Investimet strategjike, garancitë financiare dhe kostot  

Dita

Qeveria jonë ka miratuar aktet nënligjore që do të shoqërojnë zbatimin e ligjit për investimet strategjike. Në to përcaktohen termat në lidhje me nënsektorët prioritarë, që janë: energjetika dhe mineraret; transporti, infrastruktura e komunikimet elektronike dhe mbetjet urbane”; turizmi (strukturat turistike)”; bujqësia (fermat e mëdha bujqësore) dhe peshkimi; zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”. Gjithashtu në aktet nënligjore përcaktohen edhe kriteret për projektet që marrin statusin e “projektit me potencial strategjik”. Aplikimi për përfitimin e statusit “projekt me potencial strategjik” është hapi fillestar i procedurave administrative për vlerësimin e investimeve strategjike. Ky status propozohet nga momenti i nismës për të hartuar projektin dhe, në rast se miratohet, zgjat deri në momentin kur përfitohet statusi “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”. Komiteti i Investimeve Strategjike mund të vendosë, rast pas rasti, afate maksimale kohore për kohëzgjatjen e statusit “projekt me potencial strategjik” në favor të propozuesit, si mekanizëm nxitës për mbylljen në kohë të shkurtër të procedurave administrative dhe shmangien e vonesave nga investitori.

Tarifat për shërbimet ndaj investitorëve strategjikë

Sipas akteve nënligjore tarifat që aplikohen për shërbimet ndaj investitorëve dhe investimeve strategjike janë, tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative; ( fikse 70,000 lekë) dhe tarifa e menaxhimit të procedurave të investimeve strategjike. Tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative mbulon kostot e shpenzimet për të gjitha shërbimet e kryera nga agjencia, që nga momenti i paraqitjes së aplikimit deri në momentin e marrjes së vendimit, në lidhje me miratimin ose jo të statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”, apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Garancitë financiare

Aktet nënligjore përcaktojnë dhe dokumentacionin e garancive financiare që kanë të bëjnë me personat juridikë privatë, vendas e të huaj, të cilët, në cilësinë e subjekteve investuese të interesuara për zhvillimin dhe realizimin e një investimi strategjik, kërkojnë përfshirjen e projektit investues në procedurat administrative të investimeve strategjike, me qëllim marrjen e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”, apo “Investim/ investitor strategjik, procedurë e veçantë”, përveç dokumentacionit të kërkuar, në lidhje me projektin, duhet të paraqesin, pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, dokumentacionin që provon kapacitetet financiare për realizimin e projektit investues, si mënyrë garancie për zbatimin dhe zhvillimin e projektit. Dokumentacioni që provon kapacitetet financiare për realizimin e projektit investues duhet të përmbajë të dhëna financiare që dëshmojnë aftësinë e investitorit për realizimin e investimit, në masën jo më pak se 10% të vlerës totale të tij. Garancitë financiare për marrjen e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” paraqiten në momentin e aplikimit dhe/ose të nënshkrimit të kontratës, në rastet kur, sipas ligjit të aplikueshëm, nënshkruhet një kontratë e tillë me shtetin. Kufiri minimal i garancive financiare të jetë në masën, jo më pak se 10% të vlerës totale të investimit. Komiteti i Investimeve Strategjike, në varësi të karakteristikave, përmasave dhe kompleksitetit të projektit, eksperiencës e kapaciteteve të investitorit, si dhe në varësi të interesit publik, mund të kërkojë nivele më të larta të përqindjes së kapaciteteve financiare të kërkuara, por jo më tepër se 20% të vlerës totale të investimit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *