200 mijë vota më shumë me 150 mijë votues më pak?!

editor

Në zgjedhjet e vitit 2001, nga 2.67 milionë shqiptarë me të drejtë vote, 1.35 milionë (ose rreth 51 %) hodhën në kutitë e votave fletë votimi (shumica derrmuese të vlefshme e disa të pavlefshme). Ndërkohë, sipas Censusit të atëhershëm, vetëm 1.97 milionë votues jetonin në Shqipëri – pjesa tjetër ishte në emigracion.

Katër vjet më vonë, në 2005-ën, numri i votuesve që morën pjesë në zgjedhje u rrit fare pak – vetëm 43 mijë. Ndërsa çudia ndodhi në vitin 2009 dhe 2011, kur numri i votuesve arriti respektivisht 1.55 dhe 1.59 milionë. Pra, një rritje prej mbi 200 mijë pjesëmarrësish në votime në krahasim me 2001-shin. Dhe kjo ndodhi kur, sipas Censusit të 2011-ës, numri i votuesve që jetonin në Shqipëri jo vetëm që nuk u rrit në krahasim me 2001-shin, por u pakësua me rreth 150 mijë.

Paradoksale këto shifra – numri i votave rritet me 200 mijë, ndërkohë që numri i votuesve pakësohet me 150 mijë! Të ketë ndodhur kjo nga rritja e përqindjes së pjesmarrjes në votime?

Jo, në dy zgjedhjet e fundit, vetëm 50%-51% e votueve që e kishin emrin në listën e zgjedhësve (pavarësisht nëse jetonin në Shqipëri apo jashtë saj) votuan – po aq sa në 2001-shin.

Mos kanë ardhur 200 mijë emigrantë ditën e votimit thjesht për të votuar?

Po të kishte ndodhur kjo gjë, Kakavijës, Kapshticës, Durrësit dhe Rinasit do t’u ishin djegur kompjutrët nga tejngarkesa e procesimit të pasaportave. Në pikun e pushimeve të verës, këto pika kufitare procesojnë maksimumi nga 5-6 mijë emigrantë në ditë dhe rradha bëhet me kilometra e gjatë.

Ose ndoshta ka ndodhur ajo që ndodhi në Dajç në 2011-ën dhe në Ruzhdie në 2009-ën?

Siç mund t’i kujtohet lexuesve, gjykatat provuan në këto dy raste se fletët e votimit për emigrantët që nuk mundën të vinin në ditën e zgjedhjeve, i hodhën në kutitë e votave të afërmit e tyre në Shqipëri.

Ky do të ishte ndoshta dhe shpiegimi më i arsyeshëm për paradoksin e rritjes së numrit të votave me 200 mijë, kur numri i votuesve që jetojnë brenda vendit pakësohet me 150 mijë.

Fatkeqësisht, INSTAT-i nuk ka publikuar ende të dhëna të detajuara me grupmosha sipas qarqeve nga Censusi i fundit, që të mund të përcaktonim se sa shtetas me të drejtë vote ishin fizikisht në çdo qark në 2011-ën. Po t’i kishim këto të dhëna, mund të analizonim se në cilat qarqe paradoksi i mësipërm do të ishte edhe më paradoksal. Pra, të shihnim se ku votimi fiktiv mund të ketë patur mahisjen më të madhe.

Sidoqoftë, me këmbënguljen e PS-së, në kodin e ri zgjedhor është futur për herë të parë identifikimi elektronik i zgjedhësve me anë të kartave të identitetit. Dhe kjo teknologji do te aplikohet në qarkun e Tiranës, i cili ka çerekun e mandateve të Kuvendit, si dhe përfshin rrethina problematike si Kamza, Bathorja e Paskuqani. Por duket se KQZ-ja dhe qeveria po vonohen në zbatimin në praktikë të identifikimit elektronik në këtë qark.

Në një intervistë që i dha gazetës MAPO para ca ditësh, Damian Gjiknuri, Sekretari i PS-së për Çështjet Zgjedhore, e ngre shqetësimin për vonesën e mësipërme. “Procesi i futjes së teknologjisë së re në zgjedhje po rrezikohet seriozisht nga mosveprimet e ekzekutivit dhe administratës së kontrolluar politikisht të KQZ-së,” i deklaroi Gjiknuri MAPO-s (http://respublica.al/artikuj/2012/11/20/gjiknuri-zell-i-qeverise-per-therrje-bagetish-por-jo-per-teknologji-te-re-ne ).

Por ngritja e shqetësimit në një gazetë me qarkullim 4-5 mijë kopjesh nuk është e mjaftueshme përballë një problemi kaq madhor sa votimi fiktiv. Partia Socialiste nuk duhet të harrojë se koalicioni i saj, edhe pse pati një rritje në rang vendi prej 124 mijë votash nga 2005-sa në 2009-ën, rezultoi me 24 mijë vota më pak se koalicioni i PD-së. Dhe avantazhi i kësaj të fundit u regjistrua nga KQZ-ja kryesisht në zonat rurale dhe rrethinat e qyteteve, ku edhe votimi fiktiv është më i mundshëm…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *