Kreu i shtetit Bujar Nishani i akordoi kampionit shqiptar të boksit për peshat super të mesme në Federatën IBC, Kreshnik Qato, Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për talentin dhe kontributin e çmuar që ka dhënë dhe jep për të mbajtur lart jehonën e sportit shqiptar kudo në botë”.
Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, familjarë të boksierit Qato, miq, drejtues të Federatës Shqiptare të Boksit, personalitete nga fusha e sportit dhe e kulturës.
Presidenti Nishani në fjalën e tij, u shpreh se vlerësimi që i bëhet njërës prej ikonave të sportit modern shqiptar është edhe një homazh për të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë tërë jetës për sportin, kulturën dhe emrin e Shqipërisë.
“Është shumë e pakët sot të flasësh, dhe të dedikosh vlerësimin për kontributin e qindra njerëzve të tillë, sepse në këtë kontribut është shtrirë gjithë jeta e tyre. Mjaft prej këtyre ikonave të sportit sot nuk janë më midis nesh, por ajo që është shumë e rëndësishme, është se emri dhe vepra e tyre kujtohet gjithmonë. Prandaj, unë do të dëshiroja që t’ju ftoja të gjithë së bashku, që nderimin që i bëjmë Kreshnikut ta konsiderojmë dhe si një kujtim dhe nderim të të gjithë atyre sportistëve, të cilët tërë jetën e tyre, pasionin dhe angazhimin e tyre individual, njerëzor, familjar, por dhe dhuntinë që patën, e ofruan për konsolidimin e kulturës së kombit dhe vendit e tyre”, theksoi Presidenti i Republikës.
Kreu i Shtetit konfirmoi se krahas detyrave të tjera kushtetuese, do të ketë gjithmonë si prioritet, promovimin dhe përçimin e vlerave kulturore dhe kontributit të shquar të sportistëve ndër vite.
“Kam bindjen më të palëkundur, që duke respektuar individët, duke respektuar jetën e tyre individuale, profesionale, sportive dhe njerëzore, i kemi bërë nder vendit, imazhit të tij, trashëgimisë që ata na kanë lënë dhe brezave të ardhshëm. Prandaj, dëshiroj që sot të shpreh të gjithë vlerësimin tim për këtë plejadë të madhe njerëzish të shquar, të cilët shpesh herë, me pa të drejtë, nuk vijnë në vëmendjen e duhur të shoqërisë, dhe kjo është përgjegjësi e institucioneve”, u shpreh Presidenti Nishani.
Pas leximit të dekretit presidencial, boksieri Kreshnik Qato i shprehu mirënjohjen e tij Presidentit Nishani me këto fjalë: “Është një kënaqësi që nuk besoj se do të më vijë ndonjëherë dhe gjej rastin t’ju falenderoj, që keni organizuar së pari një takim special posaçërisht vetëm për mua”.
