Po dëgjojmë përditë se kapen sasi të mëdha hashashi e kanabisi. Kjo sigurisht është gjë e mirë. Ju lumtë policisë dhe juve si drejtor i saj. Vetëm se të habit fakti se po nga ato burime, dmth nga policia, thuhet se droga vinte nga Lazarati(!) Unë e pyes Z. Burgaj (nuk pyes kryeministrin, pasi ai nuk dinte ku binte Gërdeci e jo më Lazarati që është larg kryeministrisë): A e di Z. drejtor i përgjithshëm i policisë se ku bie ky fshat prej nga vjen e gjithë droga që kapet nëpër rrugë e kufij? Në qoftë se e di, pse nuk kap “ujkun”, por gjurmët?
A e keni burrërinë, Z. drejtor, të dilni hapur dhe t’i thoni publikut që, i habitur dëgjon këto lajme, se si është e mundur që një fshat, (banorët e të cilit, duhet thënë të vërtetën, nxjerrin bukën e gojës, pasi shteti nuk u ka dhënë mundësi tjetër), mban në gjendje alarmi një polici të tërë shteti, pasi shteti ka frikë prej tij, aq sa nuk afrohet dot atje? Këto që them, natyrisht, nuk i beson kush, pasi shteti kur do, kap edhe një çantë me ilaçe kontrabandë, e jo më një fshat nga i cili dalin furgonët me kanabis sikur të ishte ndonjë depo drithi që furnizon fabrikat e miellit. Ku fle lepuri Z. Burgaj? Edhe një pyetje të fundit: Pse nuk i thoni popullit se çfarë bëhet me ato kuintalët e tonet me drogë që kapen? Jua them këtë për t’ju ndihmuar, pasi gojët e këqia flasin sikur ajo, (larg qoftë) shitet nga vetë shteti kontrabandë.
Email nga adresa: [email protected]
