Ministria e Jashtme e Shqipërisë përshëndet arritjen e marrëveshjes për klimën në Paris, duke theksuar se marrëveshja në fjalë vendos një kuadër global afatgjatë e të qëndrueshëm për të pakësuar emetimet globale të gazit me efekt sere.
Sipas deklaratës, dakordësia e vendeve për t’u takuar çdo 5 vjet për një veprim të përbashkët është shprehje e urgjencës dhe nevojës për angazhim ndaj rrezikut që vjen prej ngrohjes globale, për të qenë kolektivisht të angazhuar në anën e shkencës.
“Shqipëria, si partnere me kontribut konkret në përpjekjet e përbashkëta, paraqiti angazhimet e saj kombëtare që në tetor 2015 dhe është tërësisht e angazhuar të zbatojë me rigorozitet angazhimet e marra për të pakësuar emetimin e dioksidit të karbonit (CO2) me 11.5 % deri në vitin 2030. Shprehim bindjen se Marrëveshja e Parisit do të shërbejë për të trajtuar edhe çështje të tjera të mëdha si siguria e ushqimit, shëndeti publik, lufta kundër varfërisë, dhe të drejtat themelore, duke kontribuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në botë”, thekson ministria e Jashtme. /Dita/
