Moti i keq bën të “fluturojnë” çmimet e prodhimeve bujqësore

anazapta

Reshjet e shumta të ditëve të fundit dhe përmbytjet kryesisht në zonën veriperëndimore duket se kanë ndikuar në rritjen e çmimeve për shumë  produkte bujqësore në treg. Çmimet janë rritur në mënyrë të menjëhershme. Konsumatorët ankohen  se po e blejnë një kilogram sallatë jeshile me 250 lekë si asnjëherë tjetër. “Shumë janë ngritur. Sallata jeshile, domatet janë shumë lart. Rrepat nga 700 lekë që kanë qenë, kanë vajtur 1800. Janë ngritur karotat shumë, nga 500-600 që kemi marrë gjithë dimrin, kanë shkuar 1200”, thotë një konsumatore për Top Channel. Por, të pakënaqur nga rritja e çmimeve nuk janë vetëm konsumatorët. Edhe vetë tregtarët ankohen se nuk kanë xhiro. “3 mijë lekë kilja, 2800 lekë është marrë, për 200 lekë. Kungulli është marrë 1800 lekë, shitet 2000 lekë, as 200 lekë nuk fitojmë. Të gjitha çmimet janë skandal. Të marrësh spinaqin 1500 lekë me shumicë, kot asnjë lek nuk po fitojmë. Çmimet janë në tavan dhe nuk është faji ynë”, shprehet një tregtare. Këto çmime u referohen tregjeve të mëdha ku çmimet janë edhe më të lira, pasi në supermarkete dhe dyqane të lagjeve çmimet pësojnë edhe një rritje tjetër. Sipas tregtarëve çmimet e larta të produkteve bujqësore duket se do të na shoqërojnë gjatë pasi  moti me reshje të shumta ka penguar fermerët të bëjnë mbjelljet e stinës në fushë, ndërsa prodhimet serrave nuk përballojnë dot kërkesën e tregut.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *