A ka dështuar “revolucioni në taksa” i nisur në dhjetor 2013?

anazapta

Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij prezantuan në fundin e 2013-s (pak pasi kishin ardhur në pushtet) një projekt të ri të sistemit fiskal. U premtua një ndryshim radikal në politikën e vendit dhe në raportin e trinomit  qeveri-oligark-qytetar. Teorikisht u synua rritja e nivelit të vjeljes së të ardhurave në industritë prodhuese në Shqipëri në sektorë strategjikë si hidrokarbure dhe miniera.

E njëjta gjë u synua edhe me koncesionet (monopolet e pashpallura) në të tjerë sektorë, përfshirë dhe rritjen e tatimit shtetëror mbi fitimet e këtyre korporatave të mëdha. Dimensioni i dytë i kësaj lëvizje ishte përpjekja për uljen e çmimeve në ushqime dhe barna për qytetarët duke reduktuar detyrimet dhe taksat e kompanive që i i tregtojnë ato. Dimensioni i tretë ishte ndërhyrja në paga dhe në të ardhurat e qytetarëve me pagesa tatimesh në varësi të rrogës.

Kjo paketë fiskale e qeverisë kishte një armik të madh: Evazionin e trashëguar fiskal në këtë vend si dhe disiplinimin e marzhit të fitimit të korporatave. Pak a shumë të njëjtat masa mori dhe qeveria italiane pak kohë më parë por me një ndryshim: Përpara se të bënte projektin forcoi masat dhe filtrat ndaj bizneseve dhe korporatave. Për shembull, kompani të importit të naftës në Itali, deklaronin marzh fitimi 25-30 %, qeveria ndërhyri dhe ua reduktoi marzhin e fitimit 10-15% duke u rritur taksën pa lejuar që rritja e taksës të shkarkohej tek qytetarët. Përveç këtij disiplinimi në marzhin e fitimit, qeveria italiane të paktën nuk kishte problemin e evazionit fiskal dhe deklarimit të rremë të korporatave siç e ka qeveria shqiptare.

Sfida në Tiranë ishte (dhe mbetet) e dyfishtë. Logjika ta do që përpara se të hartonte këtë paketë fiskale, qeveria do të duhej më parë të ndërhynte fuqishëm dhe pa ekuivok në shmangien e evazionit fiskal që kryejnë korporatat dhe sidomos importuesit e mëdhenj në këtë vend dhe të vendoste në parametra normalë marzhin e fitimeve të tyre. Ndryshe paketa do të kthehej në autogol për qeverinë. Rritjen e taksave ndaj korporatave, këto të fundit (nëse vazhdonin) të operonin me bilance të rreme do e shkarkonin tek qytetarët e për më tepër bilancet dhe borderotë e rreme do të shkaktonin edhe ulje drastike të të ardhurave aq të nevojshme për buxhetin e shtetit.

A pati sukses kjo ndërhyrje kurajoze për rivendosjen e tregut në shina? Rezultatet janë të brishta. Borxhi që iu kthye biznesmenëve si hap i parë për rigjallërimin e ekonomisë, rezultoi një dështim. Paratë e marra nga biznesi i madh ndikuan në rritjen e borxhit publik, por nuk ndikuan në treg sepse nuk u hodhën masivisht aty siç pritej. Prodhim nuk ka. Tatimet janë në ngërç. Bilancet e rreme kanë vijuar dhe janë thelluar, të ardhurat vijojnë të fshihen. Doganat dhe Tatimet gjithashtu nuk i realizuan të ardhurat dhe ky është shkaku real i nervozizmit aty.

Dy vjet pas shpalljes së “revolucionit në taksa” qeveria po çon në limite presionin tek të vegjlit e pambrojtur. Por gjithë kjo energji e derdhur tek ata duhet të kanalizohet drejt oligarkëve, siç synonte projekti fillestar. Vështirësia nuk qëndron tek vendimi, por se si bashkëjeton me të. Pas kaq shumë tërheqjesh ndoshta Rama e ka kuptuar këtë. Bëjnë mirë ta kuptojnë edhe të kamurit e pangopur të këtij vendi. Ndryshe ata që përçmoni kur i shikoni në rrugë me ato fytyrat e verdha, teshat e vjetëruara dhe vështrimin e turbullt në një mënyrë apo në një tjetër do t’u afrohen përditë e më shumë mureve të lartë të vilave dhe rojeve të shtuara të fshatrave turistikë. Janë të paushqyer, të paarsimuar dhe të braktisur. Frikshëm të braktisur. Dhe “ata” janë shumica.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *