Nxitja për këtë artikull më lindi prej reagimit të z.Ahmet Qeriqi, i datës 6 dhjetor 2015, me rastin e ndarjes nga jeta të babait të 5 (pesë) dëshmorëve të Luftës Çlirimtare në Kosovë, të ndjerit Idriz Dvorani, prej fshatit Trestenik i Drenicës. Pesë dëshmorë prej një familjeje, rast unikal edhe ky për Kosovën e atyre viteve. Pa drojën më të vogël mund të shprehemi se kemi të bëjmë me një Familje Heroinë. Po, çuditërisht, të befason fakti se të 4 (katër) vëllezërve biologjikë të dëshmorit Hysni Dvorani, pra Avni, Veli, Lumni dhe Haki Dvoranit, Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve, Dëshmorëve dhe Invalidëve të asaj lufte, së bashku me komandantin dhe gjithë drejtuesit e formacionit ku ata kanë zhvilluar aktivitetin e tyre çlirimtar, u është mohuar statusi i dëshmorit, duke i trajtuar thjesht si viktima lufte, me “argumentin” absurd se edhe pse kanë shërbyer në furnizimet logjistike të UÇK-së, kanë qenë pa armë! Por ekziston edhe paradoksi tjetër që po ky Komision Qeveritar u ka njohur statusin e veteranit qindra qytetarëve të Republikës së Shqipërisë me argumentin tjetër absurd: “kanë veshur uniformën e UÇK-së”.
Këta lloj argumentash absurdë të bëjnë të ulërasësh: O Tempora! O Mores! Ky lloj argumenti sa idiot aq edhe dashakeq të bën të besosh se këta lloj “komandantësh” e “komisionerësh” qeveritarë jo vetëm që nuk marrin vesh dhe nuk dinë se ç’është ushtria në përgjithësi, por, me sa duket nuk kanë mësuar asgjë nga lufta çlirimtare e Kosovës; nëse kanë luftuar. Këtë të fundit e them me plot gojën, sepse këta lloj “luftëtarësh” nuk dinë se prapavija (logjistika) quhet edhe SKALIONI i DYTË i luftës.
Dhe çfarë është në të vërtetë ky Skalion i Dytë i një lufte çlirimtare, sikundër ishte lufta e jonë e viteve 1997-1999 për çlirimin e Kosovës prej pushtuesit shekullor serb?
Skalioni i Dytë i luftës çlirimtare, nuk përbëhet nga heronjtë por nga ata që sigurojnë shërbimin e heroizmit; nuk përbëhet nga ata që marrin vendime luftarake, por nga ata që përgatisin kushtet për marrjen e vendimeve luftarake; nuk zhvillon luftime e betejat, por krijon kushtet për zhvillimin dhe fitoren e tyre; Skalioni i Dytë i luftës çlirimtare është llogaria e luftës.
Dhe më konkretisht: Skalioni i Dytë i UÇK-së (prapavija) përbëhej nga spitalet, depot, kuzhinat, pikat e riparimit të veshmbathjeve, makinave dhe armëve, nga institucionet e propagandës (Radio Kosova e Lirë, Agjencia Kosova Press dhe gazetarët e tyre) etj. Në këtë skalion grumbulloheshin veshmbathja (uniforma dhe këpucë) për frontin dhe jo për veten e tyre; atje riparoheshin uniformat dhe këpucët; atje gatuhej ushqimi i njomë (i ngrohtë) si dhe grumbullohej, përgatitej e shpërndahej ushqimi i thatë; atje riparoheshin ato pak mjete transporti që kishim; atje grumbullohej e bluhej misri dhe gruri; grumbulloheshin e shpërndaheshin municionet, armët e karburanti nëpër formacionet e UÇK-së; atje evidentoheshin të gjallët e të vrarët dhe varrosja e këtyre të fundit; atje jepej ndihma e parë e të plagosurve dhe mendohej ku do të dërgoheshin; atje përgatiteshin të plagosurit rëndë që dërgoheshin në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku nga 810 të tillë, vetëm njëri prej tyre nuk mundi të delte i gjallë për t’u rikthyer në front (rast unikal i të gjitha luftrave); atje shëroheshin dhe riktheheshin në front të plagosurit e shumtë; ai skalion i transportonte të plagosurit nëpër spitale e për në Shqipëri; në atë skalion llogariteshin edhe frika edhe heroizmi njëkohësisht; në atë skalion grumbullohej informacioni dhe i shpërndahej gjithë popullit të Kosovës dhe kombit shqiptar si dhe opinionit botëror mbi veprimtaritë luftarake të UÇK-së; përmes atij skalioni bëhej vijimisht ngritja dhe mbajtja lart e moralit të asaj ushtrie si dhe besimi në fitore jo vetëm për ne luftëtarët e UÇK-së, por për gjithë kombin. Nëse nuk do të ekzistonte Skalioni i Dytë i UÇK-së nuk do të fitohej kurrë lufta prej saj.
E bëra këtë shpjegim të domosdoshëm që të mos u mohohet kontributi dhe gjaku jo vetëm bijve të Idriz Dvoranit: Avni Dvorani, Veli Dvorani, Lumni Dvorani dhe Haki Dvorani, të cilët janë dëshmorë nga më të devotshmit, por të korrigjojnë edhe rastet e tjera të ngjashme.
