Flamurtari shkëlqen, thyen 3-0 Skënderbeun

redaktor

2015-ta mbyllet në mënyrën më të keqe për Skënderbeun që bie në Vlorë përballë Flamurtarit.

Bregdetarët triumfuan 3-1 gjatë një 90 minutëshi të interpretuar pothuajse në perfeksion dhe të frymëzuar nga mesfushori Bedri Greca, i cili ishte protagonist në të tre golat e shënuar nga kuqezinjtë që sigurojnë suksesin e dytë rresht pas fitores së pak ditëve më parë në Ballsh.

3 pikë që mbushin me oksigjen Flamurtarin pas problemeve të shumta në muajt e parë të këtij sezoni, ndërsa korçarët janë të detyruar ta pranojnë këtë humbje që gjithsesi nuk ua heq titullin e kampionit të dimrit.

Olayinka që luajti edhe ndeshjen e fundit me Skënderbeun, kishte në këmbët e tij topin e golit të parë që në minutën e pestë por nigeriani nuk përfitoi nga gabimi i Kuqit pasi u ndal nga Halilaj në përballjen një për një me portierin vlonjat. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 26 pasi Greca bëri gjithçka mirë me një sprint që përshkoi pothuajse gjithë gjysmëfushën e korçarëve duke dhuruar një asist për Lenën.

Skënderbeu u duk i përgjumur dhe nuk arriti të jepte sinjale të rëndësishme gjatë pjesës së parë. Olayinka i mbështetur nga Latifi dhe Esquerdinha e kishin të pamundur për të zbërthyer mbrojtjen vlonjate.

Gjithsesi, me nisjen e pjesës së dytë nigeriani u spostua në të djathtë ndërsa Latifi u vendos në qendër. Ishte pikërisht Olayinka që vendosi baraspeshën 7 minuta nga fillimi i pjesës së dytë. Kërcim i fuqishëm me kokë dhe në kampin kor u rikthye përkohësisht qetësia.

Ndeshja u ndez edhe më shumë pasi vendasit reaguan menjëherë 2 minuta më pas me Shehajn goditja e të cilit ishte e gabuar, ndërsa në të 58-ën, Greca u tregua një kohë më i shpejtë se Shehi për të shtyrë në rrjetë pasimin e Ylli Hoxhës.

Skënderbeu u hodh i gjithi në sulm në kërkim të golit të barazimit por Shkëmbi në të 78-ën u tregua i pasaktë, ndërsa në minutën e 81 goditja e Berishës u devijua nga Halilaj.

Në krahun tjetër, Greca fitoi një goditje dënimi në kufijtë e zonës së rreptësisë dhe ishte Telushi ai që me një të djathtë të saktë vulosi fatin e takimit.

Minutat në vazhdim nuk i ndryshuan shifrat dhe në këtë mënyrë Flamurtari ngjitet në kuotën e 16 pikëve, duke u ngjitur në vendin e shtatë të klasifikimit, ndërsa Skënderbeu mbetet në krye me 43 pikë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *