Nuk e kuptoj, pse disa gazetarë dhe analistë të Kosovës janë kaq brutalë dhe harbutë ndaj politikanëve të Shqipërisë. E kam vënë re disa herë një gjë të tillë, por po marr shkas nga deklaratat publike të gazetares Arbana Xharra (siç mësova, kryeredaktore e gazetës “Zëri” dhe madje e dekoruar tri herë nga DASH) ndaj kryeparlamentarit Ilir Meta, me rastin e vizitës së tij në Prishtinë. Ajo e deklaron atë “Politikan i matanë kufirit”, hajdut, kriminel etj. Nëse I. Meta do të ishte kryeparlamentari i Serbisë, zonja ka shumë të drejtë ta cilësojë “i matanë kufirit”. Nëse kjo e mendon akoma Kosovën pjesë të Serbisë, ka shumë të drejtë ta mendojë Metën “i matanë kufirit”. Nëse ajo i mendon Kosovën dhe Shqipërinë si Koreja e Veriut me të Jugut, mund ta mendojë Metën i “matanë kufirit”. Të çudit fakti se kjo zonjë merr guximin ta deklarojë kryeparlamentarin e Shqipërisë “hajdut dhe kriminel”, në një kohë që asnjë organ gjyqësor nuk e ka deklaruar të tillë. Nuk e di ajo se askush nuk mund të deklarojë dikë fajtor për një krim përveç organeve të drejtësisë? Sjellja e saj, nuk është thjesht shkelje dhe injorim i etikës gazetareske, është shumë më tepër. Ajo është e pushtuar nga urrejtja absolute ose, fsheh një qëllim dashakeqes për çështjen shqiptare. Mendoj se tani është momenti që, gjithkush që ka aftësi dhe pushtet, të kontribuojë për rikthimin e politikës dhe politikanëve të Kosovës në rrugën e mbarë. Bashkimin kombëtar nga lart ne nuk e kemi në dorë, duhet ta vendosin të tjerët, por bashkimi nga poshtë varet nga ne. Mesa duket kësaj zonje i intereson koreanizimi dhe jo bashkimi shqiptar. Shuarja e kufijve nga poshtë nuk është nacionalizëm, është patriotizëm, është detyra jonë, e të gjithëve, sepse janë kufij të paligjshëm, të vendosur me diktatin e të mëdhenjve, jashtë vullnetit tonë. Kufijtë e kokës janë shumë më të rrezikshëm se kufijtë fizik. Mua nuk më intereson individi (I. Meta), por parimi, çështja shqiptare. Zonjës gazetare dhe të tjerëve si kjo, fatkeqësisht edhe disa politikanëve të Kosovës, mesa duket, ju intereson shumë më tepër fakti se, kush qeveris në Shqipëri, se sa mënyra e qeverisjes. Ky është gabim fatal. Kjo sjell rrezikun e koreanizimit shqiptar.
Letër e nënshkruar,
Lekë Imeraj
