Numri i të droguarve shkon duke u rritur gjithnjë e më shumë. Aktualisht në Shqipëri trajtohen rreth 500 persona në muaj, ndërsa 200 prej tyre ndodhen në terapi. Rreth 16-17 % të totalit të të droguarve e zë komuniteti rom. Drejtuesi i shoqatës “Aksion Plus”, Genci Muçollari, në një intervistë për “Shekullin” shpjegon se përdoruesit janë të disa kategorive, mes të cilëve më problematikët janë ata që i rikthehen helmit të bardhë pas disa muajsh trajtim. Muçollari rrëfen vështirësitë me të cilat përballet shoqata çdo ditë, ndër më problematiket mungesa e gjatë e metadonit, ilaçit që përdoret për të trajtuar të varurit nga droga.
“Shumica e rasteve që paraqiten në qendër vijnë me rekomandim. Po ashtu ka edhe raste tipike kur prindër të dëshpëruar sjellin fëmijët e tyre për t’i trajtuar . Një nga problematikat kryesore është rikthimi tek droga. Pjesa më e madhe e personave që dalin prej këtu rikthehen pas njëfarë kohe. Prandaj duhet shumë punë e madhe për sa i përket parandalimit të kësaj situate. Kemi pasur raste që tre javë rresht metadoni nuk erdhi në kohë, dhe njëri prej tyre tentoi të vriste veten duke prerë damarët. Duke përdorur injektimin në vena për një kohë të gjatë , ata digjen me kalimin e kohës dhe vena merr fund. Në këtë rast personat e droguar fillojnë të injektojnë drogën në qafë apo zona të tjera shumë të rrezikshme. Kemi dy tre raste të personave të të tjerë që duke tentuar të injektonin drogë në zona të rrezikshme kanë kaluat në paralizë”, thotë ai.
Sipas tij, numrin më të lartë të përdoruesve në Shqipëri e ka Vlora, ndërsa mosha dominante e atyre që bien në kurthin e drogës është rreth 22-23 vjeç.
“Të dhënat e fundit nga Vlora thonë që janë shtuar së fundmi përdoruesit e drogës. Nga 80 kanë shkuar në 107 përdorues droge. Edhe Korça po ashtu është goxha problematike. Durrësi ka qenë dhe do të jetë problematik gjatë gjithë kohës. Ka pasur pacientë nga Durrësi që vinin çdo ditë në Tiranë për të marrë metadonin, ndaj u detyruam të hapim një qendër në Durrës. Shkodra dhe Elbasani nuk mbeten prapa”, thotë Muçollari.

Kjo eshte Shqiperia qe premtoi dhe beri realitet Sali Shpirte Ziu. Eshte per te ardhur keq por edhe kete kontigjent Sala i quan te punesuar nga programi i PD