Nëse do të ishit dëshmitar i një akti të dhunshëm ndaj një viktime të pafajshme, çfarë do të bënit:
Do ta ndihmonit, vraponit, apo do të ngrinit në vend nga frika?
Deri më tani kjo është pyetja hipotetike që të gjithë i kemi bërë vetes kur kemi lexuar për ngjarjet e tmerrshme si për shembull sulmet terroriste të ndodhura së fundmi.
Cili instinkt i mbijetesës do të dilte më natyrshëm? Të luftosh, apo të largohesh?
Megjithatë gjatë viteve është bërë e qartë se ka një opsion të katërt: Të regjistrosh gjithçka me telefonin tënd.
Kështu natën e të shtunës së shkuar në Londër, një burrë i armatosur me një thikë sulmoi disa persona në stacionin e metrosë në Leyonstone. Aksidenti i tmerrshëm është xhiruar në video pothuajse i plotë nga persona pranë që nuk vepruan për të ndaluar sulmin. David Pethers, dëshmitar i asaj që ndodhi, nuk qëndroi duarkryq, por u përpoq të përballej me sulmuesin. Në një intervistë për Daily Mail burri tregon se ndërkohë që ai përpiqej të mbronte fëmijët që kalonin aty, të tjerët ishin duke regjistruar. Më pas një tjetër dëshmitar i’u afrua dhe i tha: “Bravo, dua të të shtrëngoj dorën, ishte i vetmi që bëri diçka, e kam gjithçka të regjistruar”. Pethers ishte aq i inatosur saqë nuk gjeti fjalë për t’iu përgjigjur.
Shumë nga reagimet njerëzore në momentet e panikut, si për shembull ikja për të shpëtuar apo qëndrimi i paralizuar para rrezikut mund të shpjegohen. Por psikoterapeuti Richard Reid beson se është e rëndësishme të kuptojmë edhe këtë reagim të ri. “Për shkak se ngjarjet, si sulmet terroriste, nuk janë të zakonshme në realitetin tonë, njerëzit ndonjëherë reagojnë sikur të jenë duke parë një film, nuk u shkon ndërmend se mund të jenë në rrezik ata vetë dhe as të ndihmojnë dikë. Është diçka e natyrshme dhe duhet ta kuptojmë”, shpjegon Reid për “The Telegraph”.
Por si mund të shpjegohet nga pikëpamja psikologjike dëshira për të xhiruar një ngjarje të dhunshme dhe çfarë ndjenjash përjeton autori i këtyre videove dhe fotografike? Përse nuk u shkon ndërmend që të ndihmojnë? Eksperti beson se është një mënyrë “për t’i dhënë kuptim ngjarjes. Në disa raste kjo mund t’i ndihmojë”, thotë Reid.
Sipas një tjetër psikoterapeuti, Einar Jenssen aktualisht të rinjtë janë të mësuar të jenë vëzhgues në jetët e tyre përmes rrjeteve sociale. Eksperti beson se e njëjta gjë ndodh në momentet traumatike, “Janë të mësuar t’i drejtohen një telefoni celular në çdo event. Është mjaft e habitshme pasi në fakt zbret në instinktet e kafshërisë. Nëse bazohemi në çështjen e evolucionit, shpjegohet nga dëshira për të qëndruar të sigurt, natyrisht që nuk je i mbrojtur fizikisht duke u shndërruar në një vëzhgues, por shpirtërisht ama do të jesh, sepse ky veprim mbron trurin”.
/DITA
