Partizani, pikë të arta të lëna me ekipet e “vogla”

redaktor

Pavarësisht se nuk njeh asnjë humbje në kampionat, Partizani humbet momentalisht kreun e klasifikimit, për efekt golavarazhi, duke qënë se ndeshjet direkte llogariten kur të luhet edhe ajo e fazës së dytë. Mallkimi i të kuqve në këtë pjesë të parë të sezonit duket të jenë skuadrat e renditura në pjesën e dytë të klasifikimit, pasi 3 nga 4 barazimet kanë ardhur me skuadra që pozicionohen nga vendi i 6 dhe poshtë.

15 herë kampionët e nisën sezonin me barazimin 1-1 në shtëpi ndaj Laçit, një rezultat i pranueshëm në start, duke parë që kurbinasit konsiderohen si një kundërshtar i vështirë. Por në përfundim të javës së 16 bardhezinjtë janë të renditur në vendin e 6, duke humbur shkëlqimin e edicionit të shkuar, dhe për këtë arsye për Partizanin mund të konsiderohen si dy pikë të lëna më 21 gusht.

Ndalesa e dytë e të kuqve erdhi në javën e 11 në Vlorë, ku ndaj Flamurtarit nuk shkoi më shumë sesa barazimi pa gola. Dy pikë të tjera të hedhura poshtë duke parë që vlonjatët kanë zhvilluar një sezon të turbullt e me shumë probleme, rezultat i të cilës është edhe pozicionimi në vendin e 9 me pikë të barabarta me Tërbunin e vendit të fundit.

Një tjetër barazim pa gola erdhi në derbi ndaj Tiranës më 7 dhjetor, megjithatë ky u konsiderua një rezultat i pranueshëm për vetë faktin se u arrit në një ndeshje të vështirë tradicionalisht që njeh të 3 rezultatet. Por trendi nuk ndryshoi për formacionin e drejtuar nga Sulejman Starova, pasi një javë pas barazimit në “Selman Stërmasi” regjistron një rezultat surprizë në “Qemal Stafa”. Bylisi arriti të marrë një pikë, teksa për Partizanin janë 2 të humbura, duke parë problemet e shumta të kundërshtarit në përgatitjen e sfidës, pas skualifikimeve dhe dëmtimeve të shumta.

Të shtunën të kuqtë shkojnë në Korçë për të luajtur sfidën direkte me Skënderbeun, por dilema është e madhe, nëse Partizani ka lënë pikë sepse po kalon një moment të keq, apo nga neglizhenca për emrin dhe formën e kundërshtarit. Fundjava do të tregojë forcën reale të 15 herë kampionëve, të cilët duhet të frymëzohen nga loja e mirë e shfaqur më 25 tetor në “Qemal Stafa” ndaj kampionëve.

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *