Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, tha dje në një takim të organizuar me mediat me rastin e një muaji në krye të dikasterit, se është e nevojshme të përpilohet një Kod i ri Penal. Sepse sipas tij, kodi aktual është “arnuar” prej vitesh, duke i hequr dhe duke i shtuar paragrafë për çështje të veçanta, ndaj dhe lind nevoja që të bëhet edhe një herë nga e para. Kodi i parë është hartuar në vitin 1995.
Kodi nuk bën
“Sot, një që kapet me armë pa leje dënohet më shumë se një individ, që akuzohet për terrorizëm dhe kjo nuk është aspak e drejtë. Prandaj, duke nisur nga kjo, por jo vetëm nga rastet e tjera që kanë krijuar spekulime dhe kakofoni në debatin publik, ka ardhur momenti që të punohet për një Kod Penal të ri, e për këtë kam marrë një angazhim individual, por do kërkoj mbështetjen e të gjitha palëve. Nuk mund të vijojmë çdo vit me ndryshime të ligjeve të Kodit Penal. Tashmë duhet një dokument i ri, një dokument i qartë jo vetëm për juristët, por dhe për qytetarët shqiptarë”, tha Manjani. Por ministri theksoi se ka edhe vepra të tjera penale, ku dënimet janë të ndryshme dhe bien në sy po t’i krahasosh dhe kjo situatë vjen nga arnimet që i bëhen vit pas viti Kodit dhe që nuk janë efektive.
Prokuroria
Duke folur për reformën në drejtësi, Manjani tha se ajo po vonohet, ndërsa i kërkoi Prokurorisë si institucion, që të marrë përgjegjësitë për të gjitha hetimet. Ai vlerësoi rolin e organit të akuzës si thelbësor, por sqaroi se nuk ndërhyn në punët e këtij institucioni të pavarur, por bashkëpunon me të për çështje të ndryshme. “Reforma në drejtësi në bazë duhet të ketë besimin që qytetarët duhet të kenë në këtë sistem. Gjithë problematika lind nga hetimet, të cilat nuk janë totalisht në dorën e prokurorit, pasi në mes hyn edhe hetimi policor dhe kur në mes janë kaq shumë hallka, dosja është vështirë të qepet siç duhet dhe më pas vendimet janë gjithnjë të dyshimta dhe lënë hapësirë për zhgënjim”, tha Manjani. “Pra pikë së pari, duhet forcohet Prokuroria dhe duhet jetë vetë prokurori zot i gjithë hetimit. Së dyti, për t’u realizuar kjo dhe të gjitha ndryshimet e tjera kushtetuese duhet bashkëpunimi me opozitën dhe të gjitha palët. Nuk është mirë që një proces kaq delikat të vonohet kaq shumë dhe për më tepër të harxhohen kaq shumë energji në çështje jo relevante krahasuar me drejtësinë”, tha ministri.
Amnistia
Gjatë konferencës për media, ministri përmendi edhe projektligjin për amnistinë e të dënuarve. Ai tha se ky projektligj mund të ndryshojë më tej në Qeveri apo në Parlament, por dikasteri i tij ka ndjekur një standard që të përfitojnë vetëm personat e dënuar dhe jo ata që janë në hetim. Manjani sqaroi se amnistitë janë të nevojshme për veprat e lehta penale, apo për kategori të caktuara si gratë dhe të moshuarit, apo të miturit. Sipas tij, kostoja për të mbajtur një të burgosur është 800 euro në muaj. Kurse për ndryshimet në burgje, ai theksoi se “nuk do ketë më emërime politike, por profesionale”, ndërsa shtoi se “për drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve nuk ka asnjë indicio për ta ndryshuar, pasi është njeri profesionist që menaxhon shumë mirë situatën”. Nga ana tjetër ministri kritikoi punën e hipotekave, që sipas tij, janë institucioni me më shumë ankesa bashkë me gjyqtarët në Shqipëri.
Ankesat më të mëdha për Gjyqësorin
Manjani foli edhe për gjendjen e gjyqësorit, duke pranuar se ka shumë pakënaqësi ndaj gjyqtarëve, por se nuk ka tagrin të ndërhyjë tek drejtësia e pavarur. Ai deklaroi se ka kompetencën ta monitorojë këtë gjendje dhe t’ia raportojë KLD-së nëpërmjet Inspektoriatit dhe për këtë qëllim ka kërkuar bashkëpunim nga KLD-ja për t’i goditur rastet e korrupsionit apo shkeljeve në drejtësi. “Shumica e ankesave bëhen për shkak të vendimeve gjyqësore dhe shërbimit të munguar nga zyrat e institucioneve të drejtësisë”, tha ministri. Për ngarkesën e çështjeve ai tha se janë 360 gjyqtarë, teksa e krahasoi se Irlanda, me 4,5 milionë banorë ka vetëm 150 gjyqtarë.
Protesta e opozitës
Ylli Manjani, me cilësinë edhe të nënkryetarit të LSI-së, foli edhe për protestën e opozitës. Ai tha se “dhuna nuk është mjeti që opozita duhet të përdorë”. Ndërsa sa i përket kërkesës së opozitës për qeveri teknike, Ylli Manjani tha se LSI është kundër kësaj. Ai shtoi se pret bashkëpunim nga opozita në Parlament dhe se deri tani ajo e ka kryer rolin e saj, por tashmë nevojitet që të bashkëpunojë edhe për çështje me rëndësi për vendin.
