Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të mos e rrisë më tej çmimin e korrentit.
Megjithatë, shqiptarët paguajnë më shumë se të gjithë qytetarët e vendeve të rajonit për energjinë edhe pse kostoja e prodhimit është e ulët.
Në konkluzionet e saj, ERE kërkon ndërhyrjen në rrjet për të përmirësuar furnizimin për qytetarët. Zakonisht, ERE mblidhet çdo fundvit për të përcaktuar çmimet e energjisë për qytetarët, por edhe për kompanitë. Të paktën deri në qershor të vitit të ardhshëm, çmimi i energjisë do të jetë i njëjtë.
Enti Rregullator ka kërkuar nga kompania OSHE që brenda vitit 2016, të gjithë qytetarët të pajisen me matës energjie në mënyrë që të mos ketë faturim afrofe. Gjithashtu, Enti kërkon edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët.
Nga ana tjetër, qeveria ka paralajmëruar se me përmirësimin e financave të kompanisë OSHE do të ulë edhe çmimin e energjisë, teksa mbledhja e të ardhurave është rritur ndjeshëm. /Dita/
