturi prej tyre, Olldashi i ndjerë, grupi i Kosovës në përgjithësi, i mbledhur rreth zonjës Berisha-Malltezi, gjithëfarë njerëzish të diplomuar, edhe jashtë Shqipërisë, u bënë tepër shpejt ulkonjat e ujqësorit e grabitjes së pasurisë.

Nëse “ Rruga e Kombit” dhe e vërteta e saj, do të zbardhet ndonjë ditë nga politikanë të guximshëm, atëherë do të ndjehet humnera që kanë krijuar, dhe, në të cilën janë edhur më shumë se 200 milionë euro në xhepa të ditur dhe të paditur.

Nëse “Gërdeci” do të zbardhet ndonjë ditë nga një qeveri e guximshme, në të gjithë amalgamën e tij, atëherë do të ndjehet qartësisht se si mizoria e familjes kryeministrore nuk ka njohur asnjë kufi, duke shfrytëzuar edhe fëmijët 10 e 12 vjeçarë si skllevër të vdekjes.

Nëse rasti “Trebicka” do të ketë ndonjë ditë dritën e tij, do të ndjehet se si pushteti të mbyll gojën, jo vetëm Kostës që guxoi e foli, por edhe motrës së tij, e cila, sapo nisi të gërvishë plagën, nuk është më mes nesh, megjithë titullin e saj të lartë shkencor.

Dhe këta njerëz janë aq të paskrupullt, sa që pasi të vrasin, të japin para dhe të marrin votat, si në Gërdec; të nxjerrin në pritë, por të bëjnë të pasur, si në rastin Hajdari; të qëllojnë pas shpine, por të afërmit e tuaj i dërgojnë në majat e drejtësisë, nga ku nuk mund të shohësh më poshtë, si në rastin Broci; të thërrasin si shpresë e së ardhmes, por të ndodh papritur një aksident, si në rastin Olldashi; të shajnë e të shalojnë vite e vite me rradhë, dhe pstaj të thonë duke u zgërdhirë se kjo ishte një lojë në prag të votimeve, si Berisha për Nanon.

Presidenti i një shteti të fuqishëm, të shtetit gjerman, u shkarkua nga detyra, pasi përfitoi një kredi, disi miqësisht, nga e cila kishte një interes prej diçka më shumë se 800 eurove, e megjithëse doli i pafajshëm, ajo diferencë ishte e papranueshme për ata që e duan shtetin e tyre mbi xhepin.

Ne kishim në pushtet një klasë politike që bëri namin, që zgërdhihet paturpërisht, përtallet me dinjitetin e zgjuarsinë tonë, e përsëri, përdhunshëm, kërkon të vijë në pushtet.

 

Vijon

Share This Article
1 Comment
  • Z. Bedri, pa u ndeshkuar kjo ujqeri “shqiptare” ne krye me Sali Serbin, Lulzim Shkaun, Bujar Nishanin, Arben Ristanin, Jozefina Topallin, Arben Imamin…, veshtire se behet Shqiperia… Keta duhet te denohen e te burgosen dhe duhet t’ia kthejne demet qe ia kane shkaktuar Shqiperise e shqiptareve per keto 25 vite “demokraci”… Ketyre teveçelave duhet me ua mbushur gojen kastraveca 163 centimetersh qe i permend Lul Basha dhe duhet lene perjetesisht brenda grilave… Duhet te pergjigjen per Gerdeci, per 21 janarin, per… Per gjithçka qe ka ndodhur ne Shqiperi e me shqiptaret per keto 25 vite… Ndryshe nuk ben, nuk ecen perpara Shqiperia dhe populli shqiptare. Te ecesh me ta eshte sikur te ecesh me zorre neper kembe, sidomos, me zorret e Ibrahim Rugoves qe ka lene pas veti!…

    DRENICA E KUQE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *