Tafa, modeli i zgjedhësit që shet votën

anazapta

Teksa zgjedhjet politike po afrojnë m’u kujtua një zgjedhës në rrethin e Matit. Për shkurt i thërrasin, Tafë. M’u kujtua ai, se megjithëse një njeri pa shkollë dhe banor i një zone të thyer malore, ka gjetur një “mekanizëm” për të përfituar lekë në këmbim të votës. Në zgjedhjet e fundi lokale pata mundësi të bisedoj gjatë me këtë votues, madje në shtëpinë e tij. Ishte shumë i varfër. Vuante për copën e bukës. Kolegët më kishin thënë se ai çdo raund zgjedhjesh merrte lekë nga kandidatët për deputetë apo kryetarë komune. Teksa bisedoja me të e pyes: A ke marrë lekë në zgjedhjet e kaluara ? Po-më përgjigjet. Vazhdimisht u marr para kandidatëve dhe partive politike, të majtëve, të djathtëve dhe të pavarurve. Biseda ime vijoi më tej: Po votat e familjes tuaj kujt ia keni dhënë ? Unë, tha Tafa, një votues hileqar i regjuar, votoj vetëm për PD-në, por lekët rrekem t’ua marr të gjithëve.

E solla shembullin e Tafës për të kuptuar se zgjedhësit shqiptarë, sidomos ato të zonave rurale, e shesin votën pa problem, sidomos kur bëhet fjalë për të votuar Partinë Demokratike. Ky marifet në rrethin e Matit ka hyrë vitet e fundit, nga drejtusit lokal të PD-së dhe deputetët e Qarkut Dibër. Për të blerë Tafën dhe Tafa të tjerë ato grumbullojnë me detyrim donacione nga subjektet private. Më pastaj, dy ditë para zgjedhjeve janë “arkëtarët” që i shpërndajnë këto para derë më derë. Shitja e të djathtëve tashmë është kthyer në fenomen, pasi pa nisur fushata pyesin: Sa para do t’na jepni për votë këtë herë ? Mirëpo, ky infeksion ka prekur dhe të majtët. Pas këtyre argumentave shtrohet pyetja: Çfarë përfiton Tafa dhe zgjedhësit që shesin votën e tyre? Është për të vënë duart kokës kur mëson se marrin 1000-2000 lekë për një votë, një kuintal miell apo disa kilogram ushqime. Dhe për katër vjet kruajnë dhëmbët sepse kanë shitur shpirtin.

 

Letër e nënshkruar: Hasan Pasha

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *