Anila Rubiku vjen rrallë në Shqipëri, por sa herë që kthehet, ka një projekt me vete. Futet tek artistet e çuditshme, me vepra që analizojnë qenien njerëzore dhe japin mesazhe të forta.
Anila Rubiku e ndan jetën dhe aktivitetin e saj artistik mes Torontos, Milanos dhe Tiranës. Puna e saj përfshin vizatime dhe instalacione. Ajo ka zhvilluar një mënyrë unike për të përfshirë në mënyrë aktive njerëz vendas në projektet komunitare që kombinojnë traditën dhe artin, historinë vendase me një perspektivë më bashkëkohore duke krijuar një hibrid të ri. Ajo zgjedh si materiale të saj çështjet gjinore, arkitekturën, kujtimet dhe historinë.
E vlerësuar nga revista “Foreign Policy”, edhe me titullin “100 gratë më mendimtare të botës”, në vitin 2014, ajo së fundi është duke punuar në një ekspozitë mbi Durrësin. Paçka se ekspozita ka si tematikë qytetin bregdetar, ende nuk dihet nëse do të ekspozohet aty.
Duke kapërcyer nga Tirana në Milano e nga Milano në Toronto, Rubiku thotë se ende nuk di se cili qytet do të jetë ai që do të vendoset përfundimisht.
Anila Rubiku është diplomuar në Akademinë e Brerës, Milano, dhe ka një aktivitet artistik të pasur me ekspozita në Angli, SHBA, Izrael, Zvicër, Ukrainë. Pjesëmarrëse në Pavijonin Shqiptar të Bienales së Artit në Venecia, në vitin 2011.
E keni paralajmëruar një ekspozitë në Durrës, për të cilën thuhet se keni punuar që dy vite. Nga Toronto të zbresësh me një ekspozitë që i dedikohet pikërisht vendit ku jeni lindur dhe rritur, besoj se është një projekt që shkon edhe përtej artit?
Po punoj në një projekt mbi Durrësin, por nuk e di nëse ky projekt do të paraqitet në Durrës. Po punoj në Toronto që ta mbaroj këtë projekt e shpresoj se së shpejti do të jete gati. Nuk mund të flas më tepër sepse jam akoma në punim e sipër.
Do të përqëndroheni vetëm në Durrës, me idetë tuaja?
Shpeshherë të flasësh ose nisesh nga një problem lokal si Durrësi nuk do të thotë të flasësh vetëm për diçka lokale, por është një shembull konkret për një problem global. Nëse është një ide e mire është universale e funksionon kudo.
Mesa duket Shqipëria nuk ofron kushte të mira për të bërë art. Largimet e artistëve e kanë treguar këtë, ndër vite. Si ka qenë për ju?
Kushtet kanë qenë ato që ishin, ne nuk zgjedhim vendin e lindjes si edhe nuk zgjedhim familjen ose prindërit nga të cilët vijmë në këtë botë, apo situatën politike të një vendi. Ky është bagazhi që ne kemi në momentin që lindim. Si vendosim për të jetuar jetën tonë, e çfarë drejtimi marrim më tej është e rëndësishme.
Tiranë, Milano, Toronto, tri vendet që ke kapërcyer në ndërtim të karrierës për t’u vendosur momentalisht në Kanada. Çfarë ju kanë dhënë këto vende në shpirtin artistik?
Në të tria këto qytete jam për një kohë të caktuar e jo përgjithmonë. Nuk e di akoma se kush do të jetë vendi ose qyteti në të cilën do të vendos përfundimisht të qëndroj. Kush e di se çfarë do të më sjellë e ardhmja. Fjala gjithmonë më frikëson, sepse jetojmë në kohë kur tashmë asgjë nuk është përgjithmonë. Sot jam këtu e kjo është e rëndësishme. Nesër…kush e di çfarë e ku? Jam akoma në kërkim.
Deri më sot nuk kam pasur mundësinë të zbuloj diçka që kërkoj nga këto tri qytete. Tashmë kam distancën e duhur për të parë e analizuar gjërat.
Në anën tjetër, ju shumë shpesh jeni shpërblyer edhe me çmime të rëndësishme duke përfshirë edhe atë të përzgjedhjes në mesin e 100 mendimtarëve të botës, të ngarkojnë me përgjegjësi?
Gjithçka që kam arritur, ose një çmim që më është dhënë, është surprizë për mua, por në të njëjtën kohë edhe me gëzon. Do të thotë që jam në drejtimin e duhur e puna po shkon aty ku unë dua. Shpesh punët e mia duken shumë të thjeshta, por janë të përbëra nga shume shtresa të holla e delikate e të shtruara njëra pas tjetrës si petat transparente të bakllavasë. Thjeshtësia në prezantim e fortësia në koncept. Në projektet e fundit “Defiant’s portraits”, “Effacing memory” ose “Love’s Embrace” janë të thjeshta në media e të forta në koncept.
Sa e rëndësishme është për një artist të jetë e pavarur dhe sa e gjen këtë pavarësi jashtë vendit, konkretisht janë Shqipërisë?
Së pari, pavarësisht nga gjinia, puna duhet të jetë e fortë dhe e cilësisë së lartë. Nëse do diçka, lufto për ta marrë e për ta fituar, sepse askush s’të fal gjë. Asgjë nuk vjen nga qielli, ose siç e thotë Parmenides “Nothing comes from Nothing”
Shqipëria deri më sot është një shoqëri patriarkale. Sa artistë ka në Shqipëri që njihen e ekspozohen në skenën ndërkombëtare e që janë femra? Sa artiste shqiptare femra i është dhënë mundësia ose i kanë dhënë mundësinë vetës të vazhdojnë e të jetojnë me punën e tyre si artiste? Sa artiste femra japin mësim në Akademinë e Arteve në Tiranë? E pyetjet si këto janë shumë.
Të punuarit dhe të jetuarit jashtë, është më e vështirë për një artiste femër apo mashkull?
Nuk është e kollajshme për asnjë artist shqiptar mashkull apo femër. Nga më i njohuri tek ai më i riu. Ne nuk kemi asnjë perspektivë të një muzeu që kultivon artin e artistët bashkëkohorë shqiptarë. Asnjë çmim që të rrisë apo t’u japë kurajo artistëve të rinj e t’i stimulojë edhe nga ana ekonomike. Ne të gjithë po marrim e kemi marrë rrugët, për të pasur një karrierë.

Si cdo emigranti dhe artisti Shqiptare neper Bote i uroj shume suxsese ne jete dhe karieren personale .
Me behet qejfi per cdo shqiptare qe arrin suxses jashte Shqiperise , natyrishte edhe Brenda saj .
Fjalia e fundit s’me duket aq realiste .