Biznesmeni Rezart Taçi, një nga bosët e naftës në Shqipëri prej shumë vitesh me kompaninë “Taçi Oil” dhe njeriu që privatizoi “ARMO-n”, një tender që dështoi më pas, raportohet se është shoqëruar nga policia zvicerane për llogari të një hetimi të hapur në këtë vend ndaj tij. Prej dy vitesh, ai po përballet me një hetim intensiv nga Prokuroria Publike e Kantonit të Gjenevës në Zvicër dhe ky proces kryhej në gjendje të lirë.
Por si duket autoritetet kanë vendosur ta marrin në pyetje biznesmenin shqiptar dhe dje u raportua nga shumë media deri dhe ndalimi i tij. Zyra e Interpol Tiranës dhe Prokuroria e Përgjithshme, nuk konfirmuan ndalimin e Taçit në Zvicër, duke thënë se “nuk kemi asnjë njoftim apo konfirmim për këtë çështje”. Por nga ana tjetër pohojnë se janë në dijeni të çështjes që ai ka të hapur në Gjenevë me një kompani tjetër për çështje aksionesh dhe veprimtari biznesi.
Madje disa media shkruanin se prej disa javësh biznesmeni nuk shfaqet në publik, duke hedhur dyshime se është i arrestuar në Zvicër. Nga ana tjetër nëse biznesmeni do të ishte ndaluar, rrjedhimisht autoritetet zvicerane do të njoftonin paralelisht Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Përgjithshme, gjë që deri tani nuk ka ndodhur. Taçi pati edhe një çështje të hapur në vend për privatizimin e dështuar të “Armos” dhe për evazionin fiskal me kompaninë e naftës, të cilën u mësua më tej se e shiti tek aksionerë të tjerë.
Çështja në Zvicër
Bëhet fjalë për një hetim të nisur që prej vitit 2014, pasi dy kompani të huaja si ajo e Panamasë “Wallis Trading INC” dhe e Holandës, “Trafigura Beheer Bv”, kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Kantonit të Gjenevës në Zvicër kundër biznesmenit shqiptar të naftës Rezart Taçi. Kallëzimi është bërë për tre akuza; “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.
Taçi ka pasur marrëveshje tregtare që prej vitit 2009 me dy kompanitë e lartpërmendura, marrëveshje këto që sipas autoriteteve zvicerane kanë sjellë dëme ekonomike në miliona euro ndaj dy kompanive kallëzuese, të cilat kanë si aktivitet tregtar energjinë dhe naftën.
Mbetet për t’u verifikuar nëse dëmet kanë ardhur nga fshehja e aktivitetit në Shqipëri dhe shitja e aksioneve, apo çështje të tjera. Prokuroria e Gjenevës në datën 5 maj 2014, ka dërguar në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme një letër-porosi, duke kërkuar ndihmë nga homologët shqiptarë, pasi një pjesë e veprimtarisë kriminale dyshohet se Taçi e ka kryer në vendin e tij.
Procesi
Një proces penal është duke u zhvilluar në Zvicër në Kantonin e Gjenevës ndaj bosit shqiptar të karburanteve Rezart Taçi. Ky është konfirmimi që vjen nga Interpol dhe Prokuroria e Përgjitshme të cilët informojnë se ndaj Taçit ka një hetim intensiv nga Prokuroria Publike e Kantonit të Gjenevës në Zvicër. /Artur Qoraj/Dita/
