Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 1,75%.
Guvernatori, Gent Sejko tha se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një politikë monetare stimuluese edhe gjatë vitit 2016. Sejko u shpreh se, aktiviteti kreditues mbetet ende i zbehtë, por sipas tij, ulja e nivelit të kredive të këqija do të rrisë kreditimin.
“Banka e Shqipërisë gjykon se hendeku negativ i prodhimit dhe çmimet e ulëta në tregjet botërore do të vazhdojnë të jenë të pranishme përgjatë një horizonti kohor afatshkurtër. Efekti rënës i tyre në inflacion do të kompensojë efektin rritës të çmimeve të larta të produkteve ushqimore. Për rrjedhojë, inflacioni mesatar për vitin 2016 pritet të luhatet rreth nivelit 2.3%. Më tej, inflacioni parashikohet të ndjekë një tendencë rritëse dhe të kthehet në objektivin tonë prej 3% rreth fillimit të vitit 2018”, tha Guvernatori Sejko.
