Në sheshin përball Stadiumit “Selman Stermasi”, të varura një e nga një në dy tela paralelë, qëndrojnë radhë-radhë, 49 lëkura dhie dhe 1 ujku. Nuk po flasim për një thertore, por për punën e një njeriu i cili ka bërë të mundur që këto materiale t’i kthejë në art.
Duke dashur të përfitojë nga hapësira që vuri në dispozicion Bashkia e Tiranës, për ekspozimin e punimeve të dorës, Pjetër Vukaj udhëtoi nga Shkodra në Tiranë dhe u vendos në këtë vend prej dhjetë ditësh.
Trupat e lakuriqtë të gdhendura në lëkurë dhie, janë të parat që bien në sy në “Bioartin Unik” të Pjetër Vukajt.
Aty gjen gruan nga Kelmendi të veshur me xhubletë, malësoren me bucelë në krah, vashat nudo nën hijen e pemëve, shtojzovallet dhe gra shtatzëna me gjinj të fryrë.
Krah tyre sheh Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun dhe po ashtu disa burra malësie me vështrim të mprehtë dhe të vrazhdë.
“Në fillimet e mia jam marrë me krijimtari letrare, dhe punimet në dru. Kam afro 15 vite që kam filluar me lëkurë. Suksesi im mbi lëkurë doli në pah para gjashtë viteve”, thotë Vukaj për Dita-n.
Ai nuk ka shkuar në një shkollë arti, gjithçka e ka mësuar si autodidakt.
“Nuk kam bërë asnjë ditë shkollë apo kurs për këto punë që ju shihni këtu, por kjo nuk më ka penguar që të punoj mbi to, madje jam nderuar edhe me çmime. Njërin prej tyre e kam marrë në Teheran, në vitin 2011” – tregon 50-vjeçari.
“Puna është pak e vështirë, por ajo që më mban është pasioni. Është nga ato gjëra që e bëj me shumë dëshirë. Është art i veçantë që pëlqehet shumë nga të huajt. Në Shqipëri nuk e vlerësojnë edhe aq”.
Vukaj thotë se ka punuar gjatë për portretet në lëkurë. Gdhend më fort lëkurën e dhisë aty kur do të japë vështrimin e thellë dhe bind qimet e kreshpëruara për t’u dhënë tipareve format që ai do.
Ka portrete ku hunda mund të jetë gdhendur në formën e grushtit të mbledhur, qepallat në formën e duarve dhe buzët në formën e gishtërinjve.
Femra nudo mbizotëron në punët që ai ka. Vukaj thotë se ajo përshtatet me lëkurën mbi të cilën ai derdh fantazinë e tij.
“Më pëlqen figura e femrës, brishtësia dhe bukuria e saj e veçantë”- shpjegon.
Me teknikën e gdhendjes në lëkurë Pjetër Vukaj është marrë vetëm vitet e fundit. Ajo kërkon përqendrim dhe durim. Për gjetjen e lëkurës ai shkon atje ku theren kafshë, nga 100 lëkura që mund të sigurojë, nga ato, vetëm dhjetë mund të vlejnë, pasi Pjetri sheh anën e tyre estetike dhe përshtatjen me portretin që ai mendon të gdhendë në të.
“Fillimisht lëkura regjet, pastaj thahet. Më pas kryhen tri procese: qethja, rruajtja e pjesshme dhe gërvishtja e smaltit të lëkurës për t’i dhënë dritëhije. Është një punë që më shumë ta kufizon se sa të jep lirinë. Nuk mund të biesh në kompromis me lëkurën sepse ajo rebelohet. Është një teknikë shumë e vështirë”, e përshkruan hap pas hapi ai këtë mjeshtëri.
Ka edhe të tjera hile ky zanat. Figurat e kreshnikëve, e luftëtarëve si Adem Jashari, duken më madhështore, me tipare të egra, të dendura dhe të zeza pis. Ndryshe ndodh me Skënderbeun, me mjekër të thinjur dhe çehrezbehtë.
Për Vukajn, i cili është edhe mjeshtër në punimet me dru, lëkura është më e vështirë se druri dhe guri dhe nuk të lejon përmirësim. Duhet ta kesh idenë e qartë në kokë e të jesh preciz.
Teknikën e drurit e njeh në majë të gishtave. Ka njëzet vjet që punon me të. E zgjedh drurin e arrës, pishës, panjës, në vendin e origjinës, në pyjet e Kelmendit.
Ka ditë, që natyra tregohet zemërgjerë me të. Atëherë kur veprat e artit i dalin para syve kacavjerrë në trungjet e pemëve, në zgavra, në degë dhe mjafton të zgjasë dorën t’i arrijë. Por vetëm një sy i stërvitur, si ai i Vukajt e sheh atë.
Artisti na thotë se ka marr pjesë në 70 ekspozita, si kolektive e po ashtu edhe personale. Por, vështirësitë ekonomike e përcjellin ngado.
“Edhe pse ftesat për ekspozita kolektive nuk mungojnë nëpër botë, nuk mund t’i përballoj shpenzimet. Nuk mund të shkosh në Paris për dy javë, vetëm me një punim” – tregon ai.
Por pavarësisht pasurisë së tij shpirtërore dhe atë materiale, të ekspozuar në këtë pjesë të kryeqytetit, Pjetër Vukaj nuk do të qëndrojë në Tiranë deri në fund të dhjetorit. Këto ditë do të kthehet në Shkodër.
Ai thotë se të interesuarit kanë qenë të paktë dhe shpenzimi i kaq shumë kohe për kaq pak interes është i parëndësishëm për artistin.
Të shumtë janë ata që i janë afruar dhe kanë parë punimet e tij, por të pakt janë ata që kanë nxjerrë para nga xhepi…
Deri sa kjo nuk ndodh, përfitimi është zero./DITA






Artist te tille duhet te mbeshteten, te promovohen, duhet tu jepet mundesi… Po ku po pyet njeri per artin ketu. Gjerat me vlere lihen ne harrese. Bravo Dita, qe keta individ te talentuar i ekspozon dhe i evidenton. Pune e paqme!
ky eshte art
Komplimente per punen dhe fantazine e ketije artisti.Te beshe arte nuk ka shume rendesi diplloma,por me shume rendesi ka pasioni dhe fantazia,gje tecilat nuke i mungojne ketije artisti .Brravo dhe suksese .
JEPINI ÇMIMIN MIGJENI KETIJ ARTISTI SE SA U JEPNI ‘VRIMAVE’ PLOT GJIZE ‘LUMEMADHIN SKENDO’!
Fantastike. E rralle. Bravo
Ua. Bravo Pjeter
Bravo i qofte por dhe shteti (artisti kryeminister )duhet ta ndihmoje dhe ta sponsorizoj kete mjeshter.Jane te rralle njerez te tille.
Te lumte o njeri !
GJE E VECANTE, MERITON TE VIZITOHET EKSPOZITA E KETIJ ZOTERISE.
GJE E VECANTE, MERITON TE VIZITOHET EKSPOZITA E KETIJ ZOTERISE..
Ky artist eshte per cmim. Imagjino cfare procesi ka pune qe bene ai. Sa Kujdes dhe intueit duket te kesh te punosh ne lekure. Po ku i gjeni keto personazhe?! Sa pune e mire
E kujt i duhet ky lloj arti kur aty mungojne me kryesoret “penisi ” dhe “vagina”!Kjo po ndoshta mund ta kishte bere ndopak kureshtar kryeministrin e radhes e ministren e poshtelanes !Ndaj merr udhen nga ke ardhun o artist i pamerituar se je shume i vonuar e ky lloj arti i perket tjeter sistemi!
Vertet art..kjo promovon vlera shoqerore e kulturore nga me te mirat tonat, e jo u jepni vrimave cmime qe po te ishte Lumo Skendo gjalle do i vinte turp..Cfare eshte cmimi Lumo Skendo qe ja dhane Vrimes e nuk i japi ketij Pjetrit?..apo sa me perjashta te nxjerrim gjenitalet e sa me shume ti permendim ne porzite “erotike” aq me shume vlera kane?..pfffffff..kjo eshte brutale, barbare, e piste, ere ndyresire. Kurse Rita Petro thote qe ne se kuptojme vullkanin e saj apo jo?..
pse nuk i lejoni komentet?
Lerja Lirise,se ajo di t`i shese me cmime te kripura.
E ç’fare çmimi kerkon ky piktor ku ne punimet e tij mungojne “penisi” dhe “vagina”!Kujt i duhet ky art!Vetem ne sistemin e shkuar mund te merrte ndonje interesim;apojo z.Rama;apo jo znja.Kumbaro?
Eshte e pashpjegueshme se si mund te lihet pothuaj ne hije nje artist mjeshter,si Pjeter Vukaj. Punimet ne dru e ne lekure jane te pakonkurueshme ne llojin e vet. Pjetri mbetet edhe nje poet e prozator mjaft i talentuar, por…eh, kush lexon sot libra artistikë…Shume njerez, pothuaj anonimë janë vleresuar pertej meritave te tyre, ndersa per Pjetrin ketu ne Malesine e Madhe, heshtin edhe ata qe flasin per artin, ndonese pak e njohin .Shpresoj që talenti i Tij do ta thyejë këtë heshtje, mbasi eshte krenaria e malesoreve, por pa nje titull te tille nga ata qe drejtojne jo vetem artin ketu tek ne…
Artist i vertete dhe kulmi i modestise. Punimet ne dru gjithashtu i ka nje mrekulli.