Të mbërthyer nga mafia

redaktor

Kryeredaktorit, z. Thano! Shumë keni bërë, po bëni dhe kam besimin se do të bëni me stafin tuaj të kualifikuar dhe bashkëpunëtorët e niveleve të larta. Kam punuar gjithë jetën si tërë shqiptarët, edhe pse tani me një pension qesharak, e kam besimin të plotë se janë të gjitha mundësitë që vendi ynë të eci përpara me ritmet e duhura, pavarësisht nga dështimet e pajustifikuara në këto 25 vjet. Reforma në drejtësi na jep shpresa se do të ndikojë në radhë të parë në përmirësimin e politikës dhe si rrjedhojë, të parlamentit e të institucioneve të vendit nga të inkriminuarit. Por më është krijuar përshtypja se me disa koncesione dhe kontrata, sikur i është zënë fryma gjithë vendit, sikur e ka pushtuar mafia ndërkombëtare bashkë me atë brenda vendit. Qeverisë aktuale veç i ka mbetur të negociojë pa fund me këtë mafie për të çliruar vendin nga ato kushte skllavëruese. Hapësira ajrore është marrë peng nga koncesionari i aeroportit “Nënë Tereza”. Zhbllokimi i kësaj situate do të favorizonte ekonominë e sidomos turizmin. Dhënia me koncesion e 400 hidrocentraleve nëpërmjet sekserëve të politikës kur të gjejnë ata investitorët për të mbushur xhepat e tyre, ka bllokuar ato ku mund të ofroheshin investitorë të përshtatshëm. Vështirë është, si Langarica që jo vetëm ishte zonë e mbrojtur, por edhe është financuar nga Banka Botërore, apo Kalivaçi i zënë nga mafia Bechetti. Po kështu, nga nafta e zaptuar nga “Bankers Petroleum”, shteti ynë ka 11 vjet që nuk merr taksat për papërgjegjësinë e kontrollit të shpenzimeve mashtruese të raportuara nga kjo firmë, kur drejtuesit e saj paguhen me qindra miliona. Po kështu CEZ me DIA nën qeverisjen e PD-së që e çuan në faliment të plotë energjinë elektrike dhe pa pikë turpi kthehen nga të akuzuar, në akuzatorë. Edhe minierat u shitën e u shkatërruan, kur mbanin me punë popullsinë e Dibrës, Matit, Librazhdit, Tropojës etj.

Prandaj kërkohet nga kjo qeveri e 1 milion votave të mbështetur nga populli, të denoncojë pa reshtur çdo lloj korrupsioni, krimi, tradhtie të interesave të vendit, se po na soset durimi me thirrjet histerike të të inkriminuarve hajdutë, kriminelë e tradhtarë. Minjtë po e ndjejnë tmerrësisht tërmetin. Përshëndetje!

 

Letër e nënshkruar,

Rushit Plaku

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *