Pas humbjes në Korçë, në duelin direkt për titull kundër Skënderbeut, klubi vendosi që skuadra të qëndrojë së bashku deri në fundin e gjysmës së parë të sezonit.
Të gjithë lojtarët do të qëndrojnë në hotelin ku të kuqtë akomodohen përpara ndeshjeve, si një mënyrë për ta mbajtur grupin të bashkuar në këtë moment delikat.
Sapo u kthye nga trasferta në Korçë, ekipi iu drejtua hotelit, duke zhvilluar përgatitje specifike, në kuadër të ndeshjes së fundit përballë Teutës.
Seancat stërvitore kanë vijuar rregullisht në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamzë, ku Starova u ka kërkuar lojtarëve impenjim dhe përqendrim maksimal, për ta mbyllur me fitore 2015.
Trajneri i të kuqve ndaj është i detyruar të bëjë ndryshime në formacion ndaj Djemve të Detit, pasi nuk ka në dispozicion tre lojtarë të formacionit bazë.
Përveçse Xhevahir Sukajt që u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Skënderbeut, do të mungojnë për arsye pezullimi edhe Batha me Mazrekajn.
Humbja me kampionët në fuqi, por edhe barazimet e fundit me Bylisin dhe në derbin me Tiranën ndikuan disi te tifozët. Prej momentit jo të mirë që po kalon skuadra, entuziazmi mes mbështetësve nuk është më ai i mëparshmi.
