Transferimi i Peter Olayinka nga kampionët e Shqipërisë të Skënderbeut te kampionët e Belgjikës të Gent zyrtarizohet ende pa u hapur merkato e janarit.
Përpos akordit me talentin 20-vjeçar, përfaqësuesit e Gent firmosën edhe kontratën me ekipin e Skënderbeut, për realizimin e transferimit, menjëherë sapo merkato e janarit të hapet.
Transferimi i Olayinkas te kampionët në fuqi të Jupiler Pro League mendohet se është realizuar për 1,1 milionë euro, duke bërë që ai të jetë edhe lojtari më i shtrenjtë i shitur në historinë e kampionatit shqiptar.
Edhe pse ka pasaportë nigeriane, Peter Olayinka është një prodhim i mirëfilltë i Kategorisë Superiore, ku ai debutoi prej moshës 16-vjeçare me Bylisin, ndërsa në dy vitet e fundit me Skënderbeun arriti nivele aq të larta, sa tërhoqi vëmendjen e disa klubeve të mëdha europiane.
Sipas kontratës së firmosur me Gent, sulmuesi do të luajë te kampionët e Belgjikës deri në vitin 2019. Pas aventurës me Skënderbeun në Europa League, Olayinka do të vazhdojë të prezantohet në ndeshjet ndërkombëtare, por këtë herë në 1/8-at e Champions-it.
