I nderuar lexues! Me emrin Sheh Shamia njihej Hasan Alia (1815-1891), udhëheqës i revoltës së bukës që shpërtheu në Shkodër më 8 gusht 1854 kundër spekulatorëve të drithit dhe autoriteteve qeveritare osmane. Për të shpëtuar popullin nga uria dhe vdekja, qindra të rinj të armatosur, kallfë, çirakë dhe punëtorë të mbështetur nga vegjëlia shkodrane, të udhëhequr prej tij, shpërthyen depot e drithit të tregtarëve dhe ua shpërndanë atë të varfërve. Shembullin e parë në këtë aksion e dha Sheh Shamia me hapjen e depos së babait të vet. Porta e Lartë u detyrua të largojë nga posti qeveritarin e vet Osman Masar Pashën, i cili kishte bashkëpunuar me tregtarët shkodranë. Qeveritari i ri Rakip Pasha arrestoi dhe internoi mjaft pjesëmarrës të revoltës. Sheh Shamia mundi të largohej nga Shqipëria dhe qëndroi i mërguar për dhjetë vjet në Aleksandri (Egjipt).
