Çdo helm vjen me antidotin e tij…

Saimir Lleshi

Parashikimi nga agjencitë kryesore të pasurive të patundshme në vend se 2015 do të sillte një paralizim të tregut, tani, thuajse në fund të këtij rrugëtimi, po faktohet. Taksa e shitjes prej 15% duket se është një ndër arsyet kryesore se pse ky treg ka pësuar një ngërç, i cili duke u bashkangjitur me rënien e fuqisë blerëse dhe të interesimit, ka bërë që 2015 të shohë më pak transaksione se sa vitet e kaluara. Madje, agjencitë kryesore pohojnë se tre muajt e fundit të vitit të shkuar panë një “bum” blerjesh, vetëm që të mos “penalizoheshin” nga rritja e taksës në 2015.

Por, thuajse çdo helm vjen me antidotin e tij. Ekspertët vlerësojnë se rikthimi i ligjit të vlerësimit të pasurive të patundshme do të sillte formalizim tregu, do të ishte një goditje për evazion dhe do të ishte një fond i konsiderueshëm në arkën e shtetit…

Taksa e lartë e shitjes

Drejtues të agjencive të pasurive të patundshme në Tiranë kanë pohuar se viti 2015 ka pasur frenim të shitjes së pronave, për shkak të rritjes së taksës mbi fitimet nga shitja e pasurisë së paluajtshme nga 10% në 15%, duke filluar nga 1 janari 2015.

Ata pohojnë se e përkthyer në shifra, rënia e shitjeve ka arritur -30%, krahasuar me vitin e kaluar.

Duke rikujtuar edhe projeksionet e tyre që në fillim të këtij viti, ata pohojnë se ishin “të përgatitur” se kjo taksë do të sillte këtë frenim, sidomos për ato prona të cilat nuk kanë përfituar nga procesi i rivlerësimit, por që tashmë është i “ngrirë”.

“Apartamentet që kanë bërë vlerësimin kanë qenë më të lehta në menaxhim. Vështirësi në dukje kanë pasur ato që nuk kanë bërë rivlerësimin”- pohojnë ekspertët, duke shtuar se ky proces ka vite që është ndërprerë.

Luftë informalitetit

Teksa aksioni i qeverisë ndaj informalitetit është shndërruar në një refren që e dëgjojmë për muaj me radhë, ekspertët e Real Estate pohojnë se informaliteti duhet të merret në konsideratë edhe në këtë fushë.

Dritan Caka, pjesë e nismës së Shoqatës së Ndërmjetësuesve të Pasurive të Patundshme, tregon për “Monitor” se shumë shpejt qeverisë shqiptare do t’i dërgohet kërkesë për rikthimin e ligjit të vlerësimit të pasurive të paluajtshme. Ai tregon se kërkesa bazohet në tri arsye: ligji do të sillte një fond të konsiderueshëm për arkën e shtetit; do të formalizonte tregun dhe do të standardizonte çmimet, si dhe do të zhbllokonte tregun.

“Në rast se shteti rikthen edhe një herë në fuqi ligjin e vlerësimit të pasurive të patundshme, mundësia e thithjes së fondeve, duke e vendosur 1% të vlerës së tyre, për stokun e pronave të marra në studim, është afërsisht 35 deri në 40 milionë euro”,- pohon Caka, duke marrë në konsideratë studimin e kryer në të gjithë Shqipërinë.

Edhe kryetarja e Dhomës së Noterëve tregon se rikthimi i ligjit do të luftonte informalitetin, i hasur jo pak herë në vendin tonë.

“Unë besoj, se një arsye tjetër pse duhet rikthyer ligji i vlerësimit të pasurisë së patundshme është që të luftohet informaliteti. Shpeshherë në Shqipëri vëmë re që njerëzit e ulin çmimin kur realizojnë shitjen, duke dëmtuar kështu tregun përreth dhe çrregullon çmimet. Rivlerësimi do të sillte normalizimin e vlerës së pronës dhe do të krijonte standarde në treg, individi në këtë rast nuk do të ketë mundësi që të ulë çmimet, por transaksionet do të bazoheshin në çmimin real të fiksuar. Kjo do të ulte drastikisht informalitetin”,- shpjegoi Sadushi.

Ajo shton edhe se rikthimi i ligjit do të sillte që ky treg të vihej në lëvizje, do të gjallërohej dhe përfitimet do të ishin edhe për individët, edhe për shtetin.

“Faza e parë e bërë për vlerësimin e pasurive të patundshme rezultoi pozitive, të paktën nga kontaktet që kemi ne me njerëzit. Ne jemi në dijeni që një pjesë e madhe e njerëzve nuk kanë pasur informacionin e duhur asokohe, ndaj kanë mbetur pa bërë vlerësimin. Mendoj se do të ishte shumë pozitive rikthimi i ligjit pasi do t’i jepte edhe hov tregut të pasurive të patundshme dhe do të nxiste kryerjen e transaksioneve”,- pohon znj. Sadushi.

Si bëhej rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme për individët

Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kishin të drejtë që, brenda kohës së zbatimit të ligjit, të bënin rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.

Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit.

Zyrat llogarisin diferencën ndërmjet çmimit të kontratës së regjistruar në këtë zyrë dhe vlerës së pasqyruar në akt ekspertim, si dhe tarifën që duhet të paguajë individi për të regjistruar këtë rivlerësim.

Në rast se individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme me çmimet minimale fiskale, atëherë ky fakt shprehet në aplikimin e tij për rivlerësim.

Zyrat llogarisin diferencën ndërmjet çmimit të kontratës së regjistruar, si dhe tarifën që duhet të paguajë shtetasi për të regjistruar këtë rivlerësim.

Tarifa, që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi, është 1 për qind e diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit me vlerën e kontratës së regjistruar në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë, si vlerë regjistrimi, në zyrat vendore, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit.

Aplikimi bëhet sipas formularëve standardë, të miratuar me urdhër të ministrit të Financave. Për shitjen e pasurisë, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të dalë nga rivlerësimi, që duke nisur nga 1 janari 2015, ky tatim u bë 15%. /DITA/

Share This Article
4 Comments
  • E kush ta beje kete pune, ato qe nuk dine asgje nag ekonomia? Sa turp, edhe per pasurite e paluajtshme qe jane ndertuar e nuk jane shitur, mire do te ishte qe te perjashtoheshin blerjet e para (transaksionet e para) nese bleresit do te ishin te huaj, te pakten do te hynin te ardhura ne vend, ndertuesit do te kishin likuiditetet me te larta, dhe do te ulej stoku i pasurive te pashitura, qe rrine kot, nuk prodhojne asgje, nderkohe qe te huajt qe do t’i blinin do te rrisnin sado pak edhe konsumin e mallrave te konsumit per kohen qe do te shpenzonin ketu tek ne.

    • ik ore militant!!! provoje ti thuash atij qe do bleje nje shtepi nje shome e nje guzhine qe vlera e shtepise eshte rritur)sipas kushteve te rames) dhe jo vetem kaq por qe do paguaj taksen 15%(me shume nga gjithe evropa 10%) mbi shumen e transaksionit….
      NUk kam pare kaq njerez driteshkurter…NUk e kuptojne qe eshte privati me taksa qe mban shtetin e jo ndermarrjet e falimentuara qe qeverisen nga militante…
      Megjithe “reformat” apo ne saje te tyre..tregu ra me 30%, pra ra edhe ndertimi, dhe gjithe tragetia dhe ekonomia e lidhur me te, pajisja e brendeshme etj etj…
      Edhe keta jane kontrabandiste o militante staliniste…zaten…me nje KRM.e piktor qe po e ka bere vendin katastrofe..c’pret…Nejse koha erdhi, per te edhe per ju militantet e paafte qe do dilni prape pa pune…tik-tak..edhe nje vit…

  • Rivleresimi i pasurive duhet te paraprihet nga rregjistrimi i pronave ne Z.R.P.Palujtshme.Per kete shkak pjesa me e madhe e pronave mbeten pa u rivleresuar.Prandaj duhet medoemos te shpejtohet procesi i rregjistrimit te pallateve,banesave e trojeve si dhe procesi i legalizimit te objekteve pa leje.Vetem pas kesaj duhet te rinise nje proces rivleresimi duke u percaktuar nje afat i aresyeshem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *