BUNKERI DHE “ANTIKOMUNIZMI” SI GJETHE FIKU

anazapta

Knut Fleckenstein e ka të vështirë kuptojë atë që ndodhi në 8 dhjetor në Tiranë. Përderisa ligji për dekriminalizimin është në prag të miratimit, ç’duhej një protestë e tillë?! – pyet ai. Dhe vërtet, përse?! Si jo pak ndërkombëtarë të tjerë edhe Fleckenstein, zëvendëspresident për çështjen e jashtme në Parlamentin Europian, këmbëngul të mos kuptojë, se lidershipi i PD, i dominuar ende nga Sali Berisha, ndjek prej vitesh dy axhenda politike. Njëra është formale dhe tjetra reale. Njëra zyrtare dhe tjetra e fshehtë. Në rastin në fjalë, axhenda formale është miratimi i ligjit për dekriminalizimin. Ndërsa axhenda jo formale, që PD e mban të fshehur nga miqtë ndërkombëtarë, edhe nga Fleckenstein, është ajo e pengimit të reformës në drejtësi. Fleckenstein ka të drejtë që habitet. Sepse PD duhet të qe e kënaqur me miratimin e ligjit për dekriminalizimin pra, me këtë fitore. Në fakt, jo. Sepse ajo është vetëm një “fitore”. Prandaj Berisha dhe Basha i drejtohen protestave për një fitore të vërtetë që ka të bëjë me pengimin e reformës në drejtësi që është dhe axhenda reale politike e klanit të tyre të dalë nga një qeverisje 8 vjeçare e superkorruptuar. Dhe reforma në drejtësi mund të bllokohet (me shpresë për të shtyrë më pas për në kalendat greke), vetëm me anë të një krize politike që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

Por që të përmbysësh para kohe një qeveri, duhet që shumica e shoqërisë ta shikojë atë qeveri si shkakun e problemeve të saj. Shoqëria shqiptare vuan sot nga shumë probleme ekonomike dhe sociale por shumica e shqiptarëve nuk besojnë se qeveria Rama është shkaku i këtyre problemeve. Edhe rezultati i zgjedhjeve lokale (një disfatë po aq thellë e PD sa ajo e vitit 2013) provoi se shumica e elektoratit nuk e sheh burimin e të këqijave, pavarësisht gabimeve të qeverisë, te kjo e fundit. Në të kundërt percepton se kjo qeveri edhe pse trashëgoi tregues të rrënuar ekonomikë dhe socialë nga qeverisja e djeshme, ka futur në rrugën e zgjidhjes një numër çështjesh që ishin bërë gangrenë (mospagimi i energjisë, informaliteti, kultivimi i drogës) e antishtetit. Dhe më kryesorja, që nuk po bëhet pengesë për disa reforma të rëndësishme për shtetin ligjor e mbi të gjitha, për atë në drejtësi.

E përballur me një perceptim të tillë publik PD rreket argumentojë nevojën e përmbysjes së qeverisë Rama me akuza, më së shumti të pa faktuara, për korrupsion apo duke e akuzuar si shkaktare të rënies ekonomike. Por si mund ta akuzosh qeverinë për një gjë të tillë kur në të dy vitet e fundit, PBB ka ardhur në rritje?! I ndërgjegjshëm se këto akuza nuk bindin, lidershipi i PD kërkon pretekste të tjera për përmbysjen e qeverisë tek “antikomunizmi”. Qeveria Rama akuzohet si qeveri komuniste! Nevoja e përforcimit të strategjisë së PD me “antikomunizëm”, është edhe shkaku i spektaklit absurd të dhunës që u zhvillua në 8 dhjetor në qendër të Tiranës kur nën prezencën inkurajuese të Bashës dhe Berishës, protestues të shkretë luftuan për nja dy orë me një bunker simbolik duke besuar se po përmbysnin komunizmin dhe qeverinë ashtu si Don Kishoti besonte se po shfaroste armiqtë ndërsa çante me shpatë damixhanët me verë.

Ishin disa shkaqet përse Berisha dhe Basha inskenuan dhe dirigjuan një dhunë të tillë absurde që u dënua edhe nga ndërkombëtarët. Mbi të gjitha, sepse ishin të dëshiruar për një konflikt sa më të ashpër me policinë, mundësisht aq tragjik sa do të mund të balanconte krimin e 21 janarit të kryer prej tyre. Meqenëse thyerja e xhamave të Kryeministrisë dhe përdhosja e mureve të saj nuk provokoi dot vetëpërmbajtjen e policisë, u kalua te sulmi mbi bunkerin. Por edhe nëse policia nuk do të provokohej përsëri, sikundër edhe ndodhi, sulmi mbi bunker do të shërbente për shfryrjen e libidos “antikomuniste” të turmës që vetë Berisha dhe Basha e karikuan aq shumë gjatë këtyre ditëve. E si mund të mbyllej mitingu pa një “fitore”?

Një shkak tjetër lidhet me natyrën destruktive të Berishës dhe për rrjedhojë edhe të lidershipit të PD. Është një lidership që e ka në gen shkatërrimin. Madje edhe fjalimit hakërryes të Bashës nuk i mungoi termi “shkatërrim”. Nuk qe një rastësi pra, që në këtë 8 dhjetor, shqiptarët dhe ndërkombëtarët panë të rishfaqen skenat e shëmtuara të ngjashme me ato të marsit ’97, 14 shtatorit ’98.

Por ka edhe një shkak tjetër. Dhe ky është fiksimi donkishotesk i Berishës për të kthyer edhe një herë kohën kur ai mbështetej nga ndërkombëtarët (amerikanët dhe britanikët) vetëm sepse shikohej si një lider që po ndeshej me një traditë të fuqishme komuniste në Shqipëri. Prandaj ky komunist- antikomunist, nga ata të rrezikshmit për demokracinë që përmend Havel, mori mbështetje për vite me radhë edhe pse u shpalos jo vetëm si autokrat, që në vitin ’97 e çoi vendin në kasaphanë për hir të pushtetit, por edhe mjaft i korruptuar. Berisha e di që amerikanët, kur është fjala për antikomunizmin, të mbështesin kur je edhe i korruptuar. Prandaj e ndez kauzën e “antikomunizmit” sa herë bie në opozitë dhe bën thirrje për përmbysjen e tij edhe 25 vjet pasi pretendoi se e përmbysi!

Sulmi vandalist mbi bunker ishte gjethja e fikut për maskimin e këtyre qëllimeve të fshehta të autokratit Berisha që europiani sinqertë Fleckenstein nuk i di por që në Shqipëri i dinë thuajse të gjithë. Madje edhe shumë nga ata që ishin në protestë në krah të Berishës dhe të Bashës.

Share This Article
2 Comments
  • ME BUNKERE DHE PIRAMIDA SHQYPNIA NUK MUND TE SHKOJE NE BE

    PIRAMIDA famekeqe te Enver Hoxhes ne mes te Tiranes qe i kall friken edhe femijeve ne barkun e nenes, nuk eshte as GJETHE FIKU dhe as MULLI I DON KISHOTIT, por nje KULCEDER e gjalle ne mes te Tiranes. Kush e mban kete KULCEDER si bunkeri i Hitlerit, si nje ogur i keq i Shqypnise per integrimin e saj ne strukturat Antikomuniste dhe Demokratike ne Botes? Prandaj o Andrea Stefani duhet ta kesh kuptuar me se fundi se me bunkere dhe piramida famekeqe Shqypnia nuk mund te genjeje Boten Demokratike as me bunkere berishiste te Fatos Lubonjes dhe as me bunkere edvniste te piktoreve te deshtuar te Rilindjes Socialiste, sepse o Andrea Stefani Shqypnise i duhen BOSA pragmatike me diplloma perendimore ne xhep dhe jo BANDITE komuniste pa arsim dru me pre qe mundohen te mashtrojne miletin me finte enveriste ashtu sic po drejtojne vendin qe nga 1944 deri me sot, qe kur Enver Hoxha mbolli MURTAJEN komuniste ne trojet tona.

    • Injorant, me siguri kosovar. Jeni duke na ngjallur shumë urejtetje se fusni hundët në punët e shqiptarëve. Na u hiqni sysh,kalë. se jeni dhe buke sh

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *