Dhuna e gabuar dhe bunkeri i gabuar

redaktor

Kush duhet t’i shpjegojë popullit se çfarë do të thotë fjala Kulturë? Shkolla? Universiteti? Familja? Politika? Puna …? I mendoj të gjitha si faktorë të jashtëzakonshëm në formimin e një populli! Nuk është provokim pyetja që unë shtrova, sepse me këto që shohim akoma mbas 25 vjetësh gjasme demokratike, pyetja lind natyrshëm. Kulturën e kujtdo nga ne e formon shembulli konkret i një shoqërie që njeh gabimet dhe punon me ndershmëri, me pasion, për të ndërtuar gjënë më të shtrenjtë: kulturën e paqes dhe të tolerancës. Dhe vini re, kjo që sapo përmenda nuk ka lidhje me religjionin, por me natyrën e të qenurit Njeri.

Demokracia është një proces i gjatë dhe Shqipëria akoma është “vajzë” e re në këtë rrugë, por çuditem vërtet kur nga një manifestim i thjeshtë, i pranueshëm dhe i nevojshëm për ecurinë e një demokracie drejt pjekurisë, shpërthehet menjëherë në dhunë Përse? Kemi plotësisht të drejtën të kundërshtojmë, të protestojmë, të mos pranojmë politikën e majtë apo të djathtë apo mashtrimet dhe aleancat partiake… por gjithashtu nuk duhet të harrojmë që, demokratikisht kush është në qeveri sot apo ai që ishte dje, nuk ishte sepse iu tek, por sepse u zgjodh nga një subjekt që ne e quajmë Popull! Pra, protestohet edhe çdo dy muaj po të qe nevoja, por paqësisht, sepse kështu respektojmë votën që një pjesë tjetër e shoqërisë i ka dhënë qeverisë. Qeveritë nuk ikin dhe vijnë me manifestime mediokre, sepse po të ishte kështu nuk duhet më të flasim për demokraci, por për anarki.

Manifestimi i djeshëm nuk më tronditi, dhe mendoj që edhe ndërkombëtarët nuk kanë përse të tronditen dhe të ndërhyjnë, sepse manifestime edhe me barrikada dhe me flakë i shikojmë edhe në mes të Romës apo Madridit, fjala vjen. Problemi kryesor i këtij manifestimi ishte aspekti i disa njerëzve të tërbuar, në të vërtetë pa ideale, pa objektiva që të mbushnin shpirtin dhe të bënin të reflektoje. Sa keq! Sa keq që panë flamurë të zinj (po kjo ç’ishte) të valëviten si simbol i demokracisë, sa keq qe shikuam akoma mesazhe lufte, sa keq që mesazhi i djeshëm i një manifestimi legjitim u shdnërrua në violencë.

E megjithatë, që të funksionojë kultura e paqes në demokraci duhet të punojmë së bashku, të bëjmë të mundur të shuajmë “zjarret” e provokimit ideologjik. E këtu ndalem tek Bunkeri pranë ministrive. Përse është lejuar ndërtimi? Unë jam pro çdo mirëmbajtjeje të kontekstit të ndërtesave, rrugëve, bunkerëve, objekteve etj, që kanë lidhje me periudhën tonë të kaluar. Janë pjesë e historisë sonë, janë vepra që duhet të ishin ruajtur dhe jo shkatërruar. Po çfarë sensi ka të ndërtohen të rinj sa për… art? Qoftë dhe për turizëm, ky “monument” bunkeri, fringo i ri dhe i madh që po ndërtohet pranë ministrive, nuk shpjegon asgjë nga periudha e diktaturës. Jo, këto “provokime” me dy lekë nuk i dua! Ne si popull nuk kemi nevojë. Kemi aq vepra arti për t’u treguar turistëve, sa as vetë nuk dimë se ku i kemi, dhe nuk po flas për muzetë. Po flas për kodrat, brigjet, cepat e fshatrave ku vërtet ishin ndërtuar bunkerët, që i prishëm. Sot po të doni merrni dhe dërgoni turistët në kërkim të bunkerëve – disa akoma kanë mbetur – por ju lutem mos na i ndërtoni në zemër të kryeqytetit.

Nuk është bunkeri shkaku i manifestimeve të djeshme, sigurisht që jo. Por ky bunker ishte një sebep i një dhune të dënueshme, që nuk duhej të ishte dhënë.

Share This Article
5 Comments
  • Znj Lekbello mund t’a quaj nje shkrim NAIV por nuk besoj tek naiviteti juaj por lind pyetja :Po te mos ishte ky bunker -atehere do te ishte gjetur tjeter viktime si pshm dritaret e zyrave ,bisneset aty prane etj pra qellimi ishte qe te tregohej dhune sepse vetem ne kete menyre shmanget REFORMA NE DREJTESI e cila personalisht nuk besoj se do te behet dhe per nje 10-vjeçar

  • Te me falesh korcari, por mendoj qe znj.Lekbello shkon shume me larg asaj qe thua. Shkrimi ka metaforen e fort, te jep te kuptosh qe ne 25 vjet ne kemi bere NJe Vrim Ne Uje, dhe hiqemi me kulture – shikoji politikanet tane , te gjithe, sa me firma na vishen dhe populli ska buke dhe vuan padrejtesit – dhe ngrejme vepra “arti” si bunkeri , pika u rent, per ti hedhur hi syve ketij populli , qe gjasme po bejme kulture. Kultura e demokracise eshte hale tek ne. Te lumte moj zonje qe shkruan drejt dhe sakt.

  • Unë ndihem keq kur lexoj ne internet lajme te tilla sepse reflektimi i kulturës se bashkëmoshatareve me bën te pyes nëse vërtet gjerat mund te ndryshojnë. Nuk mund ta kuptoj arsyen perse duhet te shkatërrohet qyteti apo se si mund te shprehesh idenë tende duke shkatërruar ambiente publike. Do ishte shume mire nëse ne vend te kërkojmë te shkojmë ne BE e te jemi qytetar te bashkimit europian te fillojmë te sillemi fillimisht si njerëz me kulture, ide e respekt për vetveten duke mos lejuar te merremi neper këmbe nga politikan sepse është ajo qe duhet te bej te na verbojnë nga problemet e vërteta ku përjashtim janë pergjegjes .

  • Ndodhemi ne duar te njerezve pa vizion, ndersa cirren cdo dite se po qeverisin per nje vision me konkluzion te pas 20 viteve te ardhshme (!).
    Edhe bunkeri me i ri dhe i vetem i ndertuar ne mes te Tiranes eshte simbol i rrumpalles se qeverisjes, i nderhyrjes me dhune ne ndergjegjen e Qytetareve nepermjete te objekteve – sic ky bunkeri, duke i injoruar Ata me mosperfillje. Eshte per te ardhur keq qe piktura te coroditura shoqerohen edhe me praktika qeverisese te coroditura.
    Dihet boterisht nga shkenca dhe pervoja ushtarake qe bunkeret, tunelet jane objekte mbrojtese nga sulmet ajrore dhe toksore. Pra, duke i pasur vetem na sherbejne jo vetem sot por edhe me pas. Mos te harrojme se Shqiperia ka qene, eshte dhe do te jete e lakmuar per pozicionin e saj strategjik, i cili nuk ka per te ndryshuar ne jete te jeteve. si pasoje, bunkeret dhe tunelet mbrojtese nuk kane te bejne me simbole komuniste, por jane deshmi e perkujdesjes gjate periudhes se Enver HOXHES per jetet e shqiptareve, te kercenuar nga lakmite e fqinjeve dhe me tej tyre. Kjo ka ndodhur para periudhes se Enver HOXHES, gjate kesaj periudhe, dhe mund edhe te ndodhe. Shqiperia e vogel nuk mund te hape lufte, as te kete rol ne ndonje lufte. Me qeverisjen e ketyre 25 viteve ajo eshte vene plotesisht sikur personazhi LEBEL tek filmi Fan-Fan-Tulipan. Ndaj krijohet pershtypja se nuk ka c’na duhet mbrojtja. Dhe kete e theksojne me shume pinjollet e kolaboracionisteve te luftes, mbeshtetur nga sherbetoret e tyre, si edhe prej pinjolleve – qe kane tradhetuar IDEALET e Eterve te tyre.
    Shkrimi i Dr.Kesiana Lekbellos eshte i vlere. Konsiderate!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *