Kukësi ngjitet i treti, Tërbuni mbetet në fund

redaktor

Kukësi u ngjit i vetëm në vendin e 3-të të klasifikimit në Superiore, pavarësisht se nuk arriti të fitojë në javën e 17-të. Ekipi i Klodian Duros dhe Hasan Likës barazoi 1-1 në “Ismail Xhemali” me Tërbunin pas një 90 minutëshi që dominoi, por dhe gaboi shumë përpara portës mbi të gjitha me Limën, që ishte në fakt dhe futbollisti që realizoi golin e të tijve. Një pikë me vlera për Tërbunin që gjeti te Dhrami udhëheqësin në sulm e te Haxho sigurinë e portës.

Kukësi kërkonte tjetër fitore në transfertë, por përballë Tërbunit ndeshja nuk do të ishte aspak e thjeshtë për ekipin e Duros. Kuksianët diktuan ritmin që në fillim me pukjanët që u tërhoqën mbrapa duke lejuar pak hapësira, të cilat Hasani u përpoq t’i shfrytëzonte me një roveshatë. Pesë minuta më pas provoi dhe Shameti me kokë, por jo saktë, ndërsa Tërbuni u përgjigj me një godite dënimi të ekzekutuar me skemë, por që nuk solli finalizim për vendasit.

Skuadra mike ishte tërësisht dominuese në fushë dhe në të 25-të, Lima dhe Hasani kombinuan mirë me njëri-tjetrin, por pa gjetur dot golin. 2 minuta më pas kjo dyshe u përsërit në një tjetër aksion spektakolar, por Haxho kontrolloi në zonë. Në të 31-tën rrezikoi dhe Ansi Nika, por goditja e ishte mbi traversë. Pikërisht Nika pati një tjetër mundësi në të 37-tën, të cilën nuk e shfrytëzoi siç duhet. Rastet e Kukësit filluan të shtohen, por goli mungoi edhe kur Lima e gjeti veten vetëm 1 metër larg portës, duke goditur shtyllën në mënyrë të pabesueshme.

Pjesa e dytë nisi sërish me Kukësin këmbëngulës, por Haxho u bë shpëtimtar i të tijve në të 50’ kur ndali me një pritje fantastike goditjen e Limës. Zgjidhjet e thjeshta nuk po rezultonin efikase për verilindorët ndaj në të 54’ Flores provoi një roveshatë, por Haxho e kishte gati një përgjigje dhe për të.

Në të 58-tën, për Hasanin u rikthyen hijet e një tjetër dëmtimi, kur shfaqi probleme muskulare në fushë. Atë që nuk bëri Kukësi e bëri Tërbuni në të parin rast, kur Dhrami hyri mirë mes mbrojtësve të Kukësit duke kaluar në epërsi të tijtë për golin e 3-të sezonal.

Në tribunë presidenti Gjici u shfaq i ngrysur. Kukësi u përpoq të reagonte sërish, por për Limën ishte dita e rasteve të humbura. Gjithsesi tersin e sfidës, braziliani e largon kur gjendet i vetëm me 7 metra portë të boshatisur përpara tij për të barazuar shifrat.

Gjithsesi rastet e humbura për ekipin e Duros nuk kishin përfunduar ende, pasi në të 81’ golit ju afrua dhe Shameti, por goditi mbi kuadrat. Ndërsa në të 83-tën ishte radha e Limës për të gabuar sërish. Në të 85-tën ishte radha e Flores për të shpërdoruar. Ky ishte rasti i fundit i mirë me dy skuadrat që ndanë nga një pikë mes tyre, që në fakt i shërben më shumë Tërbunit sesa Kukësit, që mund të ishte shkëputur më shumë në vendin e 3-të.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *