Kush është Milovan Drecun?

redaktor

Nga serbët e parë që reaguan kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave serbe, reagimi i Milovan Drecun-it zuri vend të rëndësishëm në mediat e Kosovës. Fatkeqësisht të gjitha publikimet që iu bënë reagimit të Milovan Drecun-it u shoqëruan me sqarime vetëm për funksionin e tij si Kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovë.

Funksioni që ushtron aktualisht ai është domethënës për të kuptuar vazhdimësinë strukturore të regjimit të Millosheviqit. Në këtë reagim të shkurtër po sjell vetëm disa fakte që do t’u ndihmonin atyre që nuk e dinë se kush është ky person. Për më tepër, faktet që do t’i sjell janë tejet bindëse për të potencuar se gjithmonë kur përmendet ky person Portalet dhe mediet në gjuhën shqipe duhet ta shoqërojnë lajmin më RIKUJTIMIN se vendi i këtij krimineli është në burg!

Po rikujtoj se gjatë agresionit ushtarak serb mbi Kosovën Drecun ishte gazetari për çështje ushtarake i Radio Televizionit të Serbisë. Në këtë cilësi ai volli pareshtur vrer dhe nxiti në maksimum urrejtjen kundër shqiptarëve. Në veçanti u shqua për “intervistën ekskluzive” me Bekim Mazrekun, të riun që e kishin torturuar tmerrësisht derisa e kishin detyruar të pranonte se gjoja kishte marrë pjesë në ekzekutimin e civilëve serbë në Kleçkë. Akuza për gjoja djegien e kufomave të civilëve serbë në “Krematorin e Kleçës” është akuzë e shpërndarë në përmasa shumë të mëdha te gazetarët e huaj që vinin në Media Centar-in e krijuar nga regjimi, pikërisht nga Drecun.

Krahas kësaj, një rol të rëndësishëm luajti në shpërndarjen e gënjeshtrës se gjoja në fshatin Reçak nuk ishin vrarë civilë shqiptarë por “ushtarë të UÇK, të cilëve, me udhëzime të instruktorëve amerikanë dhe britanikë, i kishin veshur me tesha civilësh dhe i kishin gjymtuar për të krijuar përshtypjen se kishte ndodhur një masakër”. Për të gjitha nxitjet dhe gënjeshtrat që kishte bërë kundër shqiptarëve gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi e dekoroi me dekoratën më të lartë që ndonjëherë kishte marrë ndonjë gazetar.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe tërheqjes së forcave serbe Bekim dhe Luan Mazreku, pasi ishin dënuar në procesin e montuar gjyqësor nga 20 vjet burg, u liruan nga Gjykata Supreme e Serbisë si të pafajshëm.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë u ndriçua në tërësi akti gjenocidar i kryer në fshatin Reçak.

Për përgjegjësitë në krimet e kryera në Kosovë, gjeneralkoloneli famëkeq Pavkoviq u dënua nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës me 22 vjet burg. Ndërsa, njëri nga të dekoruarit e tij, Milovan Drecun-i, i cili kishte marrë pjesë në nxitjen e akteve të dhunës, në montimin e proceseve kundër vëllezërve Mazreku dhe në fshehjen e gjurmëve të gjenocidit, nuk u dënua.

Po rikujtoj se më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të “Radio Televizionit të Beogradit”, të “Radio Tele­vizionit të Novi Sadit” si dhe kundër gazetarëve të gazetave “Politika”, “Večernje Novosti” dhe të gjithë atyre që gjatë shpër­bërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse.

Me këtë padi penale, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi gazetarët, që i shërbyen kësaj propagande, se duke manipuluar me mediet, ndikuan në përhapjen e urrejtjes ndër­nacionale dhe ndërfetare, në nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale.

Për këtë arsye, ky asociacion kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të RFJ të dënoheshin këta gazetarë për vepër penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës.

Në mesin e tyre, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracun-in, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë, por kjo nuk pati asnjë pasojë negative. Përkundrazi, Dracun pati vetëm privilegje!

Pas veprimtarisë së gjatë aktive në kuadër të partisë së Milosheviqit, në qershor 2011 u anëtarësua, në Partinë Përparimtare Serbe të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi. Po i sjell për lexuesin që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetar i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.

Në vend që të përgjigjet për pjesëmarrje në krimet e kryera në Kosovë, ai në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë vazhdon logjikën e për­hapjes së urrejtjes dhe nxitjes së armiqësive kundër shqiptarë. Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë insiston që ky kriminel të merr dënimin e merituar. Fatkeqësisht mediet tona i japin hapësirë qëndrimeve të këtij krimineli i cili i cilëson Kushtetutën e Kosovës dhe Qeverinë e saj si “të ashtuquajtura” dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës për t’ia mundësuar Serbisë kthimin në Kosovë!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *