Dështon Bersani, nuk arrin të krijojë qeverinë

redaktor

Kryeministri i mandatuar i Italisë, Pier Luigi Bersani nuk arrin të krijojë qeverinë, e pas takimit me presidentin e vendit, ai i ka cilësuar të papranueshme kushtet e vendosura nga partitë  e tjera parlamentare në këmbim të votës në parlament. Bersani ka takuar pasditen e së enjtes presidentin Giorgio Napolitano të cilin e informoi për përpjekjet e tij në formimin e kabinetit të tij, të cilat rezultuan të pasuksesshme.

Tashmë sipas zyrtarëve nga Presidenca italiane, gjithçka do të jetë në dorë të Napolitanos, i cili ka njoftuar se rezervon marrjen e iniciativave për t’u siguruar personalisht për zhvillimet e mundshme. Bersani i cili ka përjashtuar plotësisht bashkëpunimin në qeverisje me të djathtët, zhvilloi një ditë më parë bisedime me “Pesë Yjet”, lëvizjen e protestës së komedianit, Bepe Grillo, mirëpo këta të fundit kanë refuzuar votëbesimin e Qeverisë në parlament, duke premtuar bashkëpunim vetëm për iniciativa të veçanta.

Zgjedhjet e 24 e 25 shkurtit në Itali krijuan një ngërç të vërtetë politikë, që në atë kohë bëri që vendi të cilësohej “i paqeverisshëm”. Të majtët fituan shumicën në Dhomën e Ulët, por jo në Senat duke u pamundësuar krijimin e kabinetit. Tashmë lëvizja e radhës për politikën italiane është një raund i ri shumë i shpejtë konsultimesh në Presidencë gjatë ditës së premte, ku përfshihen të djathtët, lëvizja e “Pesë Yjeve”, “Zgjedhja Civile” e Montit dhe në fund, sërish të majtët e Bersanit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *