“Shqiptarët i diskutojnë problemet e tyre në kafene, përfshirë këtu politikanë që diskutojë iniciativa publike, punonjës të qeverisë që diskutojnë politika të ndryshme dhe studentë që diskutojnë provimet ose modën. Në disa raste nevojitet që të kesh një marrëdhënie “ballë për ballë” me një person në mënyrë që të lidhësh një marrëdhënie profesionale.
Shqiptarët janë përtacë të kultivuar ndër shekuj me një ëndërr të madhe për t’u pasuruar në një kohë shumë të shkurtër pa bërë asnjë punë”. Në këtë mënyrë përshkruan Ambasada Amerikane në Tiranë, në kabllogramet e saj, gjendjen e Shqipërisë në mes të vitit 2008.
Sasia e besimit që individët kanë tek politikanët, qeveria dhe institucionet e tyre ndryshon në vartësi të historisë. Për një të huaj që vjen të punojë në Shqipëri gjendja aktuale e ndërtesave të institucioneve shtetërore të jep përshtypjen se nuk do të zgjidhësh kurrë gjë aty brenda. Por shumë pak e dinë se institucioni që punon më mirë në vend është i vetmi vend publik që mund të gjesh: Kafeneja.
“Aq lehtë kujtoni se ëndrrat e kafeneve bëhen punë? Në jini aq besnikë te forca juaj, ngrihuni pra, se shqiptarët ju presin!”- shkruante Faik Konica në vitin e largët 1899, që duket ndonjëherë shumë i afërt.
Teksa ecën në rrugët e Tiranës, sheh shumë kafene. Ndoshta është biznesi më i përhapur në vendin tonë. Njerëzit, veshja dhe sjellja e tyre, ndryshojnë nga njëri bar në tjetrin. Rinia ka vendet e saj të preferuara ku edhe i jepet mundësia të shpalos tendencat më të fundit të modës në veshje dhe aksesor.
Të gjitha markat e fundit mund t’i gjesh në këto hapësira dhe teksa i sheh, pyetja që bëjnë kalimtarët, shpesh nën zë është: po ku i gjejnë lekët xhanëm…?!
Shtete të ndryshme të botës kanë qasje të ndryshme ndaj kafenesë. Diku më të strukturuara, e diku më afër sjelljes sonë.
Por, shpesh, në këto vende janë marrë vendime të rëndësishme, në to kanë lindur vepra, shkrimtarët i kanë patur qoshet e tyre të krijimtarisë dhe politikanët, tavolinat e vendimeve delikate “për vendin”. A vazhdon të jetë kështu?! Tirana ka një histori të sajën kafenesh, kujtojmë këtu, Kafe Europën, apo Kafe Florën për të cilën janë shkruar edhe këngë…
Çfarë po ndodh sot me këtë “institucion” dhe me Njeriun e ri të kafenesë. Për të diskutuar mbi këtë temë, ne kemi ftuar në bisedë, sociologun, Ergys Mërtiri. Si një vëzhgues i hollë i terrenit dhe aktualitetit, madje si një njohës i mirë i historisë, Mërtiri na bënë një zbërthim të këtij zakon në vendin tonë.
Ergys, ju i frekuentoni kafet trendy të Tiranës? Çfarë ju bie në sy në vëzhgimin tuaj? Në kryeqytetet e Europës kafenetë ndahen edhe sipas klasës sociale, intelektuale, madje edhe politike dhe fetare, ekziston diçka e tillë në Shqipëri, sipas jush?
Duke qenë se shqiptarët shpenzojnë shumë kohë në kafene dhe këto shërbime kanë një shtrirje kaq të madhe, natyrisht që do të kemi një ndarje klasore, kulturore, moshore, e një sërë përkatësish të tjera. Është e natyrshme që frekuentimi i mjediseve të tilla të kategorizohet në bazë përkatësisht. Njerëzit kërkojnë të ngjashmit e tyre dhe kjo do të sjellë doemos diferencim. Për këtë arsye kemi kafene ku mblidhen adoleshentë, të rinj, të rritur, etj. Po kështu kemi kafene që frekuentohen nga politikanë, biznesmenë, artistë, etj, ashtu siç kemi edhe kafene që klasifikohen në bazë të shijeve muzikore, apo përkatësive kulturore, prejardhjes krahinore, politike, fetare.
Fragmentimi i klientelës ka ardhur duke u rritur dhe gjithmonë e më shumë ky lloj shërbimi po shkon drejt selektimit të klientelës dhe diversifikimit të formave të përkatësive. Për shembull, kemi kafene ku mblidhen tifozë të skuadrave të ndryshme të futbollit, ku mblidhen qejflinj apo amatorë të ndonjë hobi të caktuar, pasionantë të ndryshëm etj. Ekziston një prirje për të konceptuar modele baresh të cilat promovojnë apo evokojnë shije ose elementë të ndryshme kulturorë si për shembull periudha të ndryshme të së shkuarës, kultura vendesh të ndryshme, trende apo prirje shoqërore e kulturore etj. Prirja është për t’u dalluar, për të ofruar diçka ndryshe. Kjo është e kuptueshme në një mjedis ku ky shërbim ka një shtrirje të jashtëzakonshme dhe duhet punë për të tërhequr klientelën. E veçanta merr vlerë.
Po kafja e lagjes, si po ndryshon? Një person që zgjedh kafenenë e lagjes sot, e bën për arsye ekonomike apo në shenjë revolte ndaj luksit të tepërt në kafet e populluara të ish-Bllokut?
Nuk besoj se shqiptarët e kanë kulturën e reagimit shoqëror ndaj dukurive të tilla. Fatkeqësisht shoqëria shqiptare ka ende shumë prapambetje për të adaptuar sjellje të tilla ndëshkuese ndaj fenomeneve të padëshiruara. Përkundrazi, si një shoqëri ende e pazhvilluar, shqiptarët priren të ushqejnë dëshirë për luks e rënie në sy. Mosfrekuentimi i mjediseve të tilla tek shumica prej tyre, vjen më shumë për shkak të pamundësisë, kryesisht financiare.

Por ka edhe arsye të tjera, tek një pjese e rëndësishme e shoqërisë. Fillimisht një masë njerëzish i largohen Bllokut për arsye kulturore, duke mos e gjetur veten në të. Një kategori njerëzish, për arsye moshe apo edhe konceptimi kulturor, nuk preferojnë mjedise të zhurmshme, ku mbizotëron dëshira për t’u dukur. Ka shumë të tjerë qe e shohin bllokun si një mjedis që grumbullon “fshatarë e konviktorë” dhe preferojnë ta bojkotojnë atë, sepse nuk e gjejnë veten mes zallamahisë së tij. Shumë prej tyre ndjejnë nevojën të shfaqin prirjen për të mos u identifikuar si kategori e njerëzve që frekuentojnë këtë vend, duke dashur të diferencojnë veten nga turma, sipas tyre vulgare, që gjallon aty.
Tek shumë njerëz, kryesisht të rinj, është gati-gati një trend, apo një vetëvlerësim mosfrekuentimi i bllokut, gjë që i bën ata të ndjehen të veçantë ose, të mos ndjehen të rëndomtë. Me bllokun po ndodh pak a shumë ajo çfarë ka ndodhur dikur me parkun Rinia. Shumë të rinj u zhvendosën në Bllok, për t’i ikur parkut, i cili ish masivizuar tej mase. Nëse e vëren, tashmë rrethinat jashtë bllokut kanë filluar të gjallërojnë nga bare interesante, e kulturalisht të larmishëm, ku grumbullohen të rinj që nuk e preferojnë më atë që nga shumë të tjerë, kryesisht jo vendalinj, e konsiderojnë hapësirën më tërheqëse të kryeqytetit.
Po kafenetë e lagjeve…
Kafenetë e lagjeve kanë një natyrë më ndryshe, për shkak se grumbullojnë përgjithësisht njerëz më të diversifikuar dhe me më pak pretendime mbi mjedisin dhe shërbimin që kërkojnë. Megjithatë, po vihet re se edhe nëpër lagje po kultivohet një rritje e prirjes për një shërbim më luksoz, duke filluar që nga dizenjimi i interioreve, e deri tek pasurimi me elementë kulturorë që jo rrallë janë edhe më interesantë sesa ato të qendrës. Qyteti po fillon ta shpërndajë në njëfarë mënyre jetën e bareve kudo. Mund të themi se, tashmë çdo lagje ka “bllokun” e vet.
Nëpër periferi apo lagje shohim njëkohësisht një përhapje më të gjerë të bareve që ofrojnë edhe shërbime bastesh sportive, të cilat priren të jenë mjedise më rutinore, që grumbullojnë klientelë kryesisht mashkullore. Kështu, mund të themi se përtej qendrës, nëpër qytetet shqiptare kemi një kategorizim më të vogël të bareve, në disa profile kryesore të tipit: lokal për familjarë, për të rinj, pijetore për burra apo bare loto-sporti. Klientela në to karakterizohet nga një nivel më i lartë familjariteti ku njerëzit njihen me njëri-tjetrit dhe sillen kryesisht si në shtëpi të tyre.
Tirana ka një histori kafenesh, mund të përmendim këtu, “Kafe Flora”. Në vitet ’90 pati një rëndësi shumë të madhe edhe për intelektualët edhe për politikën “Kafe Europa” në qendër të Tiranës. Kafet e sotme, kanë një arredim të bukur, por duket se i mungon shpirti intelektual, e vini re ju këtë? Sot kjo kafe (Kafe Europa) është zhdukur, i kanë ikur poetët, intelektualët … çfarë do të thotë kjo për një kryeqytet? Për shembull, dimë që (Sipas librit ”Mëngjeset në Kafe Rostand”) Kadare në Parisë qëndron te Kafe Rostand, a ka një vend të tillë në kryeqytet?
Natyrisht, kafenetë në Shqipëri dikur kanë shërbyer si mjedise ku prodhohej debat (kryesisht politik) në të cilat kanë pasur aktivitet edhe njerëz me influencë në shoqëri. Sigurisht, shpesh ato kanë qenë objekt kritikash për shkak të vulgarizimit të debatit që kanë ofruar. Faik Konica ka përmendur herë pas here degradimin e tyre, ndërsa Ibrahim Dalliu e ka stilizuar poetikisht nëpërmjet satirës në një përshkrim shumë tragjikomik sjelljen e njerëzve në to. Megjithatë ato kanë shërbyer gjatë si mjedise ku grumbullohej dhe shpërndahej informacion, mendim dhe debat. Ato kanë shërbyer, për mirë apo për keq, si një agorë e jetës politike e kulturore të qyteteve shqiptare.
Të tilla fenomene janë rikthyer në fillim të viteve ’90, por sot duket se ky dimension po humbet. Ndoshta në të ardhmen mund të krijohen kafene që të grumbullojnë klube interesi, por deri tani, frenetizmi apo edhe vaniteti i jetës së përditshme, duket se e ka vrarë aktivizimin dhe produktivitetin e njerëzve. Kjo ndoshta vjen edhe për shkak të barrierave të shumta që ka realiteti i sotëm ndaj mundësive për ndryshim, gjë që i bën shumë njerëz pesimistë dhe me mungesë vullneti për të qenë aktivë. Në fakt intelektualizmi duket se po vdes në tërësi tek shqiptarët, jo vetëm në kafene. Njerëzit lexojnë gjithnjë e më pak, dhe janë të prirur të mendojnë gjithnjë e më sipërfaqshëm. Në këto kushte ata nuk kanë çfarë idesh, pikëpamjesh apo njohurish të ndajnë me njëri-tjetrin. Ka pasur megjithatë përpjekje për të rikthyer apo krijuar mjedise të tilla ku grumbullohen njerëz me vlerë, por kjo ka qenë mjaft e vështirë.
Këto fenomene kanë ekzistuar kudo nëpër botë, pavarësisht se në nivele të ndryshme. Parisi, Vjena, Berlini, kanë qenë qytete ku poetët, filozofët, mendimtarët, kanë shfrytëzuar gjithmonë kafenetë për të krijuar dhe zhvilluar rrethet e tyre. Cvajgu i ka përshkruar me shumë mall debatet e thella dhe pasionante të zhvilluara në kafenetë e këtyre qyteteve ku mund të takoje dijetarë të mëdhenj e artistë të famshëm. Kjo ka qenë një periudhë e artë për Europën. Megjithatë edhe në Europë kjo epokë ka perënduar dhe kafenetë nuk e kanë më shkëlqimin e dikurshëm. Sot nuk gjen më këtë klimë pasioni për dijen, artin, kulturën dhe kafenetë, ndonëse përpiqen shpesh të kryejnë një funksion të tillë, nuk kanë mundur ta ruajnë dot atë klimë. Ajo që ne vuajmë këtu në Shqipëri, është në fakt një sëmundje globale, të cilën ne vetëm sa e përjetojmë në një nivel më të rëndë dhe më provincial.

Kto bjondet simpatike duhet ta dijn me mire …