Ky reagim i z. Qeriqi më nxiti edhe për faktin se një debat të tillë e kam bërë edhe në një rast me stafin e ish-Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, kur isha shef i atij kabineti, në gushtin e vitit 1999, kur diskutohej t’u jepej apo jo statusi i dëshmorit për doktor Lecin, Shpëtim Robaj dhe doktorin nga Tropoja H.Malaj, (i cili ishte vrarë në pritën që i kishin organizuar Ilir Konushefcit), si dhe me komandën dhe shtabin e Br153, kur diskutonin që një kuzhinieri të shtabit të brigadës të mos ia njihnin statusin e dëshmorit pse qe veshur civil dhe qe larguar përkohësisht për të përcjellë familjen në përbërje të kolonës popullore për në Prishtinë dhe rrugës, për fat të keq, disa bashkëpunëtorë kosovarë e kishin njohur, ua treguan paramilitarëve serbë dhe e kishin sharruar me sharrë druri.
Mirëpo, këto lloj mendësish pranohet të ishin të pranishme në ditët e para të pasluftës, por që të ekzistojnë edhe sot, pas 16 vjetësh si ka përfunduar ajo luftë, është diçka më shumë se dashakeqësi. Mos vallë nga kjo mendësi e nënvleftësimit të Skalionit të Dytë, “pa uniformën e UÇK-së e pa armë”, janë nisur edhe deputetët ish-luftëtarë të UÇK-së që nuk pranuan të dalin para Gjykatës Speciale Ndërkombëtare kategoria e kriminelëve bashkëpunëtorëve kosovarë dhe e kriminelëve serbë të Kosovës ngaqë kanë vrarë e masakruar veç shqiptarë “pa armë” ose “pa uniformë UÇK-je”?
Këto fakte tregojnë se në Kosovën e sotme mund të ndodhë çdo gjë që nuk ta pret mendja.

Te cuditeshme dhe jashte logjikes se analizes se kontrbuteve luftarake duken faktet qe sjell per familjen Dvorani o Dilo ?Po ku ka lufte pa prapavija dhe pa logjistike more injorante ushtarake . Madje jane prapavija dhe nderlidhja ato qe me gjuhen e strategjise dhe te planifikimit te operacioneve konsiderohen si sherbimet e vetme qe punojne me te njejten ngarkese e ritem si ne lufte ashtu edhe ne paqe ? Nuk e kuptoj fare logjiken e ketyre vleresuesve te familjes Dvorani ? Jo vetem nuk e kuptoj por dhe e konsideroj nje mosvleresim te qellimshem dhe nje akt te turpshem.Libri i nje autori amerikan qe kam ketu perpara dhe qe nuk eshte dosido por nje liber shume i vleresuar ne ushtrine amerikane e konsideron logjistiken “shkenca e pergatitjes per lufte..” dhe se ushtria sic thoshte Napoleoni varet nga stomaku i saj. E kuptojne mosvleresuesit fjalen shkence per lufte ? Nuk e kuptojne sepse me siguri vete nuk kane qene pjesemarres por sehirxhinj ose nga ata ferraxhinj qe pasi mbaron lufta kerkojne te rrembejne frytet e fitores se te tjereve ? Ky absurditet ushtarak duhet te korigjohet menjehere ose po shkruajme me germa te medha Turp ! Interesante jashte ketij monteksti o Dilo me duket fakti se fshati i tyre ne Kosove paska emrin e fshatit Trestenik te Devollit ndersa mbiemri i ketyre deshmoreve perkon me emrin e fshatit Dvoran te Korces dhe pak kilometra larg saj ne afersi me Boboshticen !? Nderime autorit per ngritjen e nje problemi kaq te ndjeshem
Korigjim:- fjala “monteksti” te lexohet “konteksti”.Tung!
Jepini familjes me pese deshmore meritat e mohuara padrejtesisht dhe qellimisht ? Ose vafshi ne te semes udbashe te rinj !
Faktet qe sillen per familjen Dvorani nuk jane fare te rastesishme.
Paragrafi i fundit i z. Goxhaj:
“Mirëpo, këto lloj mendësish pranohet të ishin të pranishme në ditët e para të pasluftës, por që të ekzistojnë edhe sot, pas 16 vjetësh si ka përfunduar ajo luftë, është diçka më shumë se dashakeqësi. Mos vallë nga kjo mendësi e nënvleftësimit të Skalionit të Dytë, “pa uniformën e UÇK-së e pa armë”, janë nisur edhe deputetët ish-luftëtarë të UÇK-së që nuk pranuan të dalin para Gjykatës Speciale Ndërkombëtare kategoria e kriminelëve bashkëpunëtorëve kosovarë dhe e kriminelëve serbë të Kosovës ngaqë kanë vrarë e masakruar veç shqiptarë “pa armë” ose “pa uniformë UÇK-je”?.
eshte nje arsye domethenese per te mbajtur kete qendrim.
dhe vertet :”Këto fakte tregojnë se në Kosovën e sotme mund të ndodhë çdo gjë që nuk ta pret mendja”. Ashtu si po ndodh me qeverine e Kosoves qe “flet dhe vepron serbisht”