Disa persona të lidhur me Shtetin Islamik mund të kenë hyrë në Shtetet e Bashkuara duke përdorur pasaporta siriane, autentike në pamje, që ISIS i ka stampuar me makineritë e veta. Dokumentet janë të besueshme duke qenë se janë stampuar me të njëjtat mjete që janë përdorur për pasaportat autentike. Denoncimi bëhet nga “Abc News” që bazohet në një raport të inteligjencës amerikane.
Në 17 faqet e “Homeland Security Intelligence Report” (HSI), të lëshuar javën e kaluar thuhet se ISIS është në gjendje të stampojë pasaporta false siriane që kur ka pushtuar qytetin e Deir ez-Zour verën e kaluar. Prej këtej kanë dalë dhjetëra pasaporta të stampuara me hapësirën bosh për foton dhe të dhënat personale. Një tjetër zyrë pasaportash ndodhej në Raka, në Siri, që është kryeqytetin de fakto i kalifatit. “Prej 17 muajsh Raka dhe Deir ez-Zour janë nën kontrollin e ISIS: është e mundur që personat që vijnë nga Siria me pasaporta bosh të lëshuara nga ky qytet dhe të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara”, thuhet në raport. Inteligjenca e gjykon burimin e informacionit “mjaftueshëm të besuar”.
“Inteligjenca jonë është e shqetësuar për faktin që ISIS ka aftësinë të prodhojë pasaporta false”, tha James Comey, drejtor i FBI-së. Ish funksionari i departamentit të sigurisë të inteligjencës dhe konsulent i ABC News, John Cohen, është shprehur: “Nëse ISIS ka qenë në gjendje të blejë pasaportat apo makineritë që krijojnë pasaporta kjo do të përfaqësonte një rrezik të madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara”. Sipas burimit, Siria është e mbushur me pasaporta false.
“Janë aq të përhapura në vend saqë njerëzit nuk e shohin atë që kanë si ilegale. Për të siguruar një pasaportë mjaftojnë 200-400 dollarë, e njëjta shifër që kërkohet për të pasur vulat retroaktive që lejojnë të datosh dokumentin në një periudhë para Shtetit Islamik. Nëse xhihadistët kanë aftësinë t’i prodhojnë në një mënyrë të pakontrolluar, operacionet e tyre do të vazhdojnë dhe të shtohen dhe të zgjerohen jashtë zonave që kanë nën kontroll”, thuhet në raport. Pasaporta false siriane janë zbuluar në Europë dhe në veçanti pas sulmit terrorist që goditi Parisin muajin e shkuar. /DITA
